
Ky titull iu shtua Litanisë nga Papa Benedikti XV, gjatë Luftës së Parë Botërore (1914–1918). Njerëzit flisnin për paqen dhe premtonin paqe, por paqe nuk kishte, sepse njerëzit nuk ndiqnin udhët e paqes. Paqja është fryt i rendit në marrëdhëniet e njeriut me Hyjin dhe me të afërmin e tij. Vetë Hyji e ka bërë të njohur këtë rend në urdhërimet e Tij. Kur dhe ku këto urdhërime shpërfillen dhe shkelen, aty lind çrregullimi dhe përçarja. Luftërat, revolucionet dhe trazirat shoqërore janë pasojë e çrregullimeve të bashkuara në sjelljen morale të njerëzve. Paqja është për njerëzit me vullnet të mirë, por i mirë është vullneti vetëm i atyre që e përshtatin vullnetin e tyre me vullnetin pafundësisht të mirë të Hyjit. Sipas vullnetit të Hyjit, disa gjëra duhen shmangur e të tjera duhen bërë. Në të dyja këto, Maria, Nëna e Princit të Paqes, prin dhe për këtë arsye ajo është Mbretëresha e Paqes.
ÇRREGULLIMET E PAQES
Çdo shmangie nga vullneti i Hyjit është një shmangie nga udha e paqes, si për individët ashtu edhe për kombet. Çrregullimi i parë i paqes ndodhi në Qiell: ishte rebelimi i engjëjve krenarë kundër Krijuesit të tyre. Ata nuk pranuan t’i nënshtroheshin vullnetit të Hyjit, nuk deshën të shërbenin sipas kërkesës së tij. Pasoja e këtij rebelimi ishte shkatërruese: humbja e paqes qiellore dhe dënimi në çrregullimin dhe trazimin e përjetshëm të ferrit. Çrregullimi i dytë i paqes ndodhi mbi tokë, në parajsë, dhe u nxit nga një engjëll rebel. Prindërit tanë të parë i besuan tunduesit më shumë se Hyjit dhe bënë vullnetin e tij në vend të vullnetit të Hyjit. Edhe këtu pasoja ishte shkatërruese: humbja e hirit, dëbimi nga parajsa dhe një varg i pafund i të këqijave për ta dhe pasardhësit e tyre. Deri në ditët tona njerëzimi vuan pasojat e mëkatit fillestar dhe do të vazhdojë të vuajë deri në fund të botës.
KONKUPISHENCA – prirja për të bërë të keqen
E keqja vdekjeprurëse që prindërit tanë të parë ua lanë trashëgim pasardhësve të tyre është konkupishenca (lat. concupiscentia), ajo shtysë e përhershme për të vepruar kundër rendit të dashur nga Hyji. Njeriu u rebelua kundër Hyjit dhe, si ndëshkim, vetë natyra e tij tani rebelohet kundër tij, deri në atë masë sa Shën Gjoni mund të thotë: “Sepse gjithçka që është në botë—epshi i mishit, epshi i syve dhe krenaria e jetës” (1 Gjn 2,16).
Ky epsh i keq përhap helmin e vet nëpër shtatë kanale, të cilat, ndonëse duken të ndryshme, janë të gjitha të njëjta në shmangien nga vullneti i Hyjit; ato janë të ashtuquajturat shtatë mëkatet kryesore: krenaria, që pretendon barazi me Hyjin dhe vazhdon rebelimin e engjëjve të rënë; lakmia dhe koprracia, që bëjnë idhull nga të mirat materiale të kësaj bote; pangopësia/grykësia, që e bën njeriun skllav të ushqimit dhe pijes; papastërtia, që e ul njeriun edhe nën nivelin e një shtaze; zilia, që e bën njeriun të trishtohet për të mirën e të tjerëve; zemërimi, që nuk di të falë dhe kërkon hakmarrje; përtacia, që e shtyn njeriun drejt rehatisë dhe e pengon të bëjë veprat që do t’i fitonin paqen e jetës së pasosur.
Nga këto vese burojnë të gjitha çrregullimet e paqes në individ; të shumëzuara në shkallë kombëtare, ato shpjegojnë trazirat kombëtare dhe ndërkombëtare që mundojnë njerëzimin. Është në natyrën e së keqes që të mos mbetet e izoluar në zemër, por të kërkojë të shfaqet jashtë, dhe kështu këto shtatë rrjedha vdekjeprurëse përhapin helmin e tyre në gjithë botën.
MARIA DHE UDHËT E PAQES
Mbretëresha e Paqes zotëronte një paqe të thellë dhe të patrazuar, sepse ajo nuk u prek nga fryma e rebelimit të parë në Tokë; ajo ishte pa konkupishencë, pa asnjë pasion të çrregullt, sepse ishte pa mëkat fillestar. Ajo eci në udhët e paqes në përputhje të përsosur me vullnetin e Hyjit dhe praktikoi virtytet e kundërta me ato shtatë mëkatet kryesore, në rrethana që i shkaktuan dhimbje dhe vuajtje të pashprehshme në zemër. Ajo ishte shërbëtorja më e përvuajtur e Zotit, gjithmonë e gatshme të bënte vullnetin e Tij; ishte e varfër në shpirt, pa asnjë dëshirë për të mirat e kësaj bote; e përmbajtur, duke mos i lejuar vetes ushqim apo pije përtej asaj që ishte e nevojshme për jetën; ajo ishte dhe mbetet shembulli i ndritshëm i pastërtisë: Nëna tejet e pastër dhe e dëlirë, Virgjëresha e virgjërave dhe Mbretëresha e të gjitha virgjërave.
Mbretëresha e Paqes i do njerëzit, bijtë e saj shpirtërorë, dhe për t’i parë të lumtur ajo pranon të shpohet nga shpata e dhimbjes; a mund të mbante ajo ndonjëherë, e butë dhe e përvuajtur në zemër, Virgjëresha e mëshirshme dhe strehë e mëkatarëve, ndonjë mendim zemërimi apo hakmarrjeje? Jeta e saj kalon, forcat e saj shterojnë, në shërbimin më të zjarrtë ndaj Hyjit; fryma e saj e fundit është akti i fundit i dashurisë në jetën e saj tokësore.
Këto janë udhët e paqes; po t’i ndiqnin të gjithë njerëzit, jeta kombëtare dhe ndërkombëtare do të ishte paqësore, sepse do të kishte paqe në zemrat e njerëzve. Ta përfytyrojmë gjendjen e botës, sikur të mos kishte krenari që i sheh të tjerët si më të ulët për shkak të racës apo fesë; sikur kombet të kënaqeshin me atë që Provania Hyjnore u ka caktuar në territor apo pasuri, të përmbaheshin nga skllavërimi dhe shfrytëzimi i popujve të tjerë, të ishin të gatshëm të ndanin me të tjerët të mirat që i zotërojnë me bollëk; sikur idealet e përmbajtjes dhe të dëlirësisë të pranoheshin e të nderoheshin; sikur të mos kishte zili për përparimin e kombeve të tjera, as dëshirë për hakmarrje; sikur ushtrimi i fesë të nxitej në arsim, në qeverisje dhe në jetën ekonomike—atëherë rezultati do të ishte një epokë vërtet e artë paqeje.
Jezusi, duke hyrë me ngadhënjim në Jerusalem, qau mbi qytetin dhe i drejtoi paralajmërimin e Tij të fundit: “Po ta dije edhe ti, pikërisht në këtë ditë, çka i shërben paqes sate” (Lk 19,42). Përpjekjet e papëve të kohëve të fundit për paqen botërore ishin përsëritje e këtij paralajmërimi të Shëlbuesit. Ato nuk u dëgjuan dhe bota u detyrua të përjetojë tmerre lufte të papara. Le të shpresojmë dhe të lutemi që, së paku pas këtyre përvojave të tmerrshme, njerëzit të kthehen në udhët e paqes. Mbretëresha e Paqes po pret me dëshirë t’i udhëheqë drejt Birit të saj hyjnor, Princit të Paqes.
Mbretëresha e Paqes – lutu për ne.
Teksti është marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html
Përkthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi

Postimi i Mëparshëm
