Papa në telefon me Putinin kërkon armëpushim humanitar në rajonin e Khersonit

Papa Leoni XIV, i shtruar në spitalin Gemelli, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus. Ati i Shenjtë kërkoi armëpushim në Oleshky, për të mundësuar dërgimin e ndihmave ushqimore dhe mjekësore, si dhe evakuimin vullnetar e të sigurt të popullsisë civile. Ai rikonfirmoi “angazhimin e Selisë së Shenjtë për dialogun dhe paqen”. Kjo është biseda e dytë telefonike mes tyre, pas asaj të 4 qershorit 2025.

 

Nga Salvatore Cernuzio – Qyteti i Vatikanit

 

Edhe pse i shtruar në Poliklinikën Gemelli, Papa Leoni XIV nuk heq dorë nga misioni i tij i paqes. Pasditen e sotme, më 16 tetor, ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Lajmi bëhet i ditur nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila njofton se Papa – i shtruar në spitalin e Romës pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një adenokarcinome pulmonare – i shprehu Putinit shqetësimin për krizën humanitare që po zhvillohet në Oleshky, një lokalitet përgjatë vijës së luftimeve në rajonin e Khersonit, në bregun e lumit Dnepr, nën pushtimin rus, ku banorët po përballen me kushte tejet të rënda.

 

Komunikata e Selisë së Shenjtë

“Gjatë bisedës, Ati i Shenjtë shprehu shqetësim të thellë për situatën e rëndë humanitare në qytetin e Oleshky-t, në rajonin e Khersonit, duke kërkuar një armëpushim që do të mundësonte dërgimin e ndihmave ushqimore dhe mjekësore, si dhe evakuimin vullnetar e të sigurt të popullsisë civile”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Në përfundim, njofton më tej komunikata, Leoni XIV “rikonfirmoi angazhimin e Selisë së Shenjtë në mbështetje të dialogut dhe të paqes”.

 

Biseda e parë telefonike në qershor 2025

Kjo nuk është biseda e parë telefonike mes Papës Leonit XIV dhe Putinit, por e dyta, pas asaj të 4 qershorit 2025, më pak se një muaj pas zgjedhjes së Robert Francis Prevostit në Konklavë.

Që nga fillimi i pontifikatit të tij, Papa amerikan është angazhuar si bartës i mesazhit të paqes në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, duke i ftuar të dy presidentët, Putinin dhe Zelenskin, të hyjnë në dialog dhe duke u propozuar Vatikanin si vend për zhvillimin e negociatave.

Gjatë bisedës telefonike të vitit të kaluar, Papa i kishte bërë thirrje Rusisë të ndërmerrte një gjest në favor të paqes, duke theksuar “rëndësinë e dialogut” për të kërkuar “kontakte pozitive” dhe “zgjidhje për konfliktin”.

Gjithashtu, ishte diskutuar “situata humanitare, nevoja për të lehtësuar dërgimin e ndihmave atje ku ato nevojiten, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për shkëmbimin e të burgosurve”.

Ky i fundit mbetet një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë humanitare të Selisë së Shenjtë në kontekstin e konfliktit në Ukrainë. Kjo veprimtari është vënë sërish në qendër të vëmendjes nga vizitat e fundit të kardinalit Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvore Italiane (CEI), i cili ka udhëtuar dy herë në Moskë – herën e dytë në fund të shtatorit të kaluar – si dhe nga vizita treditore e monsinjor Paul Richard Gallagher-it, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, në kryeqytetin rus gjatë muajit gusht.

 

Thirrja gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot

Gjatë lutjes së fundit të Engjëllit të Tenzot (Angelus), para se të njoftonte ndërhyrjen kirurgjikale, Papa kishte rikthyer vëmendjen te konflikti, duke theksuar jo vetëm bilancin tragjik të viktimave dhe shkatërrimin e infrastrukturës në të dyja vendet, por edhe pasojat e rënda të luftës për popullsitë më të varfra të botës, për shkak të pengimit të transportit të sigurt të drithërave në Detin e Zi.

“Buka e përditshme e miliona njerëzve nuk mund të mbahet peng i luftës”, kishte deklaruar Papa Leoni XIV./Vaticannews

Shpëndaje: