Leoni XIV del nga spitali Gemelli sot pasdite. Nesër, lutja e Engjëllit të Tënzot në Vatikan

Papa Leoni XIV është gati të kthehet në Vatikan. Pas kontrolleve mjekësore të kryera këtë mëngjes, mjekët kanë vlerësuar se gjendja e tij shëndetësore e lejon të largohet nga spitali.

Lajmi u bë i ditur nga mjeku Luigi Carbone, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë së Shtet Qytetit të Vatikanit, dhe profesori Stefano Margaritora, drejtues i ekipit të kirurgjisë torakale që kreu ndërhyrjen kirurgjikale ndaj Papës në Gemelli. “Duke marrë parasysh analizat e gjakut, kontrollin radiologjik të kraharorit, të kryer këtë mëngjes, si dhe vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes klinike, Ati i Shenjtë është gjykuar i aftë për t’u larguar nga spitali”, thuhet në njoftimin e mjekëve. Papa u shtrua në Poliklinikën romake Gemelli më 12 tetor dhe, pasditen e 13 tetorit, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e një adenokarcinome pulmonare, gjatë së cilës iu hoq lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë.

Nesër, lutja e Engjëllit të Tënzot nga banesa papnore

Pas vlerësimit pozitiv të ekipit mjekësor, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të ditur se Papa do të largohet sot nga Poliklinika Gemelli, në orët e para të pasdites, për t’u kthyer në Vatikan. Ndërkohë, takimi tradicional i lutjes së Engjëllit të Tënzot do të zhvillohet nesër, të dielën, më 18 tetor. Papa Leone XIV do ta drejtojë lutjen nga dritarja e banesës papnore, duke iu bashkuar kështu besimtarëve në këtë takim të rëndësishëm të lutjes së përbashkët në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Kthimi i Papës në Vatikan shënon një etapë të rëndësishme në rikuperimin e tij pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te ecuria e gjendjes së tij shëndetësore./ Vatican News

Shpëndaje: