
Më shtunën, më 24 tetor 2026, në ambientet e Famullisë së Prizrenit u mbajt takimi i Unionit Rregulltar të Kosovës. Ky është takimi i radhës që ky union e mban për të organizuar jetën dhe bashkëpunimin e rregulltarëve në Dioqezën Prizren-Prishtinë.
Për këtë rast, Motër Dila Shtjefni (Françeskane e Zojës së Papërlyer) mbajti ligjëratën me temë “Roli i Virgjërës Mari në misionin e Kishës”.
Meshën e shenjtë në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” e kryesoi vikari gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë dhe famullitari i Prizrenit, Don Shan Zefi.
Përveç programit të rregullt me karakter shpirtëror dhe pastoral, gjatë këtij takimi u zhvillua edhe zgjedhja e udhëheqësisë së re të Unionit Rregulltar të Kosovës. Për kryetare u zgjodh Motër Valbona Hajdari, nga kongregata e Motrave të Dashurisë Hyjnore; për nënkryetar, Don Gjon Khong Huu Hien, saleziani Don Boskos; për arkëtare, Motër Lumnije Frrokaj, nga kongregata e Motrave Françeskane; dhe për sekretare, Motër Amanda Shkoza, nga kongregata e Motrave Engjëllore.
Udhëheqësisë së re i urojmë punë të mbarë dhe shërbim të shenjtë në detyrat e tyre. E falënderojmë Zotin për bashkësitë rregulltare në Kosovë dhe lutemi për thirrje të reja në jetën e kushtuar Mbretërisë së Zotit në shoqërinë tonë.

Postimi i Mëparshëm
