
Më 1 nëntor 2026, në ditën e Festës së të Gjithë Shenjtërve, në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë u inaugurua Biblioteka “Dom Mikel Tarabulluzi”, në Qendrën Pastorale-Kulturore të Famullisë së Shën Jozefit.
Ngjarja shënoi një moment të rëndësishëm për jetën kulturore dhe arsimore të fshatit. Biblioteka, që mban emrin e Dom Mikel Tarabulluzit, nderon kontributin e tij në arsimin shqip dhe e përcjell këtë trashëgimi te brezat e rinj, duke ofruar një hapësirë moderne për lexim, studim dhe zhvillim kulturor.
Ngritja e bibliotekës dhe e qendrës rinore pasqyron përkushtimin e famullitarit Don Fatmir Koliqi dhe frymën e bashkëpunimit të stubllasve. Kontributi i banorëve, i bashkatdhetarëve, i këshillit të fshatit dhe i mbështetësve të kësaj nisme ndihmoi në krijimin e hapësirave në shërbim të dijes, kulturës dhe rinisë. Ky angazhim është vazhdim i iniciativave të përbashkëta të stubllasve për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e fshatit. Përmes mbështetjes financiare, punës dhe organizimit komunitar, ata dëshmojnë lidhjen me vendlindjen dhe kujdesin për të ardhmen e saj.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili e përgëzoi Don Fatmir Koliqin për angazhimin në realizimin e bibliotekës dhe të qendrës rinore, si dhe i falënderoi këshillin e fshatit dhe të gjithë banorët për kontributin në të mirë të komunitetit. Me këtë rast, kryetari Haliti e nderoi me mirënjohje Oliver Perën për kontributin e çmuar financiar në realizimin e bibliotekës.
Për Stubllën, të njohur për traditën në arsim dhe kulturë, biblioteka dhe qendra rinore përbëjnë një investim në edukimin e brezave dhe një dëshmi të asaj që mund të arrihet përmes solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët.
Përgatiti: Nikollë D. Ukaj

Postimi i Mëparshëm
