Leoni XIV niset drejt Amerikës Latine, fillon udhëtimi apostoli

Avioni Airbus i ITA Airways, me të cilin udhëton Papa, u ngrit sot në mëngjes, më 6 nëntor, nga aeroporti i Romës-Fiumicino «Leonardo da Vinci», në orën 7:05, për të mbërritur, pas më shumë se trembëdhjetë orësh fluturimi, në Montevideo, kryeqytetin e Uruguait. Ky është vendi i parë nga tri shtetet që Papa do të vizitojë, së bashku me Argjentinën dhe Perunë, deri në kthimin e tij, të parashikuar më 17 nëntor.

Papa Leoni XIV përshëndeti personat që ndodheshin ende në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Romës-Fiumicino «Leonardo da Vinci» dhe më pas hyri në avionin Airbus A330-900 të ITA Airways, i cili u ngrit në orën 7:05. Kështu, sot në mëngjes, më 6 nëntor, nisi udhëtimi i tij i gjashtë apostolik, i cili do ta çojë në Amerikën Latine.

Pas trembëdhjetë orësh e gjysmë fluturimi, rreth orës 16:30 sipas orës lokale, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të mbërrijë në Montevideo, kryeqytetin e Uruguait, i pari ndër tri vendet – së bashku me Argjentinën dhe Perunë – që do ta mirëpresin deri më 17 nëntor.

Papa Leoni XIV do të qëndrojë në Uruguai nga 6 deri më 8 nëntor. Ati i Shenjtë Prevost do të jetë Pasardhësi i dytë i Shën Pjetrit që viziton këtë vend, pas Papës Shën Gjon Palit II, i cili e vizitoi në vitet 1987 dhe 1988.

Programi i ditës

Pas pritjes zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Montevideos-Karrasko «General Cesáreo L. Berisso», Papa do të udhëtojë me makinë drejt Sheshit të Pavarësisë, sheshi kryesor i Montevideos, ku në orën 17:30 do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes.

Aty do ta presë Presidenti i Republikës, Yamandú Orsi, përpara kullës «Torre Ejecutiva». Papa do të përshëndesë zëvendëspresidenten e Republikës, kryetaren e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë dhe tre ish-presidentët e vendit.

Më pas do të takohet me autoritetet, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe trupin diplomatik. Pas fjalës së mirëseardhjes nga Presidenti i Republikës, do të mbajë fjalimin e tij të parë.

Në orën 18:15 do të zhvillojë një vizitë te Presidenti Orsi, në ndërtesën «José Artigas», një prej selive të Presidencës së Republikës së Uruguait.

Rreth orës 18:45, Papa do të shkojë në këmbë dhe me një automjet elektrik të tipit golf-cart drejt Katedrales Metropolitane të Zojës së Papërlyer dhe të Shenjtorëve Filipi dhe Jakobi, ku do të kryesojë kremtimin e lutjes Mbrëmësore me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe rregulltaret, si dhe seminaristët.

Kthimi me makinë në Nunciaturën Apostolike parashikohet rreth orës 20:00.

Telegrami drejtuar Italisë

Gjatë fluturimit mbi territorin italian, në drejtim të Uruguait, Argjentinës dhe Perusë, destinacionet e udhëtimit të tij të gjashtë apostolik, Papa i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Në telegram, Ati i Shenjtë ia beson «dëshirat për paqe dhe vëllazëri të këtyre popujve ndërmjetësimit të Virgjërës Mari dhe të Shenjtërve që u shpallën atyre Ungjillin e dashurisë». Leoni XIV e shoqëron «përshëndetjen e tij të përzemërt» drejtuar Kreut të Shtetit italian me «lutje për të mirën dhe begatinë e mbarë kombit italian». /Vatican News

Shpëndaje: