Takimi Dioqezan i Rinisë: adhurim, kremtim dhe bashkëndarje përvojash të dëshmisë

Të shtunën, më 21 nëntor 2026, në Katedralen e Shenjtëreshës Shën Nënë Tereza në Prishtinë u mbajt takim dioqezan i rinisë, i cili bashkoi rininë e vendit tonë në adhurim, lutje, kremtim dhe bashkëndarje përvojash të dëshmisë. Krejt kjo u realizua nën moton biblike nga Isaia profet “ “Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, unë të dua!” (Is 43,4)

 

Prishtinë, 21 nëntor 2026 — Të rinj nga famullitë e Dioqezës u mblodhën në Katedralen e Shën Nënë Terezës për Takimin Dioqezan të Rinisë. Nën moton e profetit Isaia, “Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, unë të dua!” (Is 43,4). Dita u shënua me adhurim e lutje, kremtimin e Eukaristisë dhe bashkëndarje përvojash nga jeta e krishterë e virtytit të dashurisë.

Takimi u bë një mundësi që të rinjtë të luten së bashku, të njihen mes tyre dhe të përjetojnë përkatësinë në një Kishë të vetme. Siç theksohej në ftesën e Këshillit të Rinisë, të kryesuar nga Don Alfred Sokoli, përgjegjës për pastoralin rinor, ky takim është kthyer në një traditë të bukur dioqezane dhe një rast për të krijuar miqësi të reja.

Pas reflektimeve të viteve të mëparshme mbi fenë dhe shpresën, këtë vit vëmendja u përqendrua te dashuria – tri virtytet teologale që dhurohen të krishterëve për ta mishëruar Ungjillin në jetën e tyre. Fjalët e Isaisë u kujtuan të rinjve se vlera e tyre nuk varet nga arritjet apo miratimi i të tjerëve, por nga dashuria e Hyjit. Në homelinë e Meshës, Imzot Dodë Gjergji e lidhi këtë mesazh me thirrjen për ta jetuar dashurinë në mënyrë konkrete: me përgjegjësi, përkushtim dhe kujdes për të afërmin.

Duke u ndalur te shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë, ipeshkvi i ftoi të rinjtë të mos mjaftohen me vërejtjen apo vetëm me denoncimin e plagëve të shoqërisë, por të marrin përgjegjësi konkrete, si një qytetari aktive, për t’i shëruar ato. “Mos u bëni një brez që e njeh padrejtësinë, por mësohet të bashkëjetojë me të”, u tha ai, duke i nxitur të mbrojnë të vërtetën, ndershmërinë dhe dinjitetin njerëzor. Lexoni homelinë e plotë.

Programi nisi me adhurim eukaristik dhe lutje të përbashkët në Katedrale, që ndihmoi të rinjtë të drejtojnë shikimin e tyre në Krishtin eukaristik dhe krejt këtë takim ta shndërrojnë në shpirtin e këtij shikimi dhe takimi. Vijoi me Meshën e Shenjtë të kremtuar nga Ipeshkvi ynë së bashku me meshtarët e Dioqezës. Pasdite të rinjtë u mblodhën për drekë në Qendrën “BogdaniPolis”, kurse takimi vazhdoi me tri dëshmi nga jeta e krishterë: një seminarist i dioqezës, i cili tregoi rrugëtimin e thirrjes së tij si dashur e përkushtuar Zotit, një çift martesor ndau përvojën e jetësimit të dashurisë bashkëshortore dhe një mjek shpalosi dashurinë si shërbim ndaj tjetrit në vështirësi e nevojë. Program i ditës vazhdoi me pika artistike me muzikë, këngë e valle.

Mesazhi i ditës ishte një ftesë për ta bërë besimin dëshmi të gjallë: të rinjtë janë të çmueshëm në sytë e Hyjit dhe thirren ta ndajnë këtë dashuri me të tjerët. Siç u kujtoi Imzot Gjergji, Kisha ka nevojë për besimin, entuziazmin dhe guximin e tyre që sot, në jetën e famullive dhe të shoqërisë./drita.info

Shpëndaje: