Prizreni nderon Shën Nënë Terezën me shtatore dhe shesh me emrin e saj

Në shënimin e 28 Nëntorit, pranë Katedrales “Zonja Ndihmëtare”, u përurua monumenti kushtuar humanistes shqiptare me famë botërore

Prizren, 28 nëntor 2026 – Në ditën kur shqiptarët shënojnë 28 Nëntorin, Prizreni përuroi shtatoren e Shën Nënë Terezës dhe sheshin që mban emrin e saj. Ceremonia u mbajt pranë Katedrales historike “Zonja Ndihmëtare”, në një vend ku kujtesa fetare, qytetare dhe kombëtare takohen çdo ditë.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe të Kishës Katolike. Me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe të Kosovës, nga Kori i të rinjve të Prizrenit, filloj ceremonia e inaugurimit, për të nderur ditën kombëtare të Flamurit tonë, ndërsa fjalë mbajtën kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, dhe vikari i përgjithshëm i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.

Pjesëmarrja e veteranëve të UÇK-së, personalitete nga jeta publike dhe kulturore e vendit, qytetarë e njerëz të vullnetit të mirë, e bën një ditë të plotëkuptimshme festive.

 

Totaj: Një ftesë e përhershme për reflektim

Kryetari Totaj e cilësoi shtatoren si diçka shumë më të madhe se një vepër artistike. Sipas tij, ajo është thirrje e përhershme për të menduar mbi vlerat që e bëjnë një shoqëri të qytetëruar dhe kujtesë e gjallë e vlerave njerëzore e humanitare që përfaqësoi Nënë Tereza.

Misionin e saj ai e përshkroi si “revolucion i heshtur i dashurisë”. Në rrugët e Kalkutës dhe kudo ku mbërriti puna e saj, tha ai, Nënë Tereza nuk shihte thjesht njerëz në nevojë, por dinjitetin e shenjtë të çdo qenieje njerëzore. Totaj kujtoi se për të varfëria më e madhe nuk ishte vetëm mungesa e bukës, por ndjenja e të qenit i padashur, i braktisur dhe i harruar. Duke u përulur para më të pambrojturve, përfundoi ai, ajo e ngriti njerëzimin në lartësitë e tij më fisnike.

 

Imzot Gjergji: Shpirti shqiptar në pasqyrën e Nënë Terezës

Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje që figura e Nënë Terezës të shërbejë si shembull për të gjithë. Ai i ftoi të pranishmit të shohin te ajo sa të mirë dhe të mëshirshëm mund të jetë shpirti shqiptar, dhe të përpiqen t’i ngjajnë asaj. Në fjalën e tij, ipeshkvi kujtoj figurën e Skënderbeut në edhe sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës, duke e cilësuar atë një dhuratë të madhe që duhet të respektohet nga të gjithë.

 

Don Shan Zefi: Rrënjë shqiptare, mision universal

Don Shan Zefi e vlerësoi Nënë Terezën si një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare dhe të njerëzimit. Ai theksoi se ajo lindi shqiptare, u bë qytetare e botës dhe jetën ia kushtoi Zotit dhe njeriut. Sipas tij, kjo është një nga veçoritë themelore të personalitetit të saj: lidhja e rrënjëve të forta të përkatësisë me universalitetin e misionit.

 

Një trashëgimi që i përket botës

Nënë Tereza, e lindur Gonxhe Bojaxhiu, u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, ndërsa në vitin 2016 u shpall shenjte nga Papa Françesku. Përurimi i shtatores dhe i sheshit në Prizren shtoi një shenjë të re nderimi për trashëgiminë e saj humanitare, në një qytet që ruan prej shekujsh bashkëjetesën e besimeve dhe kulturave. Nënë Tereza kthehet në qytetin e prindërve të saj Kolës dhe Dranës, duke risjell në ndërgjegjen tonë kolektive identitetin e saj dhe veprën e saj të madhe të bamirësisë dhe të shenjtërisë.

Shtatorja dhe sheshi pritet të bëhen pikë takimi për banorët dhe vizitorët e Prizrenit, si dhe vend reflektimi mbi mesazhin që Nënë Tereza ua la brezave: dashuria e shprehur me vepra, sidomos ndaj atyre që janë lënë pas dore.

Shpëndaje: