
Një ndër gjermanet e famshme të pasarelave të viteve ’90, ish top-modelja Nadja Auermann në një intervistë për Vogue flet për kthimin e saj, pagëzimin në Kishën Katolike dhe përvojën e saj të besimit.
Nadja Auermann, një nga top modelet e viteve ’90, është pagëzuar në Kishën Katolike. Ajo ka folur për këtë në një intervistë të publikuar në numrin e majit të edicionit gjerman të Vogue, që i ka kushtuar kopertinën, si dhe në disa deklarata tjera nëpër gazeta gjermane – shkruan e përditshmja katolike italiane avvenire.it, e cila bie edhe disa pasazhe të kësaj interviste të ish modeles, që po i sjellim si dëshmi e çiltër e fesë katolike.
“Jam pagëzuar në vitin 2020 – ka rrëfyer për Vogue Auermann, e cila sot është 54 vjeç – gjithmonë kam qenë shumë fetare. Megjithatë, jam rritur në një familje që e refuzonte fenë. Por unë gjithmonë kam besuar në Zot. Për mua, bukuria është diçka hyjnore. Është manifestimi i dashurisë”.
“Njëra prej vajzave të mia kishte shprehur dëshirën për t’u pagëzuar. Në atë kohë ajo ishte tetë vjeçe. Bashkëshorti im është katolik. Unë në shkollë kam ndjekur mësimet e fesë protestante dhe nuk kam arritur kurrë të pajtohem me Kishën Katolike, edhe për shkak të të gjitha skandaleve. Prandaj i thashë: ‘Le të fillojmë të shkojmë së bashku në meshë të dielave dhe pastaj do të shohim nëse të përket vërtet’. Kur shkuam në Meshë, ndjeva sikur famullitari po fliste vetëm për mua. E gjithë predikimi, përmbajtja, këngët, gjithçka përputhej aq mirë me situatën time jetësore dhe me ndjenjat e mia, saqë papritmas fillova të qaja si fëmijë. Kështu ka ndodhur pothuajse çdo të diel.”
Për ish-top modelen, “kjo përshpirteni ka diçka jashtëzakonisht të bukur. Sidomos sepse ajo kremtohet, më pak a më shumë në të njëjtën mënyrë, prej më shumë se 2000 vitesh. Për sytë e mi, thelbi i saj është i përjetshëm. Kjo më bindi të pagëzohesha”.
Kurse për gazetën gjermane Bild, ajo shtoi: “Ashtu si Krishti beson në ne, na sheh të denjë, kjo më prek deri në lot shumë shpesh. Famullitari ynë gjithmonë i lidh pasazhet e Biblës me jetën e sotme. Është bukur të kuptosh se nuk jemi vetëm me shqetësimet dhe problemet tona: ato kanë ekzistuar edhe 2000 vjet më parë. Dhe njerëzit në komunitet dhe në mbarë botën ndjejnë të njëjtën gjë që ndjej unë”.
Kjo është njëra prej qindra e mijëra dëshmive të kohës sonë, edhe prej atyre njerëzve me detyra të rëndësishme publike, që dëshmojnë dashurinë dhe përkushtimin e tyre për jetën shpirtërore në gjirin e Kishës Katolike. Ndër ta ka edhe në popullin tonë, të cilët dita-ditës po i rizbulojnë rrënjët e tyre të krishtera, të paraardhësve të tyre.
E lusim Zotin për ta e për të gjithë që janë në kërkim të të vërtetës, që një ditë të arrijnë ta gëzojnë dhuratën hyjnore të fesë në Jezu Krishtin./drita.info