Papa Françesku merr pjesë në samitin G7

Një ditë historike për samitin G7, që po mbahet në Borgo Egnazio në Puglia të Italisë. Është hera e parë që një Papë merr pjesë dhe flet në samitin e të mëdhenjve të botës, ku janë të pranishëm përfaqësuesit e BE, SHBA dhe dhjetëra kryetarë shtetesh e personalitete të rëndësishme të botës.

 

Papa Françesku u ftua nga nikoqirja e samitit 2024, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, i cili mbajti një fjalim për përparësitë dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale. “I takon të gjithëve të përdorin mirë inteligjencën artificiale, e politikës të krijojë kushtet që një përdorimi i tillë i mirë të jetë i mundur dhe frytdhënës” – tha Papa Françesku, sot, më 14 qershor, para krerëve botëror në samitin e G7 kushtuar pikërisht inteligjencës artificiale, si dhe klimës, Afrikës dhe Mesdheut.

“Ne nuk mund ta fshehim rrezikun konkret, pasi është e natyrshme në mekanizmin e saj themelor, që inteligjenca artificiale kufizon vizionin e botës në realitete që mund të shprehen në numra dhe të përfshihen në kategori të parapaketuara, duke përjashtuar kontributin e formave të tjera të së vërtetës, dhe duke imponuar modele uniforme antropologjike, socio-ekonomike dhe kulturore. Paradigma teknologjike e mishëruar nga inteligjenca artificiale rrezikon t’i lërë vend një paradigme shumë më të rrezikshme, të cilën tashmë e kam identifikuar me emrin “paradigma teknokratike”, shtoi Ati i Shenjtë.

“Le të mbetemi burra dhe gra dhe të mos ia delegojmë të ardhmen makinerive. Për këtë arsye, përballë sfidave dhe rreziqeve të inteligjencës artificiale, na duhet një vizion etik dhe primati i politikës së mirë dhe të shëndetshme. Njerëzimi është i pashpresë nëse varet nga zgjedhja e makinave”, nënvizoi Papa.

“Ndër sfidat e shumta globale me të cilat përballemi në këtë periudhë, ne vendosëm t’ia kushtojmë seancën informuese atyre që i konsiderojmë më urgjente: inteligjencës artificiale para së gjithash me mundësitë që po hapen dhe rreziqet që sjell ajo, Mesdheut, një zonë krize  dhe një vend dialogu, në Afrikës, një kontinent me të cilin duam të fillojmë një bashkëpunim krejtësisht të ri”, sqaroi kryeministrja, Giorgia Meloni, në fjalimin e hapjes së samitit. “Duhet të punojmë pa qasje ideologjike – vazhdoi kryeministri përpara se t’ia kalonte fjalën Papa Françeskut –  ndaj ndryshimit të klimës që ndikon para së gjithash te kombet Global South”.

Kryeministrja Meloni më pas e falënderoi Papa Françeskun: “Faleminderit për pranimin e ftesës sonë, faleminderit që për herë të parë një papë merr pjesë në G7, faleminderit për fjalët e tua që janë qartësisht një burim frymëzimi për secilin prej nesh”.

Meloni theksoi se “është një moment historik, nuk do të mund falënderoj kurrë sa duhet Shenjtërinë e Tij që është këtu ndër ne, është një nder i madh të kemi Papën që do të ndajë një moment historik me ne”.

Ky është samitit i 50-të i G7 i cili po mbahet nga 13-15 qershor 2024 në Borgo Egnazia në Puglia të Italisë, nën udhëheqjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni./drita.info

Shpëndaje: