POROSIA E IPESHKVIT TONË DODË GJERGJI PËR PASHKË 2024

“Paqja e Hyjit […] do t’i ruajë zemrat tuaja!

 Dhe do ti mbush ato me paqe e çdo gëzim”.

(Khs. Fil 4,7; Rom 15,13)

 

 

Të dashur motra dhe vëllezër, 

                                                      festa e Pashkëve – Ringjallja e Krishtit nga vdekja – s’është vetëm një ditë në kalendarin e shenjtë liturgjik të jetës së Kishës, por, para së gjithash, një përvojë feje, që fillon me ecjen kreshmore për dyzet ditë e na bën të përjetojmë kalimin nga përvojat e skllavërisë së mëkatit në kremtimin e lirisë së të Ringjallurit. Kjo ecje ripërtëritëse nëpërmjet agjërimit, pendesës, uratës e lëmoshës, i përgatit zemrat tona dhe na aftëson  ti bindemi Hyjit Dashuri, e për të përqafuar dashurinë e Tij, në mënyrë që të shpallet e të bashkëndahet kjo porosi dashurie e pakusht tek të gjithë njerëzit deri në skajet e botës, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. (Khs. Mt 28,19).

Në kulmin e misterit të Dashurisë së Hyjit, që kryhet në Treditëshin Pashkvor, ne bijtë e bijat e tija, nëpërmjet riteve të veçanta dhe lutjeve të shumta, lejojmë të na përfshijë misteri i mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit, me qëllim që të kuptohet misteri i kësaj ngjarjeje shpëtuese, që është dritë shprese për gjithë njerëzimin, zjarr dashurie e energji qëndrese për të pagëzuarit dhe burim gëzimi e hareje për mbarë Kishën. Kështu që, vetvetiu shpërthejmë në klithje të përbashkët: Aleluja. Pasi besojmë që Ai (Krishti) e mundi vdekjen dhe tani para Atit qiellor lutet për ne, nëpërmjet Shpirtit Shenjt në ne i jep lavdi Atij, e ne bashkë me të njëjtin Shpirt e adhurojmë të Ringjallurin. Kështu që, duke shpallur ngjalljen e Tij, secili që beson, thotë: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti.” (Gal 2, 20a). Pasi, “Hyji aq fort e deshi botën, sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.” (Gjn 3,16).

Këndej, të mos i përshtatemi parimeve të shekullit, por ta shndërrojmë e ta  ripërtërijmë mendjen tonë, ashtu që të dallojmë vullnetin e Hyjit e të dimë të zbulojmë çka është e mirë, çka është e drejtë, çka është e përsosur dhe çka është e shenjtë. (Khs. Rom 12,2). Mbi gjitha duhet të dimë çka është e dobishme për të arritur paqen në botë, e për të ruajtur paqen ndër ne. Sepse sot, si ata që jetojnë në zonat e konflikteve dhe përjetojnë tmerrin e vuajtjeve dhe vdekjes, ashtu edhe ata që kalojnë ditët e jetës në mungesë të luftës, mbeten të frikësuar e të trishtuar pasi e ndjejnë tmerrin e saj.

Edhe pse jetojmë një kohë të vështirë, kur njerëzit më shumë janë duke u angazhuar për të luftuar ose për të mbështetë luftën se sa për të ndërtuar paqen, ne nuk pushojmë duke iu lutur Krishtit, Princit të Paqes, që të zbus zemrat e ngurta dhe të çlirojë ato nga urrejtja, sidomos ata që kanë përgjegjësi për të ruajtur paqen në botë dhe në vendin tonë.

Nisur nga kjo bindje feje, Kisha e Krishtit që vepron në Kosovë, dhe ne bijtë e saj që jetojmë në gjirin e popullit tonë, ftojmë të gjithë njerëzit, pavarësisht bindjeve të tyre fetare, pozicioneve shoqërore, përkatësive etnike apo përgjegjësive politike që kanë, të bëjnë ç’është e mundur, që ndër ne të mbizotërojë paqja e vërtetë, harmonia, barazia dhe toleranca fetare.

Për të mbërri këtë gjë, është e domosdoshme që sa më parë të arrihet pajtimi i gjithmbarshëm mes nesh. Ashtu që, si dikur edhe tani, të dimë të përballemi bashkërisht me të sotmen dhe ta ndërtojmë të ardhmen duke iu përshtat rrethanave të reja që imponohen. Në harmoni të plotë me ata që na mundësuan lirinë që gëzojmë dhe në përputhje të plotë me synimet e të parëve tanë. Kjo, jo vetëm që është e domosdoshme, por është edhe e drejtë,  të pajtohemi për të mirën e përbashkët mes nesh dhe me të tjerët. Do të ishte vërtetë e pa falshme, që ne, akoma pa i shijua mirë frytet e paqes dhe shijen e lirisë, t’i kthehemi tmerrit dhe trishtimit të luftës.

Lus Zotin e Ringjallur të na mbushë me paqe, me dashuri e me gëzim, në mënyrë që të jemi të gjithë njerëz të ndershëm, besimtarë besnik, qytetarë të përgjegjshëm, prindër të kujdesshëm, e të bëjmë vepra bamirësie për nevojtarët. Ta duam vendin tonë me të njëjtin zell siç e dëshironim lirinë, e të punojmë për ndërtimin e paqes sot, sikur u angazhuam ta arrinim atë.

Për shumë mot Pashkët!

                                                                                                              + Dodë Gjergji, ipeshkëv

Shpëndaje: