
Mesha e dritës dhe funerali i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën e ardhshme, më 26 prill 2025, në orën 10:00, ditën e parë të Novendiali-t (nëntë ditë zie), përpara Bazilikës së Shën Pjetrit, siç parashikohet në Ordo Exsequiarum Romani Pontificis.
Kështu u njoftua nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Selisë së Shenjtë, duke njoftuar se liturgjia mortore do të kryesohet nga kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinajve.
Në fund të kremtimit Eukaristik do të bëhet bekimi e përshëndetja e fundit (Ultima commendatio dhe Valedictio). Më pas arkivoli i Papës do të çohet në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe prej andej në Bazilikën e Santa Maria Maggiore për varrim.
Si do të procedohet nga sot e deri në varrimin e Papës?
Trupi i të ndjerit Papa Françesku, që tani gjendet në kapelën e Shën Martës, do të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, nesër, të mërkurën në orën 9:00, ku do të qëndrojë deri në varrimin e tij, i cili do të bëhet të shtunën në mëngjes në orën 10:00.
Kamerlengu, Kardinali Kevin Farrell, do të kryesojë ritin e transferimit më 23 prill, i cili do të fillojë në orën 9:00 me një moment lutjeje.
Procesioni do të kalojë nëpër sheshin e Shën Martës dhe Sheshin e Protomartirëve Romakë, sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Më pas procesioni do të dalë përmes Harkut të Këmbanave në Sheshin e Shën Pjetrit dhe do të hyjë në Bazilikën e Vatikanit nga dera qendrore.
Në Altarin e Rrëfimit, Kamerlengu do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës, në përfundim të së cilës do të fillojnë homazhet ndaj trupit të Papës së ndjerë./drita.info