Më 2 dhe 3 korrik 2024, Zagrebi priti një takim të rëndësishëm të nëntë Caritaseve nga Rajoni, i cili mblodhi së bashku përfaqësues të Caritaseve nacionale të: Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Tema e Forumit ishte bashkëpunimi vëllazëror, ndërsa aktiviteti u pasurua me ligjërata nga ekspertë të njohur në fushën e mirëqenies sociale.
Caritas Kosova u përfaqesua nga Don Viktor Sopi – Drejtor Gjeneral dhe Alfred Pjetri – Drejtor Ekzekutiv.
Një nga leksionet kryesore u prezantua nga z. Dominic Verhoeven, drejtor i Caritas Flanders Belgjikë, i cili ndau përvojën e tij të pasur dhe perspektivat mbi temën e bashkëpunimit vëllazëror në mes të Caritaseve në të gjithë Evropën.
Ministri i Mirëqenies Sociale i Qeverisë së Republikës së Kroacisë, z. Marin Piletić, prezantoi konsideratat kryesore për marrëdhëniet në mes të Shtetit dhe Caritasit, duke theksuar rëndësinë e partneritetit dhe koordinimit në ofrimin e ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë.
Forumi kulmoi me Meshën e shenjtë në Shenjtëroren nacionale të Zojës së Bekuar në Maria Bistrica, e udhëhequr nga presidenti i Caritasit Kroat dhe ipeshkvi i Varazhdinit Mons. Božo Radoš.
Forumi ishte një mundësi për një analizë të sfidave dhe mundësive aktuale me të cilat përballen Caritaset në rajon, si dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit në realizimin e misioneve humanitare. (Caritas Kosova)