
Çfarë duhet të bëni gjatë vizitës në vendet e shenjta jubilare (dhe çfarë nëse nuk mund të bëni shtegtim)?
Jubileu është një ngjarje e rëndësishme kishtare që kremtohet në Kishë zakonisht çdo 25 vjet. Ai bazohet në traditën biblike të viteve jubilarë, siç përmendet në Librin e Levitikut, ku çdo pesëdhjetë vjet shpallej një vit shenjt për faljen e borxheve dhe çlirimin e skllevërve.
Në kuadër të Jubileut të zakonshëm të vitit 2025, Imzot Dodë Gjergji i ka përcaktuar vendet e shenjta jubilarë dhe mënyrat për të fituar ndjesën e plotë brenda dioqezës së Romës. Dekreti është shpallur më 25 janar 2025, në fillimin e Vitit Jubilar.
Dyert e Shenjta
Në Bulën e shpalljes së Jubileut të vitit 2025, “Spes non confundit”, Papa Françesku ka theksuar rëndësinë e Dyerve të Shenjta dhe kishave jubilare në Romë dhe në botë. Ai gjithashtu ka ftuar që të vlerësohen edhe vendet e tjera të shenjta në Kishat vendore si hapësira të mikpritjes, bashkimit dhe pjesëmarrjes në misterin e shpëtimit, për të mbjellë shpresë.
Sipas traditës, Papa është shtegtari i parë që kalon pragun e Dyerve të Shenjta, një rit që simbolizon hapjen e zemrës për Zotin. Ky akt daton që nga viti 1423, kur Papa Martini V e realizoi për herë të parë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Prej atëherë, hapja e Dyerve të Shenjta shënon fillimin e një Viti të Shenjtë, duke i ftuar besimtarët në një udhëtim shpirtnor të pajtimit dhe mëshirës hyjnore.
Shtegtimet e shenjta dhe mënyrat për të fituar ndjesën e plotë
Sipas udhëzimeve të Pendestarisë Apostolike, ndjesa e plotë mund të merret nëpërmjet shtegtimeve në vendet e shenjta të caktuara për këtë Vit Jubilar. Për Dioqezën Prizren-Prishtinë, janë përcaktuar si vende jubileare këto kisha:
- Konkatedralja “Shën Nënë Tereza” – Prishtinë
- Shenjtërorja “Zoja Cërnagore” në Letnicë
- Katedralja “Zoja Ndihmëtare” në Prizren
- Kisha “Shën Ndou” në Gjakovë
Në këto vende, besimtarët mund të marrin ndjesën e plotë duke kryer shtegtimet e tyre me devotshmëri dhe duke plotësuar kushtet e kërkuara nga Kisha.
Kushtet për të fituar ndjesën e plotë
Për të marrë ndjesën e plotë gjatë Jubileut, besimtarët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Të shkëputen plotësisht nga çdo mëkat, qoftë edhe venial, dmth. i lehtë.
- Të marrin pjesë në Sakramentin e Rrëfimit, duke kërkuar faljen e mëkateve.
- Të marrin Kungimin e Shenjtë, si shenjë bashkimi me Krishtin.
- Të luten për nijetet, dmth. qëllimet e Papës, duke e thënë të paktën një “Ati ynë” dhe një “Të falemi Mari” (ose ndonjë lutje tjetër sipas devocionit të tyre).
- Të bëjnë një akt devotshmërie, siç është:
- Pjesëmarrja në meshë,
- Leximi dhe meditimi i Shkrimit i Shenjtë,
- Marrja pjesë në Liturgjinë e Orëve,
- Mundësisht ta bëjnë Udhën e kryqit ose ta lusin Rruzaren.
Nëse për ndonjë arsye, një besimtar nuk mund të bëjë shtegtim në një vend jubilear, ai mund të fitojë ndjesën e plotë duke përmbushur të njëjtat kushte në vendin ku ndodhet dhe duke ofruar lutjet dhe vuajtjet e tij si një sakrificë për hir të mëshirës hyjnore.
Nëse jeni të penguar për të bërë shtegtim
Besimtarët që, për arsye të rënda, nuk mund të kryejnë një shtagtim (p.sh. të moshuarit, të sëmurët, të burgosurit ose ata që kujdesen për të sëmurët) mund të marrin ndjesën e plotë:
- Duke u bashkuar shpirtërisht me besimtarët që bëjnë shtegtim,
- Duke dëgjuar apo ndjekur përmes mediave shërbesat e Papës apo të ipeshkvit të tyre,
- Duke u lutur me përkushtim në vendin ku ndodhen, duke re lutur Ati Ynë, Besojmën, dhe një lutje drejtuar Zojës së Bekuar.
- Duke duruar me besim dhe përkushtim vuajtjet dhe vështirësitë e jetës së tyre, duke i ofruar ato si një sakrificë të dashurisë ndaj Zotit.
Ndjesa e plotë përmes veprave të mëshirës dhe pendesës
Kisha, përveç shtegtimeve, u jep mundësinë besimtarëve të fitojnë ndjesën e plotë edhe nëpërmjet veprave të mëshirës dhe akteve të pendesës, si:
- Ushtrimi i veprave të mëshirshme të trupit, siç janë:
- Ushqyerja e të uriturve,
- Vizitimi i të sëmurëve,
- Ndihma për të pastrehët dhe nevojtarët.
- Ushtrimi i veprave të mëshirshme të shpirtit, siç janë:
- Këshillimi i atyre që dyshojnë,
- Mësimi i të paditurve,
- Falja e fyerjeve,
- Ngushëllimi i të trishtuarve.
- Kryerja e akteve të pendesës, si:
- Agjërimi,
- Heqja dorë nga një e mirë personale për të ndihmuar të tjerët,
- Përfshirja në ushtrime shpirtërore ose misione popullore.
Përmbyllja
Gjatë këtij Viti Jubilar, Kisha na ofron një mundësi të veçantë për pastrimin shpirtëror dhe rigjallërimin e fesë përmes ndjesës së plotë. Ky është një moment hiri, një ftesë për të reflektuar mbi jetën tonë dhe për t’u kthyer me zemër të pastër tek Zoti.
Qoftë përmes shtegtimeve, lutjeve, veprave të mëshirës apo akteve të pendesës, le ta shfrytëzojmë këtë kohë të shenjtë për të përjetuar mëshirën e pafund të Zotit dhe për të ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me dashurinë e Tij./drita.info
Përgatiti: Radio Maria Kosovë