
Më 7 mars 2025, në Janosh të Gjakovës, ipeshkvi ynë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë të dioqezës sonë, ka shuguruar kishën e kushtuar të lumit At Luigjit, martir. Ceremonia filloi në varrezat e Janoshit, te Kryqi i Fratit, siç e quajnë banorët e asaj zone, pasi në atë vend qe vrarë frati At Luigji nga malazezët. Pra, është vendi i martirizimit të tij. Po aty, në fillim qe varrosur dhe gjendet edhe përmendorja e varrit të tij.
Te Kryqi i Fratit, u mblodhëm kler e besimtarë, ku nisi me një lutje kushtuar të lumit, të prirë nga ipeshkvi, dhe në procesion, me lutje e këngë, arritën te kisha. Kisa u ndërtua tash e një kohë për banorët e Janoshit dhe të Sopotit, që i përkasin famullisë së Becit. Pasi kjo kishë ishte në përfundim e sipër dhe nuk ishte kushtuar ende një shenjti, atëherë ipeshkvi ynë, duke e parë përshpirtërinë e besimtarëve ndaj martirit At Luigji, vendosi që këtë kishë t’ia kushtonte atij. Është kisha e parë kushtuar At Luigjit.
Në homelinë e rastit ipeshkvi nxiti popullin e Zotit të bashkohet në lutje e falënderim për këtë dhuratë të madhe të martirit, dëshmitarit të fesë, për këtë kishë kushtuar atij dhe nxiti për të qenë dëshmitarë në botën e sotme, sipas shembullit të tij.
“Po mos të ishte dëshmia e shumë martirë që vdiqën e nuk e mohuan fenë as popullin e vet, ku do të ishim ne sot. A do të mund të bashkoheshim ne sot për të nderuar At Luigjin? Jo, sigurisht nuk do të ishim. Por, fal dëshmisë së At Luigjit, besimtarëve që e kanë ndjekur, ja ku jemi pas më shumë se njëqind viteve. E, shembulli i fortë i këtij martiri na nevojitet neve sot.” – theksoi ipeshkvi, duke ftuar që të jemi sot dëshmitar të vlerave të krishtera dhe të popullit tonë, që na e kanë lënë trashëgim të parët. Ai më tej, përmendi rreziqet e plogështisë shpirtërore që të krishterët ngashënjehen sot, kur liria dhe e mira janë pjesë e jetëve tona reale. Njëra prej atyre ngashënjimeve të rrezikshme – th a ipeshkvi – është lakmia, e cila e vret dashninë për vendin tonë.
Pas meshës së shugurimit, të gjithë të pranishmit u ndalën për të vazhduar bashkëndarjen vëllazërore me një apero të përgatitur nga banorët e fshatit dhe të famullisë së Becit.
Kush është i LUMI PATER LUIGJI, OFM, meshtar e martir
Lindi me 21 shkurt 1879 në Janjevë, Kosovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Hyri në Kuvendin Françeskan në Troshan (Lezhë), aty ku ishte edhe bashkëvendasi i tij, At Shtjefën Gjeçovi. Në Troshan, më 23 shtator 1896, veshi zhgunin françeskan, që sipas rregullores françeskane ndërroi emrin nga Matej në Luigj.
Studimet filozofike-teologjike i kreu në Itali 1896- 1901.
Pas shugurimit, për dy vite vazhdoi edhe studimet pasuniversitare. Në fillim shërbeu në Shqipëri, 1905-1907, pastaj prej viti 1907-1912 ishte rektor i Kishës së Shna Ndout në Gjakovë.
Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve. Frati u burgos në burgun e Gjakovës, sepse vizitonte shqiptarët katolikë e myslimanë të shpërndarë në fshatra të ndryshme të Gjakovës, për t’i përforcuar që mos të pranojnë fenë të cilën malazezet dëshironin me dhunë ťjua ndërrojnë.
Nuk kaluan shumë ditë pas burgosjes së tij, kërkuan nga frati që ta mohojë publikisht fenë dhe kombin, e të kalojë në ortodoksi dhe të sllavizohet, por frati qëndroi dhe asnjërën nga këto nuk e pranoi.
E dërmuan më shuplaka e më shkopinj e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje, por ky prapë qëndroi. Së fundi e nisën këmbëzbathur bashkë me 52 të burgosur të tjerë, nga Gjakova për në Pejë.
At Luigji ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Gjatë rrugës për në Pejë, në fshatin Janosh, afër Gjakovës e vranë. Ishte 7 marsi i vitit 1913.
Vdekja e fratit zgjoi ndërgjegjen e Fuqive të Mëdha Europiane. Komisioni ndërkombëtar erdhi në përfundim se akti ishte vrasje e pafajshme dhe torturim jonjerëzor ishte ushtruar në trupin e Fratit.
Pas varrimit që ishte bërë në Janosh, trupin e tij pas disa muajsh e rivarrosen afër kishës së Shna Prenës në Zym.
Procesin për lumnimin e tij e kishte filluar edhe At Shtjefën Gjeçovi, por me vrasjen e tij ky proces u ndal, për ta vazhduar përsëri në vitin 2010 nga Arqipeshkvia e Shkodrës.
Më 20 qershor 2024, në Vatikan Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, i autorizuar nga Papa Françeskur shpall Dekretin për lumnimin e martirizimit të At Luigjit i vrarë nga urrejtja për fenë, më 7 mars 1913.
Lumnimi u bë me 16 nëntor 2024 në Katedralën e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Më 7 mars 2025, në fshatin Janosh, që tani është pjesë e famullisë së Becit (Gjakovë), nga Imzot Dodë Gjergji, u bë Shugurimi i Kishës kushtuar të Lumit At Luigjit.
I Lumi At Luigji – lutu për ne?