U mbajt Manifestimi Letrar, Kulturor e Shkencor “Takimet e Dom Mikelit” 2023 në Stubëll

Në Stubëll të Epërme, në Komunën e Vitisë, të shtunën më 23 shtator 2023, u mbajt manifestimi letrar, kulturor dhe shkencor i parvjetshëm “Takimet e Dom Mikelit” 2023, edicioni i XXXIV, i cili është përbërë prej katër pjesëve:

  1. TRIBUNA SHKENCORE
  2. ORA LETRARE
  3. EKSPOZITË ME DOKUMENTE ARKIVORE NGA ARKIVI SHTETËROR I VJENËS
  4. FEST FOLK STUBLLA 2023

Në fillim të takimeve u bënë përshëndetjet e autoriteteve, që filluan nga kryesuesi i Takimeve të Dom Mikelit, Dom Fatmir Koliqi, famullitar i Stubllës, vazhduan me të deleguarën e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Nervije Ismaili, bashkëorganizator, z. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, nënkryetari i Komunës së Vitisë z. Hasan Aliu, dhe nikoqiri kryesor i Takimeve, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë i Dioqezës Prizren-Prishtinë, i cili edhe hapi Takimet e Dom Mikelit 2023.

 

PJESA E PARË – Tribuna shkencore

Takimet e Dom Mikelit, pos rëndësisë që kanë si ngjarje e madhe mbarëkombëtare, i  dedikohen edhe personaliteteve më të rëndësishme të historisë kombëtare, letërsisë dhe çështjeve tjera kulturore në përgjithësi, duke pasqyruar kontributin e tyre përmes studiuesve nga të gjitha viset shqiptare me kumtesat e tyre të rëndësishme.

Sivjet takimet ju kushtua 120-vjetori të lindjes së Ernes Koliqit. Për këtë ligjëruan:

  1. Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, “Themelimi dhe strukturimi i sistemit arsimor në tokat e lirume gjatë Luftës II Botërore
  2. Prof. Dr. Veton Latifi, “Diplomacia arsimore e Ernest Koliqit
  3. Prof. Dr. Merxhan Avdyli, “Ernest Koliqi, figure poliedrike në kulturën shqiptare dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit shqiptar
  4. Prof. Dr. Xhavit Beqiri, “Koliqi – pajtori i traditës dhe modernes”.

 

PJESA E DYTË – Ora letrare

Ora letrare është e dedikuar poezisë, ku marrin pjesë poet nga të gjitha trojet shqiptare. Lexuan poezi njëzetë poet nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës… U ndanë 3 çmime për tri poezitë më të mira. Vendin e parë e mori poetja Dije-Demiri Frangu, vendin e dytë  Enis Reçica, vendin e tretë Irena Gjoni (Sarandë).

Në kuadër të Takimeve ndahen 2 çmime tjera: Çmimi i parë “Dr. Don Gjergj Gjergji”, i cili jepet për kontribut në histori dhe filologji, e që sivjet ju nda Akademik Mehmet Alimi. Dhe çmimi i dytë “Qeshk Ukaj”, i cili jepet për veteranët e arsimit, që sivjet ju nda Engjëll Koliqit.

 

PJESA E TRETË – Ekspozita me dokumente arkivore nga Arkivi Shtetëror i Vjenës.

Sivjet Takimet kanë përjetuar një zhvillim kualitativ duke futur edhe pjesë tjera që e pasurojnë këtë manifestim. Ekspozitën me dokumente arkivore e ka përgatitur nga Dom Nikson Shabani dhe Albert Ramaj, e cila u hap në Muzeun e Shkollës së Parë Legale Shqipe. U ekspozuan 20 dokumente që dëshmojnë themelimin e Shkollës, sfidat e saja, letrat e mësuesit Dom Mikelit dhe listat e nxënësve të kësaj Shkolle.

 

PJESA E KATËRT – FestFolk Stublla 2023.

Në kuadër të Takimeve të Dom Mikelit 2023, është krijuar FestFolk, që do të mbahet çdo dy vjet. Festivali folklorik është ideuar nga Ndue Ukaj, pjesëtar i Këshillit të Takimeve dhe kryetar i Ansamblit “Arbëresha” në Zvicër, në bashkëpunim me Feim Leka, koreograf. Morën pjesë 7 ansamble folklorike nga trojet tona shqiptare: “Zëri i Karadakut”(Itali-Stubëll), “Arbëresha” (Zvicër-Stubëll), “Gjilani” (Gjilan), “Anamorava” (Viti), “Emin Duraku”(Shkup), “Xheladin Zeqiri” (Tetovë), “Katarina Josipi” (Zym) dhe këngëtarja Valentina Kengji (Stubëll). Ai u mbajt në ambientet e Shkollës së Parë, me një pjesëmarrje të shumtë të stubllasve dhe miqve e dashamirëve të kulturës dhe muzikës shqiptare.

Protkollin e kanë mbajtur Rinia e Stubllës dhe pjesëtarë të Këshilleve  të fshatit dhe të famullisë, kurse aperon dhe drekën e kanë përgatitur dhe shërbyer Grupi i Grave të Stubllës.

“Takimet e Dom Mikelit”  mbahen për çdo vjet në të shtunën e fundit të shtatorit, e që fillimin e tyre e kanë në vitin 1990, për të nderuar dhe përkujtuar figurën e madhe Dom Mikel Tarabulluzit, themeluesin e Shkollës së parë legale Shqipe në Kosovë./drita.info

Fotografitë: Leonard Shabani, Anton Ramaj dhe Rini Art

 

Shpëndaje: