Nga Imzot Dodë GJERGJI
Të nderuar zonja dhe zotëri,
Të dashur vëllezër e motra,
Ju përshëndes të gjithëve, e njëkohësisht ndjehem i nderuar, që sot pas më shumë se 100 viteve, unë, trashëgimtari i pestë, mundem lirshëm dhe lirisht të flasë për kontributin e Imzot Lazër Mjedës, argjipeshkvit tonë në Kosovë dhe Maqedoni, nga viti 1909–1922.
Kur më thanë të përgatis një Lectio magistralis për Akademinë Solemne në “Ditët e Bogdanit” 2023, që në këtë rast duhet të jetë ligjërim i shkurtër për argjipeshkvin Lazër Mjeda, e pranova me gëzim, duke menduar se ka çka të thuhet për këtë kolos të Kishës dhe të Kombit. Por, kur fillova të mendoja çfarë të them, e sidomos kur fillova të shkruaj, kuptova se nuk ishte krejt e thjeshtë, pasi qe shumë e vështirë të përmblidhej veprimtaria e madhe dhe dëshmia e pashoqe e këtij prelati të veçantë, në një ligjërim të vetëm.
Krejt në fillim, mund të themi se Lazër Mjeda ishte hallka më e fortë e më e çmuar në vargun e madh të prelatëve që jetuan në këtë nën qiell, që nga Bogdani e deri në ditët tona. Dhe atë, jo për nga forca e fuqia, por për nga urtia dhe guximi.
I bindur që shumëçka është e ditur, po edhe për shkak të kohës së kufizuar, do të përqendrohem më shumë në kontekstin historik, realitetin kohor dhe ambientin politik, në të cilin jetoi dhe veproi Imzot Lazër Mjeda. Sigurisht, duke vu në pah kontributin e tij gjatë shërbimit në Argjipeshkvinë e Shkupit, me seli në Prizren.
Prelat i nderuar i Kishës
Në kohën kur Perandoria Otomane kishte filluar të humbiste fuqinë e saj, kur popujt sllavë e ai grek kishin krijuar tashmë identitetet e tyre politike, dhe pas refuzimit të Perandorisë Otomane që të njihte etnitetin kombëtar dhe identitetin politik të shqiptarëve në trojet e veta, vullnet ky i shprehur në Lidhjen e Prizrenit, e kur Rilindasit tanë arrinin të bindnin njeriun shqiptarë të hiqte dorë nga identiteti i huazuar otoman, e të bashkoheshin rreth gjuhës shqipe, lavdisë së Gjergj Kastriotit dhe flamurit kuqezi, me synim të përbashkët për të krijuar shtetin e tyre, sikur popujt për rreth, saktësisht me 6 mars 1869, në familjen Mjeda, lindi Lazri, i cili më vonë do të bëhej meshtarë. Kurse gjatë kohës që po konsolidohej alfabeti i gjuhës shqipe i definuar në kongresin e manastirit, Selia e Shenjtë, në vitin 1909, emëroi Imzot Lazër Mjedën argjipeshkëv të Shkupit, ku shërbeu deri në vitin 1922, kur u transferua në Selinë e Argjipeshkvisë së Shkodrës.
Me punën e tij të palodhshme në ushtrimin e detyrës së bariut me dashuri për grigjën, zgjuarsinë intelektuale, urtinë njerëzore, guximin patriotik dhe dashurinë apostolike Lazër Mjeda, në mënyrë të mrekullueshme arriti të ushtrojë besimin, të kryen detyrat dhe përgjegjësit e tija dhe t’i mbetet besnikë kombit, varësisht sfidave të kohës, edhe pse ditët dhe vitet e shërbimit të tij ishin përplot mjerim, tmerr, padrejtësi dhe pamundësi veprimi.
Përkundër kësaj, pa mëdyshje, mund të konfirmoj edhe njëherë, se qe një nga prelatët shumë të respektuar në vargun e madh të veprimtarëve kishtarë, të cilët jetuan dhe vepruan në rrethana të vështira e me sakrifica më të mëdha, por dashurinë për Atme dhe fe, nuk e vunë në diskutim në as një rrethanë jete.
Sot, gjen shumë të tillë që lëshojnë klithma lavdie, britma krenare, hungërima kërcënuese thirrma mohuese, për fe e komb, por në kohën e Lazër Mjedës, e 450 vjet para tij, ishte krejt ndryshe. Në ato rrethana historike, pohimi për komb e fe nuk ishte dëshmi që e duam kombin apo që i mbetemi besnikë fesë, por dashuri përplot me sakrifica, vuajte, përbuzje, madje edhe vdekje. Kështu që, gjithë heroizmi i tyre mund të thuket në dashuri, guxim e sakrificë.
I tillë qe dhe Imzot Lazër Mjeda, jetoi dhe veproi në kohën e tmerrshme të ngjarjeve fatkeqe për Kishën Katolike dhe për Kombin Shqiptar. Kur mendohej se “gjithçka mori fund”, ai mbajti gjallë shpresën për liri. Që ne sot të themi “bac u krye”, por, ja që ka pas shumë baca para Bacit dhe se vërtetë u krye, por ka akoma punë për të bërë.
Realiteti historik dhe rrethanat e kohës
Të përqendrohemi në realitetin historik dhe rrethanat e kohës, për të kuptuar kontributin e madh të Imzot Lazër Mjedës, sidomos në Argjipeshkvinë e Shkupit, me seli në Prizren, që përfshinte territorin e sotëm të Maqedonisë Veriore, Kosovën dhe një pjesë të mirë të Serbisë së sotme, Plava e Gucia, Novipazari e deri në Preshevë e Bujanoc.
Fillimi i shekullit XX, në territoret e Argjipeshkvisë së Shkupit, si udhëkryq i përplasjeve të përhershme të interesave gjeostrategjike të fuqive të mëdha, Ballkani ishte shndërruar përsëri në një fushëbetejë të interesave të fuqive të mëdha, me synim që përfundimisht të dëbohej Perandoria Otomane nga hapësira gjeografike e Evropës. Si gjithmonë, edhe kësaj radhe, popujt përreth, me pretekstin e synimeve të Fuqive të Mëdha arritën të zgjeronin territoret e shteteve të tyre, duke luftuar popullatën lokale dhe duke okupuar tokat e tyre. Sigurisht, shumëkush prej jush ka lexuar më tepër e din më shumë, prandaj po përqendrohemi vetëm në metodologjinë e përdorur nga Aleanca Ballkanike për të arritur qëllimet e fshehta të tyre:
1. Gjëja e parë me të cilën përballej Argjipeshkvi, që në fillesën e shërbimit të tij ipeshkvor, ishte fryma e shpresës që vinte nga Shqipëria dhe ngufatja nga lufta e popujve fqinjë, që ishin bashkuar për të luftuar otomanët në Ballkan.
Në këtë realitet historik, Imzot Lazër Mjeda u angazhua të ndihmojë Kishën, të ushtrojë jetën e saj baritore, të njeh nevojat e shpirtit të tyre dhe t’i forcojë ata në qëndresë, me duresë. Duke i ngushëlluar me fjalët e Ungjillit, së paku të mbetej shpresa e lume që do t’i ngushëllonte. Jo shumë për fatin e tyre në tokë, por për shpërblimin hyjnor, që Jezusi i Kryqëzuar i kishte premtuar bashkëvuajtësit të vet, të cilit i thoshte se “që sot do të jesh me mua në Parajsë”.
Në anën tjetër i duhej t’i kundërvihej planit kobzi të Aleancës Ballkanike “toka e djegur”, të cilët në emër të dëbimit definitiv të otomaneve nga Evropa, kishin kurdisur zhdukjen e popullatës vendase, që ishim ne.
Në këtë rast, nuk ishte një synim klasik, pushtimi i një popullsie, por zgjerimi gjeografik i territoreve. Kështu, “pushteti i ri”, sikur e quante Mjeda në relacione të tija, kishte vra burrat që mund të bënin rezistencës dhe kishte shuar çdo shpresë për bashkim me qeverinë e Vorës, e cila kishte shpallë mëvetësinë e Shqipërisë. Prandaj, e vetmja gjë që mund të bënte në rrafshin patriotik, ishte të ruante tharmin e fesë dhe të shpëtonte njeriun shqiptar, me shpresën që dikur do të ripërtërihej përsëri.
2. Ashtu sikur otomanët dikur, edhe pushtuesit të ri përdorën konvertimin si mjet zhdukjeje të elementit etnikë të vendasve, pasi e dinin që nuk mund të nënshtrosh po s’ia ndërrove bindjet, e po s’ia tjetërsove shpirtin. Kështu që, sistemi me gjitha hallkat e tij ishte orientuar në detyrimin e shqiptarëve ortodoksë të asimiloheshin, kurse ata të besimit myslimanë ose katolikë të konvertoheshin në ortodoksë.
3. Edhe më e rëndë ishte gjendja në rrafshin diplomatik, pasi arrinin t’i mbulonin mizoritë në terren, me qëllim që bota të mos merrte vesh për atë po ndodhte në të vërtetë. Ata ishin të vetëdijshëm se po të zbuloheshin vërtet krimet e bëra, shpirti i lirë i popujve të qytetëruar evropiane dhe ndërgjegjja e krishterë e tyre, do të kundërshtonte me gjithë forcën që kishin.
Veprimtaria e bariut
Pikërisht, në këto rrethana dhe në këtë furtunë ngjarjesh historike, Lazër Mjeda ka ushtruar shërbimin e tij ipeshkvor, shërbesën kishtare dhe detyrimin ndaj atdheut. Me thanë të drejtën, është tmerr vetëm kur i kujtojmë, e të bëhet mishi kokërr kur lexon mbi ngjarjet e asaj kohe. Sidomos kur kihen parasysh relacionet dhe dëshmitë e Argjipeshkvit.
Imzot Lazër Mjeda u detyrua të përballej me tmerrin e paparë, padrejtësitë e panumërta dhe vështirësitë e paimagjinueshme. Situata ishte aq e vështirë sa që nga pamundësia për t’ju dalë në ndihmë besimtarëve dhe bashkëpunëtorëve të vet, do të ligështohej edhe burri më i urtë, do të pëlcite zemra e trimit më të fortë e do të dorëzohej çdo guximtarë.
E gjithë jeta dhe vepra e Imzot Lazër Mjedës është një kontribut i çmuar, por shquhet për disa prej tyre të veçanta:
1. Si bari i vyer dhe besnik ndaj misionit të tij ipeshkvor, argjipeshkvi Mjeda u përpoq të mbante gjallë besimin e njerëzve më shumë duke i ngushëlluar se sa duke i ndihmuar ata. Mund të imagjinoj dhembjen e ipeshkvit, i cili sheh mjerimin, urinë, padrejtësitë, vuajtje vrasjet e panumërta të besimtarëve të vet, e popullit në përgjithësi. Gjëja më e papërballueshme do të ketë qenë kur takoi qindra besimtarë të tij që marshonin para ushtrisë malazeze, që i çonin për t’i konvertuar në ortodoksë. E, kur deshi t’i pengonte, populli i shkretuar nga skamja, i dërmuar nga torturat dhe i pashtruar nga sjelljet e ushtrisë heshti para argjipeshkvit të tyre, kurse ushtria malazeze thirrej në vullnetin e tyre
Paralelisht me përpjekjet e pushtuesve të ri, për konvertim në ortodoksë, shumë fshatra shqiptarë, që ishin konvertuar në islam gjatë periudhës otomane, por që në zemrën dhe shtëpitë e tyre kishin vazhduar të ushtronin fenë e krishterë katolike, kishin filluar rrugën e kthimit. Por, ja që, zhgënjimi qe i madh, pasi pushtuesi i ri më shumë e shihte rrezik kthimin në katolicizëm se sa konvertimin në myslimanë. Sikur thotë dëshmia e famullitarit të Janjevës, tek i cili kishte shkuar një oficer për t’i kërkuar llogari lidhur me kthimin. Kur prifti i tha që nuk është duke ndodhë asgjë e padrejtë dhe e pazakontë, pasi ata thjeshtë po ktheheshin në fenë e tyre. Oficeri i tha: “ma mirë le të mbesin turq se sa katolikë”.
Ndoshta, momenti më i vështirë gjatë gjithë veprimtarisë baritore të argjipeshkvit Lazër Mjeda, ka qenë vrasja e Atë Luigj Palit, i cili me qëndresë e guxim refuzoi konvertimin e tij dhe të besimtarëve të vet. E pasi nuk arritën ta bindnin, e torturuan, e kur as torturat nuk ia ndërruan mendjen, e vranë afër Janoshit të Gjakovës.
2. Lazër Mjeda, si bir i guximshëm i kombit, kontributin ma të madh që ka bërë, ka qenë guximi për të dëshmuar. Vazhdimisht e informonte Selinë e Shenjtë, kancelaritë e kohës dhe mediat në Evropë. Sigurisht që kishte edhe dëshmi të tjera, por dëshmia e Kishës ishte më bindëse dhe më e fuqishme.
Parë thjesht kohën e Mjedës, epilogu i gjitha përpjekjeve të tija ishte një dështim, sepse nuk arriti të ndalte mizoritë dhe padrejtësitë që bëheshin kundër popullit dhe besimtarëve të tij, fshatrat laraman nuk u kthyen, Populli Shqiptarë ngeli nën okupimin e pushtuesve të ri, e vet u detyrua të transferohej në Shkodër.
Mirëpo, kur e shohim kontributin e tij nga perspektiva e jonë e sotme, 100 vjet më vonë, kontributi mbetet i madh për lirinë tonë. Dëshmitë e tija të pashlyera në historiografinë dhe sakrifica e tij mbetet gjithnjë e çmuar ndër gjenerata. Shpërblimi më i madh i sakrificës së tij do të jetë e përmbushur, kur shumë shpejt Kisha të shpallë At Luigj Palaj martirë të lumë.
Përveç kontributit historik, jeta dhe vepra e Imzot Lazër Mjeda, si edhe shumë bashkëkohanikëve të tij në popullin tonë, mbetet shembull frymëzues për ne që jetojmë sot në liri, prosperitet e shtet.
Këto frymëzime duhet të jenë nxitje që të mos plogështohemi duke lakmuar atë që se kemi, por të forcohemi duke kujtuar vuajtjet e atyre që kanë ditë të qëndrojnë të pathyeshëm në të kaluarën. Të dimë jemi të fortë, që të mos na zhgënjej shpresa duke mohuar veten, vendin dhe vuajtjet e gjeneratave. Pasi gjëja më e papranueshme dhe më vete shkatërruese mbetet, kur okupuesit na bëhen frymëzim e kur “gjermania shndërrohet në shpresë”, për ardhmëri dhe prosperitet.
Në vazhdën e përpjekjeve tona të përbashkëta për t’u përballur me sfidat e kohës tonë, çdo ditë e më shumë na imponohet nevoja për të hapur debat shoqëror për shumë çështje të vjetra, pasi që e vërteta nuk është pronë e askujt, por të gjithë së bashku mund t’i takojmë së vërtetës, nëse me dashuri, qetësisht dhe pa frikë e fyerje shoshitim faktet.
Pastaj, në këtë drejtim, liria nuk është privilegj vetëm i disave, por mundësi për të gjithë. E demokracia nuk duhet të përdorët për të shpalosë nostalgjitë për okupuesit e dikurshëm, as shans i të pathyeshmëve për ngadhënjim, por mundësi e mirë për të gjetur rrugën e re të mendimit.
Mbi gjitha, shihet e nevojshme që tolerancës tonë ndërfetare, si mjet i vetëm për të ruajtur dashurinë tonë ndërvëllazërore, t’i japim dimensionin e lirisë dhe paqes, ashtu që të mos shkohet me logjikën e imponimit të fesë së padëshiruar, me praktikat e konvertimit pa vullnet personal e as me fyerje në emër të mohimit. Por, t’i jepet mundësia secilit që lirisht dhe pa asnjë trysni të mbajë, të mohojë apo të përzgjedh ripërcaktimin e tij shpirtëror. Jo vetëm me ligjin e kushtetutës dhe rendit shoqërorë, por me mendësi e mirëkuptim nga të gjithë.
Në këtë mënyrë, në sofrën e kombit, ku duhet të bashkohemi të gjithë, secili të ketë mundësi të shtrojë dhuntitë dhe virtytet e veta e të gjithë të kenë dobi nga vlerat e tjetrit. Pasi vetëm kështu do të arrijmë të jemi një popull i bashkuar dhe një komb që i përket qytetërimit të dashurisë ndërvëllazërore./drita.info
(Lectio Magistralis në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit” 2023, e mbajtur në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, më 6 dhjetor 2023)