Shtatë ditët e botës (e një dhimbjeje për veten)

Nga Vehbi Miftari

 

Xhavit Beqiri është autor librash, kryesisht poetikë e studimorë, këtu e 30 vjet. Thuaja po aq sa njohja jonë, sa leximi i veprës së tij e përjetimi i akëcilit libër të tij. E, sonte kur jam thirrur të dëshmoj si Pjetri, unë s’e mohoj dot se kam vazhduar e vazhdoj ta lexoj e ta interpretoj poezinë e tij, sepse nga libri i parë, Një lutje për njeriun te ky i rishmi, Një dhimbje për vete, ai ka përshkruar një udhë poetike pa e përsëritur asnjëherë veten e duke mbetur çdo herë po vetja, në shkrim sikur edhe në jetë. Prandaj, çdo libër i tij lë shijen e të parit libër.

Ata që e njohin prof. Beqirin, e dinë se autori i letrave, Beqiri, i ngjet Beqirit në jetë: i përkorë në sjellje, por i palëkundur në qëndrime, reagues i rrufeshëm ndonjëherë, por gjithnjë i arsyeshëm, njeri që e thotë fjalën duke ia njohur të gjitha kuptimet e duke ia dhënë shijen e bukës mrume (sikur thoshte Koliqi), duke e prekur thelbin e jetës njerëzore, por me ngjyrat e dashurisë fisnore (të fisme, po ashtu).

Ai, sikur kam nënvizuar për librin pararendës të tij, flet e shkruan çiltërsisht, njerëzisht. Nuk i vë qëllime as mision vetes. Letërsisë aq më pak. Shkruan sepse ndien, sepse asht poet. S’rri dot pa shkruar. Arti i tij është jeta e tij; poezia e tij, përpjekje për dëshmim të vetvetes, njerëzores. Feja e tij: njeriu; grali i kërkuar prej tij: njerëzorja. Kulturorja rri diku në mes. Kaq i thjeshtë e i thellë është vargu i tij.

Ai shkruan për përjetimet e vogla personale, që shndërrohen në përjetime të mëdha universale; bota e tij është ajo e poezisë së tij; më saktësisht: vargu i tij është shpalosje e përjetimeve të tij, një lutje për njeriun, një dhimbë për dështimin e tij, një zhgënjim për krenarinë e tij të rreme; për pështjellimin që e krijon e hutinë që e mbështjell përreth. Ai është artist që e synon lirinë, njerëzoren e kulturoren njëkohshëm.

Vargnimin e ka nisur, sikur nënvizuam, me Lutje për njeriun e ka mbërritur te Dhimbja për veten, si kurorë krijimi e shenjë dëshmimi, edhe e pjekurisë artistike. Prandaj, për ta përshkruar këtë udhëtim poetik të nisur që më 1994, ai zgjedh të trajtojë dhimbën e njeriut, si dhimbë personale e universale njëkohësisht.

Poezive u paraprin një titull-dramë, që buron nga një përplasje e madhe mes botëkuptimeve të autorit e realitetit rrethues: Lum ai që nuk ka më shpresë. Ky titull, që shfaqet si figurë poetike, shpërfaq gjithë botëkuptimin intelektual e ndjeshmërinë autoriale të autorit Beqiri karshi teatrit absurd të qenies njerëzore. Ai rri si kurorë autoriale mbi gjithë poetikën e mëpastajme.

Një dhimbje për vete  autori e strukturon në shtatë tufa poezish (cikle poetike), secili me nga shtatë poezi, për të krijuar paralele kulturore me Zanafillën: shtatë ditët e krijimit të botës sipas rrëfimit biblik.  Po, a nuk është poezia botë në të cilën njeriu gjen përvojën universale?! Ciklet ndjekin rrëfimin biblik për krijimin e botës, duke krijuar paralele të fuqishme mes veprimeve të TinëZotit, Zotit krijues të gjithësisë, e përjetimeve të zotit autor, zotit të qenies.

Nëse ditën e parë Zoti “e krijoi dritën dhe errësirën, e ndau ditën nga nata”, në Dhimbjen për njeriun (lexo: në poezinë e Beqirit), në ciklin e parë, Molla e jetës, njeriu sillet mes të kundërtave të përhershme: gazit e helmit; parajsës e errësirës; botëve të papërkatësi e vetes së humbur; mes hijeve të pafund e vetes që sillet si hije…, pa arritur kurrë ta njohë vetveten.

O njeri i mirë  / hape dritaren / le të hyjnë / drita e terri (Tingëllimë)

Cikli Molla e jetës e shpërfaq në mënyrë dramatike këtë përplasje mes realiteteve të papajtueshme: realitetit të jashtëm e parimeve morale (të përmbledhura në doktrinën personale/të krishterë); mes botës së jashtme e asaj autoriale dhe në fund mes vetë botëve të autorit. Përballë njëri-tjetrit vë lexuesin e autorin (te poezia Prolog); pastaj gazin e helmin; parajsën e errësirën (ferrin); botët e autorit e dy botët që i kundron autori; dyzimin e tij karshi tyre (citoj vargjet: n’lojën e hijeve / hija jote / imazh drite / a vegim) dhe, në fund, jehonën (poezia: Tingëllimë) nga e cila ne dëgjojmë vetëm zërin tonë:

të mos ketë emër / mbi varr shenjë as nishan / vetëm dhé e mall).

ditën e dytë Zoti e krijoi qiellin (kupolën që ndan ujërat). Në ciklin e dytë të poezive të Xhavitit, ndërkaq, që është alteregoja e autorit, kupola që i ndan ujarët është “shiu i hirtë”, që ia mvesh petkun e pangjyrë qytetit, stinës e njeriut:

Kësaj vjeshte / këtij qyteti / këtij shiu… / veç hir s’mund t’i gjesh (Shiu i qytetit të hirtë)

Duke e përballur rrëfimin për botën sipas rrëfimit biblik, me rrëfimin për të këtejbotshmen sipas përjetimit personal (hir-i – e hirta) autori krijon përplasjen konceptuale mes trashëgimisë e mujsharisë; mes kaosit të qiejve (nga e cila krijohen botët) e kaosit tokësor, nga e cila buthtojnë piskamat njerëzore.

Kjo përplasje mes ideales, hirit qiellor e kaosit njerëzor, mes shenjtërisë së qiejve e prapështisë së tokës, krijon dhimbën e pafundme, nga e cila njeriu kërkon të ikën, por âsht e pamundun: jemi të destinuem me jetue brenda kësaj përplasjeje të vazhdueshme. Prandaj, ikja mund të ndodhë vetëm si zgjedhje personale, si kufizim i vetes në raport me botën:

Me ikë / pa e bâ dert me njerí / s’âsht si me hûp  (I ikun)

Shiu që përpin gjithçka nuk mund ta shlyejë, megjithatë, udhën e bâme në jetë, atë nëpër të cilën kemi kalue dhe e cila na mban peng. Prandaj, jemi të detyruem me jetue mes dy botësh: vetes e tjetrit, kujtimit e rrënimit, trashëgimisë që kërkon me u ruejt me çdo kusht e “së resë” që kërkon me e rrënue me çdo kusht po atë trashëgimi, sh’pisë si simbol i identitetit e uturimës që ia lëviz trarët:

Ka marrë n’thue / n’kujtimet e veta / n’kleçkat e sh’pisë  (I ikun)

Duke ndjekur rrëfimin biblik, për të krijuar paralelen e ditës së tretë, kur shfaqet toka e thatë, detet dhe bimësia, në ciklin e tretë të poezive, Vallëzimi i fundit, shfaqet kalbësia, paqëndrueshmëria, tjetërsimi, si antitezë e së parës. Në poezinë Kthimi, paralelja mes ëndrrës e tjetërsimit jepet në një pamje të mahnitshme buxatiane: njeriu i vdekur rikthehet në jetë për të kërkuar veten e panjohur, të mosnjohur.

I drobitun nga errësina e arkivolit / e hapi kapakun dhe doli me shetit nëpër botë

Në të vërtetë, e sheh botën të tjetërsuar: gruan me fustan nusërie, fëmijët e shkujdesun teksa e shpotisnin së vdekuri, prindërit e përhumbun n’ekstazën e harrimit (loja kontrastive është fuqia e vargut të Xhavitit), motrën me qenin leshatok…, dhe… kthehet në botën e qetë të të vdekurve:

Kaq shpejt… mendoi i tronditun / pastaj tha: të vdekunit nuk mendojnë / dhe u kthye…. (Kthimi)

I gozhduem në kryq, i vetëm mes cubash braktisun, jep pamjen e vëllezërve të harlisun për fitoren e tyre, për hatrin e skribëve, dhe i drejtohes Nânës, nânës shejte:

Për cilin u lute / Nânë shéjte / atë pasdite gri (Madona)

Këtë madhështi kontrastive e thekson edhe proza poetike, që i paraprin këtij cikli poezish (të kujtojmë që ndër krijimet më të mira të Xhavitit janë prozat poetike, sidomos ato shtatë të Shën Vjeshtës), pra këtë kundërshti ai e krijon duke vënë përkarshi paralele që shfaqen si ngjyra qiejsh e godasin në dheun e rrëmihur thellë:

nga degët e vjeshtës bien njerëzit e zverdhun / qielli mbushet përnjeherë me gjethe të kuqërremta e me kufoma të zverdhuna… 

Dita e katërt, kur Zoti krijoi diellin, hënën dhe yjet, poetit i jep shpresën e mbijetesës, të moshumbjes përfundimtare, të shpëtimit, të dashurisë, të cilën mëton ta përjetësojë në një protret dashurie (cikli: Portreti i dashurisë). E para që i vjen në ndihmë (sipas poetikës gojore shqiptare, të bartur si trashëgimi shkrimore edhe te Fishta), asht Zâna, paqja me veten, i cili jeton lirshëm, pa ngarkesën e ditëve, pa dhimbë trupi (së paku përkohësisht), pa therje zemre, duke u njëjtësuar me detin e qetë, por…. i shkujdesun:

Ish largue mjaft nga bregu / dhe nuk di a ka me e ndigjue kush / thirrjen e saj   (Zana)

I vetëdijshëm se ky është vetëm çast kalimtar, se profania poetike ka me e tërheq drejt fundit, megjithatë ai nuk dorëzohet, sado viktimë e varur në shpresë, do që të jetë shembull për ata që këmbëngulin të mos dorëzohen:

Një Sizif në paqe / me gurin e me Zeusin / mbërthyer nga dashuria / dhe beteja me vdekjen. (Portreti i dashurisë)

Kjo betejë e zhvendos atë drejt gjykimit të madh: me jetue për me dëshmue. Por, tashmë është e pamundur, dëshmia e tij s’mund të dëgjohet përtej klithmës së vetvetes: për vetveten e tjetrin që është si ne. Prandaj, i dorëzohet fatit. Beteja e tij është ramja e tij, kujtimi ngjallet vetëm si mirazh:

mbështeta kokën / në prehnin e një ândrre / dhe e luta Hyjin / mos me m’zgjue mâ (Mirazh)

Zana që e kishte ftue me i dëftue udhën e paqes mbi botë, tashmë ishte shuar:

I plagosun brofa me habi / Zana engjëll në hí (Mirazh)

Dita e pestë (kur krijohen peshqit dhe shpendët) për poetin tonë është ditë reflektimi, rraskapitja nga përkjekja për të dëshmue për njeriun dhe pushimi i ditëve, si për t’i paraprirë asaj që është fati përmbyllës. Ai merr pamjen e plakës (në një përshkrim rrëqethtës e mahnitës poetik) që rri në pragun e shtëpisë dhe vrojton botën që i rrëshqet përposh pragut:

n’prag t’shpisë rrin menueshëm / dorën plot rrudha vnue n’faqe / shikon detin nga agu n’prarim  (E braktisuna)

Pamja e plakës që pret të birin në pragun e shtëpisë dhe lutja buxatiane: MoseboZo’: një Colombre!, është pamja që heq velin e ditëve, zhvesh çdo përpjekje dhe thur kângën e pushimit, që është kânga e dëshprimit: sot është e diel / dita e kryqëzimit të lutjeve (E diel).

Dita e gjashtë është dita e lumturisë qiellore: sipas Biblës krijohen kafshët tokësore dhe njeriu. Këtë madhështi qiejsh, poeti e zbret në madhështinë e asaj që mbahet si qendra e perëndimit: Romës (cikli: Roma). Në shtatë poezi ai shpërfaq kulturën e njeriut, madhështinë e qenies e mëkatin e trashëguar, si “kryqi” mbi kulturën tonë.

Në ditën e shtatë Zoti pushon nga vepra e krijimit. Po çfarë bën Zoti kur nuk krijon? Pse autori e thyen këtë traditë? Sepse, dëshiron të ballafaqojë urtinë qiellore me lakminë tokësore: pastërtinë e qiejve me përroin e pasioneve tokësore. Prandaj, sikur vë në sprovë njeriun para madhështisë së Zotit e pengut të vet: të qenët i adhuruar. Poeti ia krijon këtë mundësi, në ditën e shtatë, që është dita e sprovës, dita e krijimit të rremë:

shenjtor… i ftohtë si morgu (Njeriu i kohës).

Adhurimi, shenjtëria që e kërkon për vete janë të përkohshme… tejsa t’i kthehet në paqe dheut, në të sosun të kohës (Njeriu e koha). Dita e shtatë e tij është dita krenisë së tij të rreme, e përhumbjes përfundimtare, kur sprova ndaj Zotit krijues bahet sprovë për të përligjur dredhinë e vet të përjetshme (ngjizur qysh në Zanafillë): njeriu i përngjashëm me Krijuesin është veç një i gjykuar në fronin e krenísë (Njeriu).

Këtej buron gjithë dhimbja e madhe e poetit për veten (kupto: për njeriun), për sprovën e tij të rreme, për madhështinë e kujtueme, për andrrën që t’i përpijë qiejt, kur koha asht kurdisun nga tjetërkush. Jo rastësisht, libri përmbyllet pikërisht me vargjet: Koha doli nga fjala e para fjalës nuk ishte asgjë. Nga koha doli njeriu e njeriu lindi ferrin, purgatorin e parajsën! Hyji mbeti i shtangur e tha: Kthehu fjalë nga dole!

 

Si përfundim:

Ky vëllim është sintezë pjekurie artistike e model xhavitian komunikimi nëpërmjet poezisë, artit; dhimbja është dialog me trajtat e njeriut, që pështillet në vorbullën e vet, pa e gjetur kurrë fillin e vërtetë të dinjitetit human e të vlerave të njëmendëta.

Dhimbje për vete. Figurë e praruar; një lloj vetëshkishërimi, vetëpërjashtimi, distancimi. Dhimbja si akt më i lartë i refuzimit, pjesëmarrjes, pranimit. Çfarë ngjet përreth e lëndon botën e poetit, ngjall reagimin e tij…, por ky reagim mbetet brenda tij, si dhimbë e përhershme. Ai refuzon të marrë pjesë… dhimbja ia përthekon ndjesitë artistike e kuptimësitë intelektuale. Është qëndrimi ndaj botës së këtejme. Karshi saj, Beqiri krijon pozicion të fortë (sikur e dinë të gjithë ata që e njohin mirë autorin): asgjë që ndodh s’më përket. Rrjedhimisht, asgjë s’më entuziazmon, asgjë s’më dëshpëron. Jetoj në botën e idealeve të mia, të ideve të mia, të përkatësisë që shkon përtej realitetit… ai rri vetëm, por rri lart, aq lart sa s’mund të preket, aq sa as jehona e dhimbjes së tij nuk dëgjohet aty poshtë, ajo përjetohet si jehonë e artikulohet si psherëtimë… i përket autorit, është dhimba e tij, paqja e tij, dashuria e tij… për tjetrin, për njeriun./drita.info

 

(Kumtesë në promovimin e librit në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, më 25 qershor 2026)

Shpëndaje: