EDUKIMI I EGOS

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

 Shpesh na ndodhe të dëgjojmë termin ego, egoizëm, duke thënë ai \ajo ka ego të fortë është plot ego që i referohet personit egoist. Por jo gjithmonë ky term është e qartë dhe i kuptueshme. Ego është një termë që përdoret në psikologji, e  personi i parë që i dha zë është babai i psikologjis Zigmund Frojd e gjithashtu edhe psikologë të tjerë.

Në psikologji, thuhet se ego është një strukturë komplekse e personalitetit të njeriut, që drejton mënyrën e të sjellit, të menduarit  dhe të emocioneve. Sigurisht, që kjo strukturë fillon të formohet, të ndërtohet dhe të edukohet  që në fëmijëri, kur truri zhvillohet nga pikëpamja njohëse në bazë të mësimeve, sjelljeve të të rriturve. Me një fjalë ego është pjesë e pandashme e personalitetit të njeriut, është ajo pjesë që lidhë botën e brendshme me të jashtmen. Kështu që, ajo përfaqëson përvojën subjektive, identitetin personal dhe maskën që ne ja paraqesim botës. Pra, është aspekti i vetës tonë me të cilin jemi më të njohur dhe që bashkon mendimet, kujtimet dhe perceptimet tona. Ego është një lloj veshje me të cilën identifikohemi aq shumë sa besojmë se jemi të tillë. Është ajo ndjesia e superioritetit dhe sigurisë që shkon përtej vetëbesimit dhe talentit. Sa here na ndodhë të themi apo përkufizojmë vetën unë jam i bukur, inteligjent, i shkathet, jam grua, jam burrë, jam  katolik, mysliman, ortodoks, protestant, atdhetar, patriot e shume të tjera do të thotë se jemi duke i  dhënë hapësirë egos dhe është ego që flet.

Megjithatë, që të  mos keqkuptohemi nuk do të thotë që ne nuk duhet ta vlerësojmë vetën apo të mos  ndihemi mirë për atë çfarë jemi, për atë çfarë kemi dhe se cilit besimi i përkasim. Por ajo që kërkohet është që të mos e fryjmë egon tonë me ndjenjën e superioritetit, mirëpo të flasin dëshmitë, sjelljet tona se kush jemi në realitet dhe kujt i përkasim. Të flasim dhe ta paraqesim veten me modesti dhe përulësi. “Kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.” (Mt 23,12) Fryrja e egos është shkatërrim për personin e ashtu edhe për rrethin  shoqëror. Kjo pengon në njohjen dhe pranimin real të  vetës. Vetëm duke u çliruar nga identifikimi i egos dhe duke treguar vetën me përulësi ne do e kuptojmë se kush jemi në të vërtet.

Siç është u tha më sipër, ego është një pjesë e vogël, e pandashme e  personalitetit të njeriut dhe nuk mund të hiqet, mirëpo ajo që na mbetet dhe na kërkohet ne është që ta njohim dhe ta edukojmë atë. Sigurisht, që nuk është një çështje e lehtë, sepse ka tendenca të përçmoj realitetin dhe preferon vlerësimin e vetës në mënyrë jo reale. Por kjo mund të arrihet apo të bëhet me vetëdije, qëndrueshmëri dhe përulësi. Pra të bëjmë kujdes se  ego është armiku më i keq i vetvetes, ka nevojë për qëllime që të ndihet i vlerësuar. Na thotë se jemi të pamposhtur kemi forcë të pakufishme e cila nuk do të pakësohet kurrë. Shkakton shpesh përplasje dhe na pengon të përmirësohemi. Ego sheh vetëm atë që është e mirë jo atë që është e gabuar. Ego na pengon të njohim vetën, na pengon në arritjet e qëllimeve është dëmtues i shëndetit dhe i lumturisë.

 

Si ta kuptojmë se kemi të bëjmë me një ego të fyer dhe të pa edukuar?

Sigurisht se ego manifestohet në shumë forma, nuk kërkon ndonjë filozofi të thellë për ta njohur, sepse personi i tillë dallohet shumë shpejtë dhe lehtë. Zakonisht personi shpesh luan rolin e viktimës, ndoshta kjo mund të ju duket pak sa e çuditshme por e bënë  këtë sepse do vëmendje. Shpesh është gjykues, ankues për çdo gjë sidomos për gjërat që kanë të bëjnë me të. Ankohet vazhdimisht për shëndetin, sa që është ne gjendje edhe të shpik sëmundje vetëm e vetëm të merr vëmendje. Shfaq një konkurrencë të theksuar. Nuk ka guximin të ballafaqohet me tjetrin nëse e kërkon nevojë, por mundohet ta përshkallëzoj tensionin. Nuk përballet me situatat, gjithmonë i shtynë për më vonë.

Personi me ego të fryrë dhe të paedukuar, kënaqët vetëm me atë që ai/ajo ka bërë dhe bënë. Vlerëson vetëm gjërat e jashtme. Mendon se aktiviteti, fotot që shfaq në ekran në rrejtët sociale janë gjithçka. Shpesh luan rolin e shpëtimtarit sikur është duke i “shpëtuar të tjerët” e gjithë kjo bëhet për të përfituar vetë. Pretendon se di se çfarë mendojnë të tjerët, dhe se çfarë do të ndodhë. Është person lakmitar dhe nga lakmia e tepërt i shfrytëzon të tjerët. Nuk e ka fare problem të tradhtoj si parterin, familjen, miqtë, kolegët etj. Gjithashtu, nuk e ka problem t’i lëndojë ata që e duan, apo ata që mendon se i don. Kërkon nderime dhe mendon se gjithçka dhe gjithkush duhet të sillet rreth atij/asaj.

Në evente të ndryshme preferon të shkojë i fundit që të bie në sy sepse ka frikë se nuk vërehet nëse shkon më parë se të tjerët. Ka një mendje të errët, shfaq mungesë largpamësie. Shfaq reagime të pasinqerta të shkëputura nga realiteti. Si stil jete ka gënjeshtrën, manipulimin sjelljen sipërfaqësore dhe dyfytyrshëm. Përçmon realitetin dhe mbivlerëson vetën, e në çdo gjë mundohet ta manifestoj vetën. Është armiqësor dhe përdor kryeneçësinë. Është mendjemadh/e, arrogant/e, harron shpejtë mirësinë e tjetrit, mundohet të përdorë shumë mekanizma mbrojtës. Mendon se është duke ja hedhur tjetrit dhe tjetri nuk është duke e kuptuar.

Gjithashtu e ka të vështir të krijoj marrëdhënie të gjata të shëndosha dhe të sinqerta. Sepse ja mbush mendjen vetës se jam i/e mrekullueshëm, i/e përkryer, gjenial/e, etj. Has shumë vështirësi në komunikim. E ka shumë problem ta njoh vetën dhe ta pranojnë vetën ashtu si është. Është dominues/e, pretendon të kontrollojë gjithçka dhe gjithkënd. Ushtron pushtet mbi të tjerët. Ka vështirësi në bashkëpunim, e ka të vështirë pranimin e mendimit ndryshe. Shpërfill tjetrin, është i përqendruar vetëm tek vetja. Nuk ndjen kënaqësi në dhënie por në marrje. Zakonisht tjetrin e shikon nga këndvështrimi se çka mund të përfitojë prej tij/saj nuk shfaq interesim për nevojat e të tjerëve dhe nuk ka respekt për dinjitetin dhe integritetin e tyre. Nuk  arrin të do me të vërtet vetën e as të tjerët. Kjo mungesë e dashurisë dhe kujdesi për vetën që është një shprehje e joproduktivitetit të tij e lë atë të zbrazët dhe të furstruar. Është person i palumtur dh i shqetësuar, ankthioz. Por, gjithë këtë mundohet ta mbulojë me një buzëqeshje falco, që vërehet nga larg. Shpesh mendon se është duke u kujdesur për vetën, që në të vërtetë bënë vetëm orvatje të pasuksesshme të fshehjes dhe kompensimet të mossuksesit për kujdesin e unit të tij real.

Pra, siç e shohim, ka shumë gjëra që tregojnë se kemi të bëjmë me një ego të pa formuar dhe të pa edukuar. Ndoshta janë gjëra qe nuk i kemi menduar ndonjëherë, që kanë të bëjnë me egon por tani pasi e dimë duhet të punojmë rrethe kësaj dhe ta edukojmë këtë pjesë. Kuptuam se ego e lë personin të papërgatitur dhe bëhet pengës në shumë gjëra. E pengon atë të përmirësohet dhe gjithashtu pengon suksesin e vërtetë. Mbi të gjitha, ego është armiku i ndërtimit, mirëmbajtjes dhe rimëkëmbjes. Është e keqja më e madhe e vetvetes. E gjithë kjo ndodhë kur ndërgjegjja e personit është e fjetur. Për këtë kërkohet kujdes. sepse ego na thotë se jemi të pamposhtur kemi forcë të pakufishme, e cila nuk do të pakësohet kurrë.  Por kërkohet kujdes nga këto fryrje. Ego na pengon të njohim vetën, na pengon në arritjet e qëllimeve është dëmtues i shëndetit dhe i lumturisë. Ajo që duhet kuptuar është se nëse i japim hapësirë dhe nuk e edukojmë atë atëherë do të mbetemi shumë të varfër në të gjitha aspektet.

Pra, ego i referohet një ndjesie të ekzagjeruar të rëndësisë së vetës, që rezulton me një preokupim të tepruar të vetës. E një ndjenjë e fryrë ndaj vetës sigurisht se është shkatërruese, sepse e bllokon personin dhe nuk e lejon të shohë të bukurën dhe të mirën që ofron realiteti por errëson mendjen mu atëherë kur duhet të shkëlqej. Letra e drejtuar Filipianeve na fton: “Jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbajeni njëri-tjetrin më të madh se vetën. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve”. (Fil 2,2-4) “Mos lejo të të mund e keqja, por ngadhënje mbi të keqen me vepra të mira!” (Rom 12, 21). Kjo është një ftesë për të gjithë e cila na ndihmon të jetojmë në paqe me vetën dhe tjetrin. Sigurisht që Bibla nuk flet direkt për egon por na jep mësime dhe modele të jetës që të mos jetojmë vetëm sipas egos dhe të mos aspirojmë e të mos bëjmë zgjidhje duke u bazuar tek ego.

Pra  ajo që varet nga ne është, t’i japim më shumë përparësi ndërgjegjes, zemrës dhe  veprave të mira e më pak hapësirë egos. Të kapërcehen vështirësitë duke e pranuar realitetin me urti, maturi dhe me përulësi. Sepse vendosmëria, përulësia, vetëdija dhe pranimi i realitetit përbejnë kurën ndaj kësaj sëmundje. Po ashtu edhe vendosmëria, vetëpërmbajtja, mendja e hapur janë elemente stabilizuese dhe themelor që e zhveshin egon nga rëndësia. Kështu që të  mbështjellësh egon me pranin e vetëdijshme do të thotë të shkaktosh një proces të fuqishëm zgjimi dhe vetëshërimi.

Luftojeni egon duke njohur dhe pranuar vetën reale e mos jetoni në atë ideale./drita.info

 

———————————

Referenca

Ryan Holiday, Ego is the enemy, Portofolio\Penguin US of Amerika, 2016.

Mary Gregorz, Ego\ Get over yourself and lead, Rethink Press, England, 2020.

Erich Fromm, Njeriu për vete, Phornix, Tiranë, 2003.

Shpëndaje: