I Matanshmi në mesin e jetës sonë (Ps 139)

O Zot, ti më shqyrton dhe me njeh,

ti di kur rri e kur ngrihem,

prej së largu i njeh mendimet e mia.

Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,

ti i di të gjitha udhët e mia.

Pa më ardhur ende fjala në majtë të gjuhës,

dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!

Përpara e pas, ti, o Zot, më rrethon,

ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.

E mrekullueshme është dija jote për mua,

tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij. (rr. 1-6).

Zoti vërtet më njeh. Çfarë do të thotë kjo? Kur them se personin tjetër e njoh, shpesh kjo është një njohje sipërfaqësore. Jemi të prirë t’i vëmë njerëzit në kategori: ai është konservativ apo progresiv; ai është i thellë apo sipërfaqësor; ai është i dëshpëruar dhe i indinjuar apo i gëzueshëm dhe optimist. Kur tjetrit i kemi ngjitur etiketa të mjaftueshme, themi lehtë se për të di gjithçka. Në fakt, nuk e kemi prekur zemrën e atij personi. Psalmisti thotë se Zoti më njeh ashtu siç jam, pa etiketa, pa kategori. Katekizmi i ri e shpreh këtë mirë: “Sepse mua prindërit nuk kanë mundur të më dëshirojnë. Në rastin më të mirë, ata kanë dashur një djalë apo një vajzë. Mua më ka dashur vetëm Zoti.”[1] “Emri” në hebraisht tregon atë çfarë një person e bën të papërsëritshëm. Kur një hebre thotë se e di emrin e një personi, ai në fakt thotë: “Unë e njoh atë person ashtu siç e njeh burri gruan e vet”. Ne, asnjëherë nuk do të mund t’ia dimë emrin një personi nëse nuk e duam në të vërtetë. Fakti se Zoti e njeh emrin tim, kjo nënkupton se Zoti më do:

Mos u tremb se unë të shpërbleva,

e të thirra me emrin tënd,

ti je i imi!

Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi,

dhe i lëvizshëm; unë të dua… (Is 43, 1.4).

Në botë ka më shumë se shtatë miliard njerëz, megjithatë as dy mes vete nuk janë identik. Te Zoti nuk ka prodhim masiv. Edhe pse secili person është ndryshe, Zoti secilit mund t’ia vendos figurën e vet e mos të përsëritet. Kjo është pasuria e Zotit. Çdo qenie njerëzore është një prototip – i pari dhe i fundit në rend. Zoti është në çdo individ. Ai vetveten e ka vendos në secilin prej nesh. Shën Augustini klith:

Vonë të kam dashur, o e Bukura aq e lashtë e aq e re, vonë të kam dashur! E pra, ti ishe në mua, e unë jashtë vetes, të kërkoja këtu i zhytur, unë i shëmtuari, në format e bukura të krijesave të tua. Ti ishe me mua e unë nuk isha me ty. I mbaja larg krijesat e tua, që, po të mos ekzistoje ti, ato nuk do të ekzistonin fare. Ti më ke thirrur dhe brima jete ka çarë shurdhërinë time; ke lëshuar vetëtimë e drita jote e ke larguar verbërinë time; ti ke zbraz erëmirë, e unë e kam përthitë atë dhe tani lartësohem drejt teje; të kam shijuar prandaj kam etje dhe uri për ty; më kë prekur e unë tani digjem për paqen tënde.[2]

Gjithkund e kërkonte Zotin, e Zoti ishte aq afër, në qendër të zemrës së tij. Shën Pali thotë: “Ai nuk është larg asnjërit prej nesh. Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi.” (Vap 17, 27-28a). Që unë të mund të jam unë, e falënderoj Zotin, sepse ai është burimi i qenësisë, ekzistencës sime. Nëse iki nga ai apo nuk i besoj, atëherë nuk jam më unë. Larg teje, jeta nuk është jetë. Të mos besosh në ty, do të thotë të mos jesh askush (khs. Ps 73, 27). Para kujt apo prej nga unë iki? Problem nuk është Zoti: “Zotin e kam më afër se vetveten” (Shën Augustini); nuk ka ndonjë tension ndërmjet Zotit dhe meje. Thyerja është në veten time. Anoj nga ajo që Zotin ta shikojë si një kërcënim, sikur dikë që do të më s’maskoj dhe do të më përçmoj; porse këto janë koncepte të gabuara. Zoti është burim i jetës. Ai dëshiron që unë të jetoj, të rritem dhe të arrij plotësinë. Unë jam për veten time kërcënim. Shpesh e mashtroj veten. Sikur Shën Pali thoshte “nuk bëj çka dëshiroj, por, përkundrazi, bëj çka urrej.” (Rom 7, 15). Në të gjitha këto momente Zoti gjithmonë është në anën e “unit” tim të vërtetë, kurse unë jo. Ai është besnik. Ai është më afër meje se sa unë jam për vetën time. Ai është besnik. Bonhoeffer e quan “I Matanshmi në mesin e jetës sonë”.[3] Asnjëherë nuk mund ta mas misterin e personit të tij; me fjalë të tjera, ky është karakteri paradoksal i çdo lutjeje, nëpërmjet të cilës i flas tjetrit, me të cilin s’mund të flas, sepse ai nuk është diçka, të cilës ia drejtoj lutjen, e prej të cilit asgjë nuk mund të lypësh, sepse ai jep ose nuk jep para se ta lutësh; është ajo ku i thuhet dikujt “Ti”, që për “Unin” tim është më afër se unë vet.[4] Zoti është “më shumë” imanent, i këtushëm se sa unë në veten time. Kjo “më shumë”, ky plus i këtushëmt, kjo është e matanshmja e tij (përtejësimi i tij). Që ai të jetë më besnik, më i afërt se sa unë në veten time, kjo është hyjnore, kjo është e matanshmja Hyjnore. Kjo tregon se ai është më i madhe se unë. Duhet t’i përkulem. Ai për mua nuk është kërcënim, por siguri se mund të jam ai që jam.

Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd,

ku të iki prej pranisë sate?

Nëse ngjitem në qiell, ti atje je,

nëse zbresë në Nëntokë, edhe aty je.

Po t’i marr krahët e agimit

e të shkoj të banoj në skajin e detit,

edhe atje dora jote do të më përcjellë

e do të më mbajë e djathta jote.

Në thënça: “Le të më mbulojë së paku errësira

edhe drita natë le të bëhet mbi mua!”

Por as terri s’është aspak terr për ty

edhe nata është si dritë e ndritshme –

për ty errësira është porsi drita! (rr. 7-12).

Nuk mund të fshihemi prej Zotit ose të ikim prej tij. “Po t’i marr krahët e agimit” (rr. 9), Zoti është përherë atje. Nganjëherë prania e Zotit shfaqet sikur diçka që ta shti frikën, p.sh. te libri i Jobit thuhet: “Ç’është njeriu që ta madhërosh? Pse ndopak në të e mbështet zemrën? Ta shqyrtosh për çdo mëngjes, ta mbash në vërejtje ore e ças? Kur prej meje do të shmangësh shikimin tënd? S’më le as pështymën ta përpij! (Jb 7, 17-19). Jobi e ndjen se Zoti përherë po e vështron dhe kjo e shqetëson. Këtu është e përshkruar koha e vetmuar e jetës së Jobit. Në fund të librit ai do t’i kthehet fesë së vërtetë dhe ngushëllimit të tij. Psalmisti flet për Zotin si është ai në të vërtetë. Se prania e Zotit është gjithëpërfshirëse, kjo nuk e tmerron, përkundrazi, ajo ja jep sigurinë: “Kudo që të shkoj, Zoti është aty”. Ky psalm nganjëherë është përdorë në katekezë si mjet i frikës. Zoti paraqitet si me sy vëzhgues dhe gisht paralajmërues. Çfarë shtrembërimi! Sartre shkruan në autobiografinë e tij “Les Mots” mbi përvojën djaloshare, i cili mbi vete bartë embrionin e pasojave të paparashikueshme. Gjatë një shakaje naive e kupton qartë: Zoti më shikon. Kjo aq shumë e ka tmerruar sa që në atë çast ka përzgjedhur lirisht dhe ka mallkuar Zotin. Më vonë do ta pranon se ai dhe Zoti pa këtë mosmarrëveshje do t’ia kishin dal për së mbari. Zoti ka shërbyer si ndihmë në nevojë. Aty ku ka dështuar edukimi, atë që tek djaloshi nuk kanë mund të arrijnë prindërit dhe mësuesit, është përdorur Zoti si një vazhdimësi e edukimit. Kjo mënyrë është jo biblike dhe shohim pasoja fatale tek njeriu, p.sh. te Sartre. Zoti i vërtetë është burim i jetës, dhe nëse prania e Zotit paraqitet gjithëpërfshirëse, kjo do të duhej të jetë burim gëzimi. Të gëzuar, sepse ndjehemi të sigurt, që çfarëdo bëjmë, dora e Zotit na mban. Në këtë mënyrë Jezusi e ka jetuar jetën e vet. Ai gjithkund e ka parë Atin, jo si një vëzhgues, por si Atë – atë që i do dhe kujdeset për të gjitha nevojat e tija:

Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? E kush prej jush me gjithë përpjekje shqetësuese që të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër qitet në furrë, vallë, a nuk do t’ju vesh më me ëndje ju, o besimpakët? (Mt 6, 25-30).

Prania e Zotit nuk lejon që të ketë vend shqetësimi në jetën time. Kjo prani nuk më frikëson, por më mbush me paqe, me atë ndjenjë sigurie, e cila e përcjell fenë e vërtetë:

Ti je ai që m’i krijove veshkat,

ti më ke endur në kraharorin e nënës!

Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,

të mrekullueshme janë veprat e tua,

po, shpirti im mirë e di!

Eshtrat e mi nuk mbeten të fshehur

kur unë trajtohesha në fshehtësi

i endur në thellësitë e nëntokës.

Ende të patrajtuar më panë sytë e tu,

në librin tënd ishin shkruar

të gjitha ditët:

ishin të njehura megjithëse asnjë

s’ishte ende prej tyre.

Tepër të çmueshme janë për mua,

i Hyj mendimet e tua,

e panumërueshme është shuma e tyre!

Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra!

Po t’ju dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti! (rr. 13-18)

Kujdesi i provanisë së Zotit na shfaqet qartë që në mrekullinë e çdo ngjizjeje/lindjeje. Çdo fëmijë i porsalindur na e tregon kujdesin e madh dhe vëmendjen me të cilën Zoti kujdeset për ne. Më krijove mrekullisht, klith psalmisti. Duhet ta falënderoj Zotin për atë që jam. Njohuria e tij është njohuri krijuese. Zoti nuk më njeh sepse unë ekzistoj, por unë jam, ekzistoj, sepse Ai më njeh. Shën Augustini e tregon të njëjtën të vërtetë me terme dashurie, që në Zotin janë identik me njohjen: “Zoti na bënë të denjë për dashuri, sepse Ai na donë.” Kjo njohje krijuese plotë dashuri, është realiteti i tashëm.

Zoti, në këtë çast, na njeh dhe na do. Ai, që është themeli më i thellë i ekzistencës, nuk është realitet statik, as diçka amorfe, por më tepër dinamik, krijim i përhershëm që jep jetë. Ky është misteri që e bartim në vetën tonë. Kjo është mrekullia e Unit tim. Shkrimi i Shenjtë nuk e neglizhon vlefshmërinë time personale. Përkundrazi, Zbulimi i Krishterë tregon nderim të madh e të fuqishëm për dinjitetin e njeriut. Secili prej nesh mund t’i bashkohet Marisë kur këndon: “Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm” (Lk 1, 49). Është mirë ta falënderojmë Zotin për të gjitha ato që ka bërë për mua. Në këtë lutje falënderimi përthellohet marrëdhënia ime me Zotin dhe rritet ndjenja për misterin (“mysterion” ashtu si e ka quajtur Kisha e parë). Ky qëndrim i përbashkët dalëngadalë do ta formësojë botëkuptimin dhe sjelljen time. Jeta e lutjes që do ta neglizhonte këtë ndjenjë, mrekullisht do bëhet e ngurtë dhe më pak ushqyes se sa qasja biblike e psalmistit: “Bekoje, shpirti im Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija” (Ps 103, 2). Vetëvlerësimi i parë i njeriut përfshin pranimin e varshmërisë ndaj Zotit: punë të mëdha ka bërë për mua. Dinjiteti i vërtetë i vetëvlerësimit tim është dinjiteti i pranuar. Kjo nuk më bën më pak të vlefshëm. Kjo vetëdije e burimit hyjnor e bën edhe më të çmueshme dhe më të besueshme. Në këtë varësi flenë një paqe e thellë, paqe që nuk mund ta jep bota.

Oh! Sikur Hyji t’i zhbinte mëkatarët!

Largohuni prej meje, o njerëz gjakatarë!

Ata flasin kundër teje me dredhi:

më kot e lartësojnë veten kundër teje.

A të mos i urrej, o Zot, ata që të urrejnë ty?

A mos t’i përbuz ata që ngrihen kundër teje?

Unë i urrej me urrejtje të madhe

dhe i mbaj për armiq të mi.

Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time,

më sprovo e njihi shtigjet e mia

e shiko në mos ka në mua udhë kotësie

dhe më kthe në udhën e amshueshme. (rr. 19-24).

Ekziston rreziku i autonomisë së shtrembëruar, rreziku që të shkëputem nga rrënjët. Në secilin prej nesh diçka rebelohet kundër misterit hyjnor duke na premtuar se: “Do të bëheni porsi Hyji” (Zan 3, 5). Edhe pse Zoti është më afër se sa unë jam për veten time, megjithatë ekziston një mundësi e rrezikshme që të ikim prej Zotit, me çmimin e ikjes nga vetvetja. Në pjesën e parë të psalmit, i gëzohem të vërtetës së Zoti vjen me mua në të gjitha udhët dhe shtigjet e mia, tani duhet të pranoj se këtë shpesh e mohoj. Përpara këndoja me psalmistin mbi njohjen e mrekullueshme të Zotit të mendimeve dhe veprave të mia, kurse tani e kam të qartë se ai gjithashtu e njeh edhe humnerën që ekziston ndërmjet neve dyve. Ndoshta pavetëdijshëm, por realisht, unë jam zoti im, jo aq në teori sa në praktikë, në jetën reale; sepse në momentin kur Zoti nuk është gjithçka për mua, ai nuk është asgjë. Jam në tundim t’ju shërbej dy zotërinjve, madje vendin e Zotit në jetën time ta ndaj me dikë apo me diçka tjetër. Kjo mjafton për ta mohuar. Idhujt nuk janë fenomene të kohërave të kaluara dhe kulturave primitive. Edhe ne i kemiidhujt tanë, , po ashtu, jo të bërë prej druri, por “në” diçka e njëkohësisht sfidues dhe të pamposhtur. Nuk e përfundon kot Shën Gjoni letrën e vet – kur e thekson fort dashurinë e Zotit ndaj nesh e dashurin reciproke – kur thotë: “Fëmijëzit e mi, ruani veten prej idhujve!” (1 Gjn 5, 21).  Idhujtaria shkakton thatësi dhe vuajtje mua dhe të tjerëve. Kjo është e pavërteta themelore. Është mohimi i asaj thellësie të pakufishme të ekzistencës sime. Ndonëse nuk mund ta kuptoj në plotësi misterin e jetës sime, megjithatë në sajë të dhuratës së Zbulimit e pranoj “të Matanshmin në jetën time”. Në fund të këtij psalmi madhështor, psalmisti thotë se nuk i frikësohet Zotit por vetvetes dhe mundësive që fshihen në të, që në veten e tij dhe në botë të mos e shkatërrojë misterin e Zotit. Me përvujtëri dhe me shpresë lutu: “Shiko në mos ka në mua udhë kotësie dhe më kthe në udhën e amshueshme!” (Ps 139, 24)./drita.info

(Pjesë nga libri: Piet Van Breemen, As bread that is broken, Dimension Books, Inc., Denville, New Jersey, 1974, f. 17-25. Përktheu: Fatmir Koliqi)

 

———————————————————

[1] A New Catechism: Catholic Faith for Adults, trans. Kevin Smyth (New York: Herder and Herder, 1967), 382.

[2] Rrëfimet, Libri X, kapitulli 27.

[3] Dietrich Bonhoeffer, Letters and Papers from Prison, edit. by Eberhard Bethge, rev. ed. (New York: The Macmillan Company, 1967), 155.

[4] Paul Tillich, The Courage To Be (New Haven: Yale University Press, 1952), 187.

Shpëndaje: