Nga Don Lush GJERGJI
Historiku i shkurtë i festës së të Gjithë Shenjtërve
Emërimi teknik latin është ky: Sollemnitas Omnium Sanctorum – Kremtimi i të Gjithë Shenjtërve, që vijon me Kujtimin e të Gjithë të Vdekurve – Commemoratio Omnium defunctorum.
Për t’i kuptuar dhe përjetuar sa më mirë këto ditë dhe përkujtime, duhet ta njohim për së afërmi historikun e tyre, si dhe domethënien e dikurshme dhe të sotme. Përkujtimi i martirëve ka filluar mjaft herët, që nga shekulli i IV pas Krishtit, si festë e përbashkët dhe publike për të krishterët, sidomos pas Ediktit të Milanos (313), të Kostantinit të Madh, i cili ia dha të krishterëve lirinë fetare. Në këtë histori të gjatë dhe shumë domethënëse për jetën e krishterë, së pari përmendet Antiokia, e diela e parë pas Rrëshajëve. Për këtë festë kishte shkruar së pari Shën Efremi i Sirisë në vitin 373, më vonë edhe Shën Gjon Gojarti, që në vitin 407.
Kjo festë mund të ndërlidhet po ashtu edhe me përkujtimin e Shën Marisë së Martirëve, apo Zojës së Dhimbëshme, sidomos me shndërrimin e tempullit pagan Pantheon, në Kishën e Zojës, që kishte ndodhur më 13 maj 609, nga Papa Bonifaci IV.
Më vonë Papa Gregori III (731-741) e kishte caktuar 1 nëntorin, kur ishte shuguruar kapela në Shën Pjetër, në nder të relikteve të apostujve dhe martirëve, por edhe të gjithë atyre që pushonin në paqe në Zotin.
Kuptimi teologjik
Vepra e Jezu Krishtit, Shëlbuesit të botës, ka ndërruar historinë e njeriut dhe të mbarë njerëzimit. Pasojat dhe mundësitë e para të këtij ndryshimi, hetohen dhe dëshmohen te martirët, të cilët vullnetarisht, me fe dhe dashuri, i bashkëngjiten vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, si dhe të shenjtërve, që e kanë mundur mëkatin dhe vdekjen dhe janë shenjtëruar – kanë kaluar në amshim. Prandaj martirët dhe shenjtërit janë shembull, model, dëshmi konkrete që edhe ne sot, kudo në çdo kohë, mund të jemi nxënës, dëshmitarë të këtij ndërrimi, kuptohet, me hirin dhe ndihmën e Zotit, të Kishës, jetës sakramentale, por edhe me bashkëpunimin tonë.
Bashkësia e Shenjtërve, është familja e madhe e cila ndërmjetëson dhe na prinë në amshim, nga çdo kohë, moshë, gjini, pozitë shoqërore, me një emërtim të përbashkët: në Krishtin janë modeluar, Atij i kanë përngjarë në jetë dhe në vdekje, si dhe në amshimin e lumtur.
Kjo bashkësi e Shenjtërve na mundëson dy gjëra të rëndësishme:
- Bashkimin me Zotin dhe me Kishën – sakramente;
- Bashkimin me njerëz të shenjtë, si përkrahës dhe ndërmjetësues për ne.
Prandaj, çdo i krishterë duhet të vetëdijesohet se jemi të ftuar dhe të dërguar për shenjtëri. Këtë e thotë dhe kërkon vetë Jezu Krishti: “Jini, pra, të përkryer siç është edhe i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell” (Mt 5, 48).
Koncili II i Vatikanit, kushtetuta dogmatike “Lumen Gentium” – Drita e botës, thotë se të shenjtëruarit e kohëve, moshave, detyrave, aftësive, i afron dhe bashkon Shpirti Shenjt, i “cili ata i ka frymëzuar dhe lëvizur në jetën e krishterë” (LG 41).
Prandaj edhe ne duhet të jemi nën ndikimin e Shpirtit Shenjt për të jetuar dhe dëshmuar krishterimin tonë.
Papa Françesku thotë: “Shenjtërit nuk janë super – njerëz, njerëz të përsosur, por janë si ne, si çdonjëri prej nesh, persona që, para se ta mbërrinin Mbretërinë e Hyjit, kanë pasur një jetë normale, me gëzime dhe pikëllime, lodhje dhe shpresa. Kur e kanë njohur Dashurinë e Zotit, kanë përjetuar dhe jetësuar atë me gjithë zemër, pa parakushte dhe dyfytyrësi. Ata e kanë harxhuar jetën e tyre në dobi të të tjerëve, kanë bartë kundërshtimet dhe kryqet, pa ndonjë urrejtje dhe pa e kthye të keqen me të keqe, duke përhapur rreth vetes gëzim dhe paqe…”
Shën Nëna Tereze thotë: “Hapi i parë kah shenjtëria është dëshira për t’u shenjtëruar. Të gjithë jemi të krijuar për t’u shenjtëruar.”
Të ftuar në shenjtëri – përsosmëri
Jezusi e kishte një pyetje tejet të rëndësishme, jetësore, për shumëçka edhe vendimtare për Pjetrin, pas dobësisë dhe mohimit të tij të trefishtë, si një lloj vetëdijesimi dhe “kontrollimi” të gjendjes së tij shpirtërore.
“Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta? (Gjn 21, 15).
Këtë pyetje ia bëri Jezusi i ngjallur Simon Pjetrit, pasi ishtë dëftuar herën e tretë (Khs. Gjn 21, 14), dhe para se atij t’ia besonte misionin dhe dërgimin tejet të rendësishëm, si shtyllës, themelit, kryeapostullit të mbarë Kishës. Ai me këtë dëshironte edhe një here ta “vërtetonte” dashurinë e tij.
Jezusi e njeh fort mirë zemrën bujare të Pjetrit, ngutësinë e tij, shpesh edhe frikën dhe mohimin e tij, dhe me këtë mënyrë dëshironte ta binte deri te bindja, njohja, pranimi i dobësisë së tij, për ta përforcuar vullnetin e tij tejet të luhatshëm, që të depërtonte deri te zemra e tij.
Ja metodologjia e mrekullueshme e Jezu Krishtit:
- Dobësia, që duhet të shkaktojë dorëzimin para Zotit, mëshirës dhe faljes së tij të madhe;
- Vullneti i mirë i Pjetrit, që nuk mjafton, sepse në rrethana të rrezikimit dhe sprovës, mund të luhatet, dobësohet, nëse mbështet në vetvete dhe në premtime tejet të guximshe, por të kota, e jo në Zotin. “Zotëri – tha Pjetri – jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje” (Lk 22, 33). Jezusi e qortoi haptazi duke i thenë: “Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndoj gjeli, para se ti të më mohosh tri herë se më njeh!” (Lk 22, 34).
- Zemra e penduar është shprehje dashurie dhe si e tillë e “prek” zemrën e Zotit, kërkon dhe fiton falje dhe pajtim.
Këtë e bëri Jezusi me pyetje të trefishtë, si dhe me përgjigjen e trefishtë të Pjetrit. Jezusi nuk e pyeti Pjetrin thjeshtë: A më do? Kjo ishte më se e qartë dhe për këtë s’pati fare dyshim. Mirëpo kjo dashuri më nuk ishte e mjaftueshme, dhe mu për këtë vijonte pyetja edhe më e thellë dhe vendimtare: A më do më shumë se këta? Kush janë këta?
Apostujt e Jezu Krishtit, të cilët po ashtu e donin shumë Jezusin, dhe për dashuri që kishin pasur për të, kishin lënë pasdore çdo kënd dhe çdo gjë, për të qenë nxënësit e tij.
Përse më shumë se këta, se të tjerët?
Sepse vetëm nëpërmjet dashurisë, fesë, faljes, pendimit, besnikërisë ai mund të bëhet dhe të mbesë Pjetër – Shkëmb, shtyllë, i pari ndër apostuj, pra, me primatin e dashurisë.
Tri tradhëti dhe një Dashuri
Tri pyetjet e Jezusit dhe tri përgjigjet e Pjetrit ndërlidhen edhe me tri mohimet e tija, por jo si ndonjë “provim përmirësues”, por shumë më thellë, sepse Jezusi prej njeriut të dobët, të rëndomtë, Pjetrin e bëri Shkëmb, kryeapostull, Papën e parë të Kishës.
Në përgjegjen e Pjetrit është sinqeriteti dhe mbështejta e tij e plotë në Jezusin: “Ti e di se të dua!” (Gjn 21, 15), që me fjalë tjera domethënë kështu: Ti më njeh, i di të gjitha, edhe dobësitë e mia…; Dhe unë të kam njohur Ty si Mesi, por edhe si Dashuri, falje… Dhe me këtë njohuri dhe pranim të dyfisht lindi dashuria jonë!
Edhe neve na drejtohet Jezusi me të njëjtën pyetje: A më më shumë, që për ne domethënë plotësisht, tërësisht, mbi të gjithë dhe para të gjithash, vetëm mua?
Pjetri ishte mjaft i sigurtë në përgjegjen e tij. E ne?
Pas përgjigjes së dashurisë, Jezusi i beson Dashuri – kullotën e deleve të tija, që ishte misioni i Krishtit, e jo i Pjetrit apo ndonjë tjetrit. Të mendojmë pak: Bariu i mirë ia beson Pjetrit grigjën e vet. Edhe pse e njihte shumë mirë dhe i kishte parë dhe përjetuar dobësit e tija!?
Edhe neve Zoti na ka besuar jetën, fenë, vetveten, thirrjen – jetën e krushterë, për të jetuar me të dhe për ta dëshmuar gjithnjë atë.
Tri pyetje kanë vetëm një përgjigje: DASHURINË, sidomos e treta, më e fuqishmja, ku Pjetri tashmë e demaskon vetveten dhe i “rrëfehet” Jezusit me një pohim vërtet të mrekullueshëm: “Ti di gjithçka – ti e di se unë të dua! (Gjn 21, 17).
Dhe ja tri karakteristikat kryesore të dashurisë:
- Të jesh me Zotin me dashuri, për dashuri dhe në dashuri;
- Të jetë Zoti i pranishëm, i gjallë dhe veprues në jetën tonë, në çdo pjesë dhe në tërësi, mendja, vullneti, liria, zemra, shpirti…
- Nga këto dy prani dhe dashuri lind njeriu i ri, dëshmitari i Jezu Krishtit.
Shën Nëna jonë Tereze shkruan kështu:
“Fryti i heshtjes është urata;
Fryti i uratës është feja;
Fryti i fesë është dashuria;
Fryti i dashurisë është shërbimi”.
Vetëm pas këtij bisedimi, dialogu dhe komunikimi mes Jezusit dhe Pjetrit, pas triumfit të dashurisë dhe faljes, Shëlbuesi e hapi zemrën e tij hyjnore dhe ia zbuloi Kryeapostullit flijimin e tij të plotë me vdekje dhe me dëshmi dashurie – martirizimi më këto fjalë: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’ i hapësh duar e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron”. I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!” (Gjn 21, 18-19).
Thirrja e Jezu Krishtit ndaj Pjetrit, është sfidë, mundësi, rast edhe për ne dhe për mbarë Kishën. Nëpërmjet dashurisë dhe faljes, vuajtjes dhe kryqit, edhe ne mund të vijmë te jeta me Zotin dhe me të afërmin, që është fillim i mirë dhe mbarë për shenjtëri. Pajtorët dhe pajtoret tona, ne festën e të Gjithë Shenjtërve, le të ndërmjetësojnë për ne, që të jemi gjithnjë e më shumë sa më afër – bashkë me Zotin dhe me të afërmin tonë./drita.info