Festa dhe përshpirtëria e Zemrës së Krishtit

Në qytetin Paray-le-Monial, në një kuvend të Vizitës së Zojës, rreth vitit 1670, në kohën e tetëditëshit të festës së Korpit të Krishtit, Shën Margaret Mary Alacoque, e gjendur në adhurim para Shenjtërueshmit Sakrament të ekspozuar për adhurim publik, Jezusi iu shfaq asaj dhe i ofroi të shihte Zemrën e Tij të Shenjtë.

Zemra e gjitha ishte e përfshirë nga flakët, e rrethuar nga një kurorë me gjemba, e çarë nga një plagë dhe me një kryq të vendosur sipër. “Shiko, – i tha Jezusi adhurueses të tij, – shih këtë Zemër që konsumohet nga dashuria për njerëzit, megjithatë ajo merr vetëm mosmirënjohje dhe fyerje. Kjo Zemër është gjithmonë e gatshme të derdhë hire dhe bekime mbi të gjithë; por fyerjet e vazhdueshme që më japin e pengojnë përhapjen e saj.

Pra, mendo ti të bësh dëmshpërblim për një çrregullim të tillë vajtues dhe bëj që e premtja pas tetëditëshit kushtuar Korpit tim Hyjnor të jetë veçanërisht e përkushtuar për nderim të Zemrës sime Hyjnore, duke e kompensuar me nderim dhe kungim të përkushtuar për fyerjet që unë marr në Eukaristinë hyjnore. Unë do të shpërndaj bekime të shumta mbi ata që do të më bëjnë këtë adhurim; ty ta besoj detyrën për ta bërë të njohur dhe zbatuar vullnetin tim”. Margareta, pa hezitim, u vu në lëvizje për të përmbushur vullnetin e Jezusit.

Përkushtimi i madh i Shën Margheritës ndaj Zemrës së Tejetshenjtë dëshmohet me besnikëri në letrat e saj të transmetuara ndër vite: “Ja, ajo Zemër që i donte aq shumë njerëzit dhe që nuk kurseu asgjë derisa mbaroi dhe u konsumua për t’iu dëshmuar atyre Dashurinë e saj.”

Papa Klementi X miratoi solemnisht devocionin ndaj Zemrës së Krishtit dhe e pasuroi atë me shumë indulgjenca. Piu IX e zgjeroi festën në të gjithë Kishën dhe Piu XI e ngriti festën në një rit të dyfishtë të nivelit të parë me tetëditësh.

 

Kushtimi Zemrës së Jezu Krishtit

O fort i ëmbli Jezu Krisht, Shpërblyesi i të gjithë njerëzve, silli sytë e tu prej nesh, që plot përvujtëri jemi përmbysur para lterit tënd. Të tutë jemi dhe të tutë duam të jemi përgjithmonë; e që të lidhemi sa më fort me ty, – secili prej nesh sot po i kushtohet Zemrës sate së shugurueshme. Njëmend se shumë kush nuk të ka njohur kurrë e shumë të tjerë, duke përbuzur urdhërimet tua, janë larguar prej teje.

O i dashuri Jezu, ki dhimbje për ta, e të gjithë sa janë, tërhiqi kah e shugurueshmja Zemra jote.

O Zot, qofsh ti mbreti jo veç i atyre, që të kanë ndenjur gjithmonë në besë, por edhe i atyre që, ndonëse të bijtë tu, të kanë sjell shpinën dhe janë larguar prej teje, së shpejt i të kthehen te ti, Ati ynë, e mos të vdesin në mjerim.

Qofsh mbreti i atyre, që mendimet e gabuara i mashtrojnë apo mosmarrëveshjet i ndajnë. Ti sjelli kah feja e vërtetë duke i prurë në limanin e së vërtetës dhe bashkimin e fesë që të bëhet sa më parë një vath të vetme nën roje të një Bariu të vetëm.

Jepi, o Zot, Kishës sate lirinë e sigurt dhe të plotë. Jepju të gjithë popujve paqe dhe siguri; bën që në të katër anët e botës të dëgjohet ky zë qoftë bekuar Zemra hyjnore, prej së cilës na ka rrjedhë shëlbimi ynë. Asaj i qoftë nderi dhe lumturia për jetë të jetës. Ashtu qoftë.

 

FIGURA

Në figurën e Zemrës së Krishtit, përkujtohen Mundet e Krishtit përmes simboleve të tij: kryqit, kurorës me gjemba, flakëve, dritës dhe plagës që rrjedh gjak.

Kryqi: kryqi është “mbjellë” në zemër, që do të thotë se i gjithë realiteti i kryqëzimit e merr kuptimin e tij nga zemra e Jezusit. Gjithashtu na kujton se si kryqi duhet të jetë gjithmonë i pranishëm në zemrën tonë, ndërsa ai e ngre shikimin tonë lart duke na bashkuar me hyjnoren.

Flaka: është një simbol i sakrificës, siç dëshmohet në Besëlidhjen e Vjetër, në të cilën flijimet i ofrohen Hyjit me zjarr, siç është flijimi i Isakut nga Abrahami. Zjarri është gjithashtu një element i rëndësishëm kur Zoti u shfaq në shkurren që digjej duke i folur Moisiut. Mirëpo, flakët shoqërohen edhe me dashurinë e Jezusit për ne: “Zemra e shenjtë e Jezusit, që digjet nga dashuria për ne, ndezi zemrat tona me dashurinë për Ty”.

Nga shkrimet e Shën Margaretës: “Nga çdo pjesë e atij njerëzimi të shenjtë u lëshuan flakë, por mbi të gjitha nga gjoksi i tij i adhurueshëm, që i ngjante një furre të ndezur. Pasi e zbuloi, ai më tregoi Zemrën e tij të dashur e tejet të ëmbël, burimin e gjallë të atyre flakëve”.

Rrezet e dritës: Përveç flakëve dhe kryqit, Zemra e Shenjtë është e rrethuar nga një dritë e ndritshme. Në Besëlidhjen e Re, drita shpesh shoqërohet me Jezusin: “Unë jam drita e botës”. Jezusi nuk është vetëm drita e botës, por është edhe ai që na shndrit, duke na zbuluar Zotin. Në Kthimin e Shën Palit apostulli ishte i mbështjellë me një dritë nga qielli.

Kurora me gjemba: zakonisht vendoset në kokën e Jezusit si shenjë talljeje, këtu në vend të kësaj ajo rrethon plotësisht Zemrën e Shenjtë për të kujtuar dhimbjen që ndjeu Jezusi në ditën e kryqëzimit. Shën Margaret Alakok i përshkruan gjembat si mëkatet e njerëzve që shpojnë zemrën e Jezusit.

Plaga anësore: Në anën e majtë të zemrës, nga një plagë rrjedhin pika gjaku. Në Ungjillin e Gjonit shkruhet: “Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak dhe ujë” (Gjn 19,33-34). Pasi vdiq, trupi i Jezusit i nënshtrohet dhimbjeve të mëtejshme, dhimbje që në një nga zbulesat e bëra Shën Margaretës Jezusi e përshkruan si të ardhur nga veprimet e njerëzve: “Unë marr nga shumica prej tyre vetëm mosmirënjohje për mosnderimin e tyre të shumtë, sakrilegjet e tyre dhe për ftohtësinë dhe përbuzjen që ma tregojnë në këtë Sakrament të Dashurisë. Por ajo që më trishton më shumë është se ka edhe zemra të kushtuara ndaj meje që më trajtojnë kështu.” Kjo plagë nga e cila buron gjaku simbolizon mëkatet më të mëdha të njerëzve.

Papa Benedikti XVI shkroi: “Adhurimi i dashurisë së Zotit, i cili ka gjetur shprehjen e tij historiko-devocionale në simbolin e ‘zemrës së shporuar’, mbetet thelbësor për një marrëdhënie të gjallë me Zotin”.

Nëse nga njëra anë figura e Zemrës së Krishtit dhe shkrimet e mistikes nxjerrin në pah dhimbjen dhe zhgënjimin e Jezusit ndaj njerëzve që e lëndojnë duke mëkatuar, nga ana tjetër Jezusi dëshiron të shprehë edhe një herë dashurinë e tij të pakufishme ndaj njerëzimit. Siç shkroi Papa Françesku me rastin e kremtimit të festës “Jezusi na shikon, na do dhe na respekton. Është gjithë zemër dhe gjithë mëshirë. Le të shkojmë te Jezusi me besim, Ai na fal gjithmonë”./drita.info

 

(marr nga Sacro Cuore di Gesù (santodelgiorno.it)

Shpëndaje: