Nga Don Lush Gjergji
Mbrëmë vonë, në ora 22. 26, prof. Italo FORTINO (vëllai i të ndjerit Imzot Eleuterio Fortino-s) më shkruan kështu: Vdiq zoti Bellushi! Arbëreshët priftat e fyre i quajnë: zoti!
Pas këtij lajmi, së pari e luta Zotin për shpirtin e tij të madhe dhe bujar arbëror, pastaj hyra në kërkim të kujtimeve, takimeve, përjetimeve, bashkëpunimeve të shumta në të gjitha meridianët e botës sonë që nga viti 1968 e deri te kalimi i tij në amshim.
Një jetë e gjatë shumë e begatshme, me plot fryte, zell, angazhim, frymëzim, do të them edhe entuziazëm unik në të mirë dhe dobi të Popullit tonë ilir, arbëror e sot shqiptar. Ai ka qenë mbi të gjitha prift arbëresh i ritit lindor apo bizantin, gazetar, publicist, etnograf, shkrimtar, udhëpërshkrues, pedagog, bibliotekar, mbi të gjitha i dashuruar në Zotin, Kishën Katolike, në Popullin tonë.
Ishte në grupin e njerëzve dhe klerikëve të mëdhenj arbërorë: Imzot Eleuterio Fortino, (1938 – 2010) ekumneisti më i njohur i ynë, ndër më të njohurit në botë; Imzot Ercole Luppinacci, ipeshkëv arbëresh në Sicili dhe Kalabri, në Horën Arbëreshe dhe në Ungra (1936 – 2016); Atë Emanuele Giordano (1920 – 2015) dhe shumë të tjerë.
Atë Antonio Bellushi lindi në Frashinetë të Kozencës (Itali) në vitin 1934. Pas fëmijërisë së qetë dhe jetës së ngrohtë familjare, arbëreshe, u përcaktua për meshtari, duke studiuar filozofinë dhe teologjinë, si përgatitje shpirtërore dhe kulturore për shërbimin e tij të mëvonshëm priftëror.
Jeta dhe vepra e tij vërtetë madhore për Zotin dhe për Popullin, pati gjithmonë këtë përkushtim dhe angazhim: të gjitha prej Zotit dhe për Zotin, por edhe të Popullit dhe për Popullin tonë të stërvuajtur.
Shpesh e krahasonte Popullin tonë me Jezu Krishtin, i cili pas vuajtjes dhe vdekjes në kryq, është ringjallur. Porosia e tij ishte e qartë, largpamëse dhe profetike: “Ne mbijetuam për të dëshmuar lashtësinë, historinë, autoktoninë, mbi të gjitha Provaninë e Zotit dhe historinë tonë tejet të lavdishme në krye me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun tonë… Populli ynë tash e tutje do të jetë në skenë për të mirën tonë dhe të tjerëve, të gjithëve…”
Veprimtar dhe studiues i palodhshëm, nismëtar karizmatik, njeri me shumë energji dhe frymëzim, që kurrë nuk ndalej, por gjithnjë mendonte, fliste, shkruante dhe vepronte.
Ja vetëm disa shembuj konkret: themelues i revistës “Vatra jonë”, “Lidhja”, “Arbëreshi”. Me punime shkencore dhe studimore etnografike, gjuhësore, folklorike, ishte paraqitur në “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Arbëresh”, “Studime filologjike”…
Me një fjalë: ishte meshtar dhe njeri i dashuruar në thirrje dhe në shërbim kishtar, në Popullin tonë, në çdo shqiptar, njeri… Vite të tëra, përpos shërbimeve nëpër famulli arbëreshe, ai kishte ndërmarrë edhe udhëtime studimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, në Greqi, nëpër Evropë dhe Amerikë, gjithmonë “në kërkim të perlave të lashtësisë, autoktonisë, historisë, traditës dhe kulturës sonë të stërlashtë. “
Me kënaqësi dhe shumë dashuri thante: “Kudo e gjej “gjakun tonë të shprishur”, Arbërinë tonë të lashtë dhe aktuale”!
Veprat e tija më të njohura janë: “Këngë fetare arbëreshe”, “Magjia, miti dhe besimet popullore arbëreshe”, “Fjalori frazeologjik i Arbëreshve në Itali, në Arbëri dhe në Greqi”, “Antologjia e Arbëreshëve – Arnautëve” dhe shumë të tjera.
Biblioteka e tij e njohur dhe tejet e pasur, sidomos me periodikun tonë, ndër më të begatshmet jo vetëm ndër arbëreshë, por edhe më gjerë.
Qysh nga vitet e shtatëdhjeta, kur në Prishtinë ishte hapur Seminari për gjuhë, traditë, kulturë dhe gjuhë shqipe, ai ishte shpesh në mesin tonë, duke krijuar një atmosferë vëllazërie dhe bashkëpunimi me të gjithë. Këtë strategji dhe metodologji e kishte zbatuar me përpikëri dhe dashuri kudo në botën tonë shqiptar, duke u bëri “prifti më i njohur arbëresh”, njeriu që përfaqësonte më së mirë lashtësinë arbërore dhe aktualitetin tonë, në kërkim të vlerave dhe virtyteve, apo siç shprehej ai, “bashkimin në dallime”.
Figura qendrore, tashmë e vulosur ne mendjen dhe zemrën e çdo arbëreshi – e, ishte pa dyshim heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të cilin atë Antoni e donte aq shumë, sa që e quante edhe “shpëtimtari ynë”, modeli i përsosur për çdo njeri tonë.
Në Misionin Katolik Shqiptar në Thurgau (2018), me seli në Sirnach, ishte pjesëmarrës dhe figurë qendrore, ku ndër të tjera doli me uratën “Ati ynë” në gjuhën arbërishte të vjetër të Gjergjit tonë, ashtu siç është lutur ai dikur…”.
Pastaj tejet i emocionuar, në tri tonalitete, para meshës si dhe figurës së Gjergjit, me zë tingëllues dhe kumbues, këndoi kështu: “I përjetshëm kjoftë kujtimi yt”, këngë e vjetër arbëreshe kushtuar Heroit tonë kombëtar.
Me atë rast si një lloj testamenti shpirtërore dhe kulturor, ai ndër të tjera tha,: “Gjergj Kastrioti nuk është i vetmuar. Ai i mundi të gjitha luftërat, sepse ishte së bashku me arbërorët e tij, shqiptarët tanë, duke na dhënë mend dhe zemër që edhe ne kurdo dhe kudo të qëndrojmë së bashku…”
Atë Ndue (Antonio) Bellushi ishte njeri, meshtar, arbëresh i rralle dhe shumë i dalluar, sidomos për urë-lidhjen e tij me botë tonë shqiptare, për shërbimin dhe punën e madhe kishtare dhe intelektuale, krijuese, mbi të gjitha për atdhedashuri dhe flijim në dobi të Kishës dhe të Popullit tonë.
Mik dhe vëlla i dashur Atë Ndue (Antonio), e di është shumë pak çka shkrova dhe përkujtova, por nga zemra, përcjellë me uratë dhe dashuri.
Pushoftë në paqe dhe e gëzoftë amshimin e lumtur! Ndërmjetësoftë te Zoti për ne!/drita.info