
Përgatitur nga Don Frok Zefi
Përshkrimi i arqipeshkëvit të Shkupit, Dario Bucciarelli, viti 1872
Arqipeshkëvi i Shkupit, Dario Bucciarelli me rastin e vizitës kanonike në famullinë e Letnicës, kryer rreth vitit 1872, do të linte një përshkrim interesant mbi nderimin e Nënës së Zotit në Letnicë, si vijon:
“Më 14 gusht fillon grumbullimi i njerëzve nga e gjithë krahina, që vijnë për të bërë shtegtim te Nëna e Zotit, e cila këtu quhet Zoja e Malit të Zi. Ka kaq shumë emocione ndërsa e sheh gjithë këtë! Qysh herët në mëngjes, disa vijnë zbathur, për të bërë kushtimin në shenjë falënderimi për hirin e marrë; disa të tjerë vijnë në këmbë, me kalë, ose me karroca që tërhiqen nga kuajt. Këtu vijnë burra, gra, pleq e të rinj që kanë udhëtuar për gjithë natën, e mes tyre ka edhe nga ata që kanë udhëtuar dy, tre apo katër ditë për të arritur këtu. Thuajse që të gjithë janë të lodhur dhe të rraskapitur nga vapa. Kanë ardhur edhe nëna që mbajnë në krah fëmijët e tyre të vegjël, të cilët vdekja donte që tua rrëmbente, por që ato duke iu drejtuar me besim Zojës së Malit të Zi ia dolën t’i shpëtonin. Ndonëse janë të lodhur dhe të dobët, ata i mbajnë sytë të ngulur mbi faltore, e më pas duken sikur kanë ndryshuar, janë më të gëzuar, duken të mbushur plot me gëzim dhe kënaqësi njëlloj si bleta që shëtit mbi lule, duke nxituar drejt Bamirëses së tyre. Mes gjithë kësaj munda ta dëgjoja një nënë që po e falënderonte Marinë, nënën e mëshirës, me këto fjalë, “Të falënderoj që ma dhurove sërish këtë fëmijë të çmuar.” E ndërsa i thoshte këto fjalë, ajo e mori fëmijën me të dyja duart, dhe e ngriti lartë drejt trupores së Zojës. Dëgjova gjithashtu edhe një tjetër grua që e falënderonte, pasi burri i saj ishte kthyer shëndoshë e mirë nga një udhëtim i gjatë dhe i pasigurt. Diku mes njerëzve, u dëgjua sërish zëri i dikujt që e falënderonte me gjithë zemër e plot lumturi, pasi e gjithë familja e tij kishte shpëtuar nga epidemia. Diku më tutje, munda të shihja njerëz të gjunjëzuar, që luteshin me një besim kaq të gjallë dhe kaq të fortë, saqë edhe sikur bij natyral të Nënës së Zotit të ishin, përsëri nuk do t’i drejtoheshin sikur prindit me aq shumë nderim e përgjërim. Me një fjalë, këtu mund të shihni modelin e atyre fëmijëve mirënjohës dhe falënderues, që po kërkojnë ndihmë nga dashuria e nënës. Pasdite, tetë priftërinj së bashku me arqipeshkëvin, nën tingëllimin e kambanës janë gati të fillojnë të rrëfejnë pelegrinët. Priftërinjtë zënë vendin e tyre, ulen poshtë ndonjë peme, afër ndonjë guri, ose mbi ndonjë karrige të vjetër, dhe ashtu nis rrëfimi, që zgjat deri kur vjen koha e lutjes së ‘Engjulli i Zotit.’ E sërish nën tingëllimin e kambanës, rrëfimi ndalet, nis hyrja për në kishë, ku këndohen litanitë Lauretane dhe kështu fillon predikimi i parë. Pas predikimit, pelegrinët përpiqen që të strehohen poshtë ndonjë strehe të sajuar, më tutje nën një kodër ku gjen pak hije, ose poshtë tek livadhi afër përroit, që rrjedh nën këmbët e kodrave të vogla. Kjo turmë e zhytur në heshtjen e thellë, e pamundëson krejt shikimin, çka bën që të shohim thjesht një kamp të strehuar nën tenda.
Qysh sapo bie agimi i mëngjesit, dëgjohet kambana e cila po i fton priftërinjtë që të shkojnë në vendet e tyre, për të vazhduar rrëfimin dhe më pas kremtimin e meshës. Çdo prift duhet të kremtoj meshën në një kohë të caktuar, dhe nuk duhet të ndaloj së rrëfyeri derisa të thirret në altar; kështu ia dalin që të kremtojnë disa mesha ndërkohë që rrëfimet vazhdojnë. Në orën një pasdite mbahet mesha e kënduar, pas së cilës predikohet Ungjilli. Sapo mbaron mesha, të gjithë pelegrinët shkojnë në vendet që i kanë zënë qysh më parë, ku edhe freskohen. Pas mbrëmësores (vespere), dëgjohet kambana e cila sërish po i thërret besimtarët në lutje. Kur mblidhen të gjithë, lutet rruzarja dhe këndohen litanitë, më pas ndahet bekimi së bashku me të lumin sakrament. Në fund arqipeshkëvi mban predikimin e tretë, dhe kështu përfundon adhurimi i asaj dite.
Në të njëjtën ditë, më 15 gusht, të bindur ndaj hirit të Zotit, tre katolik të fshehtë u deklaruan publikisht si katolik, dhe kërkuan që të konfirmohen (krezmohen), jo fshehtazi, por në prani të myslimanëve, të ortodoksëve, të romëve ortodoks, si dhe të të gjithë katolikëve të mbledhur këtu në shenjtërore.
Fillimi i nderimit të Zojës së Malit të Zi (Zojës Crnagore), zgjatet shumë, qysh në kohët e hershme. Ky nderim dhe prania e mëshirës së saj të përhershme, ndodhin për shkak të ndërmjetësisë së Zojës Maria, e cila adhurohet jo vetëm nga katolikët, por edhe nga ortodoksët, myslimanët dhe romët si myslimanë ashtu edhe ortodoks, për plotësimin e nevojave të tyre jetësore. Që të gjithë ata luten ngrohtësisht, dhe më pas gjejnë përgjigje. Asnjë jobesimtar, që guxoi të bënte apo të thoshte diçka kundër kësaj faltoreje, nuk mbeti i padënuar. Nga shumë raste që kanë ndodhur, unë po përmend vetëm dy: (1) Disa myslimanë, duke dashur që të përvetësojnë dhuratat e kushtimit, që njerëzit e devotshëm i kishin sjell para trupores së Zojës, vendosën që t’i vidhnin. Ia dolën që t’i vidhnin lehtësisht, sepse truporja ishte e vendosur mbi mbetjet e një kishe të shembur, poshtë një peme. Duke u marrë vesh me njëri – tjetrin, erdhën në atë vend, morën disa gjëra të vogla, dhe duke u kthyer me plaçkën e vjedhur, mburreshin për atë që kishin bërë. Nuk kishin udhëtuar gjatë, kur nisën të grindeshin. Nga fjalët fyese kaluan tek veprat, dhe përfunduan duke e vrarë njëri – tjetrin me armë zjarri. (2) Vitin e kaluar, një mysliman që erdhi në Letnicë, qëndroi në hapësirën përballë faltores së Zojës e nisi të dëgjonte si binte kambana. Sikur të ishte i pushtuar nga shpirtrat e këqij, nisi ta shante kambanën, kishën dhe Nënën e Zotit, aq shumë saqë do të trembeshin edhe vetë shejtanët. Pasi e mori vesh se çfarë kishte ndodhur, famullitari dom Petar Dodiq shkoi te myslimani dhe e qortoi për këto ofendime. Myslimani nisi që ta mohonte duke thënë, “Zoja juaj ma heqtë dritën e syve, nëse kam folur kundër kishës suaj!” Sapo i tha ato fjalë të rreme, ai ndjeu një dhimbje aq të fortë tek sytë e tij, saqë edhe gurëve u erdhi keq për të. Në atë çast, ai i gjorë mendoi se do t’i humbiste të dy sytë, por Nëna e mëshirshme nuk e lejoi, kështu që u verbua vetëm në njërin sy. Pas gjithë kësaj, ai i gjorë nisi të fajësonte veten për këtë fatkeqësi që i ra, duke thënë se Zonja e Malit të Zi e mëshiroi duke i dhënë shëndet për syrin tjetër. Myslimanët dhe ortodoksët vendas e tregojnë këtë histori, gjithmonë plot admirim dhe frikë.
Koha e pelegrinazhit nuk kalon pa përgjigjet e Nënës së Zotit, jo vetëm ndaj nevojave materiale, por edhe ndaj nevojave shpirtërore të besimtarëve. Ja tek shihen mëkatarët e penduar, që largohen nga ajo shenjtërore të kthyer në besim, duke i braktisur përfundimisht udhët e mëkatit!”[1]
Përshkrimi i misionarit jezuit, Francesco Genovizzi, viti 1900
Emri ‘Mali i Zi’ është i famshëm kur bie fjala për shenjtëroren ku adhurohet truporja mrekullibërëse e Marisë, e cila ngrihet në kodrën më të lartë, rrëzë së cilës rrjedh lumi Letnica. Truporja që adhurohet atje është e famshme jo vetëm sepse besimtarët, nga besnikëria dhe respekti që kanë ndaj saj, vijnë nga të gjitha anët pasi kanë dëgjuar për zgjidhjet e mrekullueshme që kanë gjetur aty problemet e njerëzve, por edhe sepse tashmë dihet mënyra e mrekullueshme e ardhjes së trupores këtu, sipas traditë së lashtë. Truporja (statuja) është prej druri, dhe simbolizon Nënën Mari Virgjër të ulur mbi një fron, duke mbajtur në dorën e saj të majtë fëmijën hyjnor. Tregohet se kjo statujë (trupore) e famshme, fillimisht ka qenë në Shkup dhe më pas, në kohën e pushtimit turko – osman, u transportua mrekullisht dhe u soll mbi një shkëmb malor, që ndodhet në hyrje të luginës ku ka rrjedhën e vetë lumi Letnica.[2]
“Banorët e fshatit që ndodhet përtej lumit, dhe që edhe emrin e ka njëjtë me emrin e lumit, pra fshati Letnica, duke e parë që figura e shenjtë ishte krejt e zbuluar, dhe përballej me shi, borë e stuhi, një ditë e çuan në një kishë të vogël, e cila nuk ishte larg prej aty. Por të nesërmen, ata vunë re se truporja ndodhej përsëri në të njëjtin shkëmb nga ku ishte marrë. Banorët e fshatit, duke dyshuar se kjo ishte bërë nga dikush që nuk donte që truporja të qëndronte në atë kishë të vogël, e zhvendosën atë që aty për herë të dytë dhe pastaj për herë të tretë. Dhe pavarësisht se roja qëndronte përreth, për tu siguruar se asnjë dorë njerëzore nuk do ta prekte atë trupore, ajo në mëngjes gjendej gjithmonë në të njëjtin vend ku ishte parë për herë të parë. Prej kësaj ata e kuptuan se vullneti i Marisë ishte shprehur, dhe se ajo donte që të nderohej në atë vend, ku edhe kishte nisur tu jepte përgjigje dhe zgjidhje problemeve të shumta të adhuruesve të saj. Kur u përhap lajmi për shfaqjen e trupores, e vërtetuar nga mrekullitë e panumërta të përjetuara nga adhuruesit e saj, besimtarë nga të gjitha anët filluan të vinin mbi këtë kodër të bekuar.
E ekspozuar ndaj diellit dhe shiut, ndaj borës dhe ngricave, truporja e shenjtë qëndroi aty për katër shekuj, pa e pasur një kishë apo kishëz ku të mund të strehohej, pa e pasur edhe ndonjë tendë për tu mbuluar, madje pa e pasur as edhe ndonjë lloj strehe që do të mundej ta mbronte të paktën pjesërisht nga moti i keq. Katolikët e kësaj zone, pak a shumë të shtypur në çdo gjë dhe në periudha të ndryshme kohore edhe subjekte të persekutimeve më të tmerrshme nga turqit, as që mund ta mendonin që të ndërtonin një kishëz të thjeshtë për Zojën e tyre të dashur, e cila plot mëshirë erdhi mes tyre, për t’i mbrojtur dhe forcuar në kohë të vështira sprovash, të cilat duhej t’i duronin për të ruajtur besimin në Krisht. Nëse nuk do të kishte hyrë nën mbrojtjen e Marisë, katolicizmi do të ishte zhdukur nga ato kodra, njëlloj siç është zhdukur tashmë në viset e tjera të Shqipërisë dhe të Kosovës. Pikërisht ky është edhe mendimi që mbizotëron më shumë midis katolikëve të Malit të Zi. Të gjithë bien dakord dhe e konfirmojnë se fytyra e figurës mrekullibërëse e ndryshon shpesh pamjen e saj; ajo herë shihet e trishtuar dhe herë e dëshpëruar, herë shihet e gëzuar dhe e buzëqeshur, dhe herë të tjera jo, si për të lajmëruar njerëzit për fatkeqësitë që do të ndodhin apo për fatkeqësi të tjera që do të marrin fund, [e gjitha kjo konfirmohet nga dëshmitë e njerëzve të denjë të cilëve mund t’ju besojmë, pasi ata ishin ende gjallë kur ndodhën të gjitha këto dhe e dëshmuan gjithçka në mënyrë shumë solemne].
Në vazhdën e këtyre dëshmive, po sjellim edhe përvojën e një prifti shembullor i cili tregonte një herë, se ndërsa po lutej me fëmijët përpara trupores së shenjtë, pa fytyrën e Virgjërës Mari e cila po turbullohej gradualisht. Menjëherë e njoftoi famullitarin për çka pa, dhe ky i fundit nuk hezitoi që t’ja konfirmonte bindjen e përgjithshme, por edhe besimin e të gjithëve se fytyra e Marisë e ndryshonte shpesh pamjen, çka merrej si shenjë e ndonjë lloj telashi apo fatkeqësie, sidomos kur pamja e fytyrës së saj shfaqej e trishtuar. Të nesërmen e kësaj dëshmie, ndodhi që dy veta, për arsye që nuk dihen, u përleshën me njëri – tjetrin dhe nga kjo përplasje njëri prej tyre u plagos nga një goditje pushke.
Një dëshmi tjetër interesante daton në vitin 1888; imzot Carev, asokohe arqipeshkëv i Shkupit, po kremtonte meshën pontifikale në altarin e Nënës së Zotit, kur befas ndodhi që fytyra e Nënës së Zotit e ndryshoi si pamjen ashtu edhe ngjyrën, para të gjithë të pranishmëve në meshë. Të gjithë nisën t’ja tregonin këtë njëri – tjetrit me pëshpëritje, duke paralajmëruar edhe parashikimin e trishtuar, e pikërisht në ato momente jashtë kishës u dëgjua një krismë pushke, dhe pas krismave njerëzit panë se një grua ishte qëlluar me armë, dhe kishte rënë e vdekur përtokë.
Më vonë, kur u bë e mundur që të ndërtohej një kishë, pikërisht në vendin ku truporja e shenjtë qëndronte zbuluar prej shekujsh, truporja u zhvendos në banesën e famullisë, e cila ndodhet pak më poshtë se vendi ku ajo u shfaq fillimisht. Prandaj, kur u ndërtua kisha, në transferimin solemn të trupores të bekuar, të gjithë ata që morën pjesë në ceremoni, si laikët ashtu edhe klerikët, patën mundësi që ta admironin imazhin e shenjtë të statujës, e cila u buzëqeshi dhe u skuq për të mbetur ashtu për disa ditë, gjatë të cilave u përmbushën shumë lutje. Më tutje, në ditët që vijuan u vu re se fytyra e Marisë, që normalisht ishte serioze dhe e zbehtë, kishte raste kur bëhej më e gëzuar, dhe kjo ndodhte për shkak të ardhjes së njerëzve që bënin pelegrinazh në ditë të caktuara të vitit, për të treguar respektin që ata kishin ndaj saj. Dhe pasi kemi sjell këtu këto dëshmi të thjeshta, të bukura por edhe të vërteta, po ua lëmë lexuesve që t’i gjykojnë vetë këto dukuri, ndërkohë që ne të kënaqur që i kemi regjistruar gjithë këto, po vazhdojmë më tej me tregimet tona.
30 a 40 vjet më vonë, pikërisht kur filloi edhe ndërtimi i hekurudhës Shkup – Selanik, dhe tregtia midis Shkodrës, Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe rrethinave të tyre po merrte hov e po lulëzonte, njerëzit filluan të bënin pelegrinazh te Zoja; aq të zellshëm ishin në besimin që kishin ndaj saj saqë udhëtonin së paku pesë a gjashtë ditë, për të ardhur, dhe kur sapo arrinin në faltore i shtriheshin Marisë te këmbët dhe i luteshin që ajo tua plotësonte lutjet dhe tua përmbushte kushtimet. Ishin pikërisht këta shkodranë që vinin së largu, të cilët para gjysmë shekulli nisën që ta mbronin statujën e Zonjës nga stuhia, duke sajuar për të një dhomëz ku edhe u vendos e gjithë truporja; dhe ajo mbeti ashtu derisa më vonë vetë Nëna e Zotit e frymëzoi imzot Dario Bucciarellin, arqipeshkëvin e Shkupit, i cili në vitin 1868 nën frymëzim i ndërtoi asaj një tempull me tre nef,[3] ashtu siç vazhdon të jetë edhe tani. Altari kryesor mbi të cilin është vendosur truporja e shenjtë, ku edhe e adhurojnë besimtarët, ndodhet pikërisht në vendin ku u shfaq për herë të parë truporja e saj, ndërsa kisha u ngrit më vonë në po të njëjtin shkëmb ku thamë se u shfaq truporja.
Përafërsisht 25 vjet më vonë, imzot Logoreci, i cili ishte pasardhës i imzot Bucciarellit, mbajti një festë për kurorëzimin solemn të trupores së Nënës së Zotit dhe të Fëmijës Jezus, duke vendosur mbi kokat e tyre kurora prej ari të ngurtë, të bëra mrekullisht bukur nga argjendarët shqiptarë të Prizrenit. Ai që i dha një hov të ri gjithë arqipeshkëvisë, dhe ringjalli devotshmërinë në atë faltore, ishte imzot Fulgencije Carev i kujtimit të shenjtë, i cili arriti që ta mbante në aktivitet të plotë gjithë arqipeshkvinë, çdo vit me rastin e festës së Zojës së Bekuar, kur karvani i besimtarëve vinte për pelegrinazh në faltore, dhe kur e pakta çdo famulli dërgonte atje edhe përfaqësuesit e saj. Duke qenë i devotshëm ndaj Nënës së Zotit të Malit të Zi, gjatë vizitave që bënte dy – tri herë çdo vit në famullinë e arqipeshkëvisë, ai e inkurajonte me zell dhe pasion si klerin ashtu edhe popullin që me rastin e asaj feste të vinte në faltore, duke i garantuar se ai do të ishte atje i pari. Kjo bëri që njerëzit të cilët e respektonin si shenjtë dhe donin që të rrëfeheshin tek ai, t’i përgjigjeshin thirrjes së tij inkurajuese, me një frymë besimi por edhe konkurrence se kush do mundej që të vinte në adhurim i pari.
Zoti deshi që ne misionarët të merrnim pjesë në këtë pelegrinazh dhe festë vitin e shkuar (bëhet fjalë për vitin 1899), kështu që tani, për shkak se është diçka e bukur, dua të ndaj së paku një pëshkrim të atmosferës, e cila vijon kështu:
Në vigjilje të festës, aty rreth mesditës nisën të mbërrinin karvanët e pelegrinëve. Disa vinin nga Ferizaji apo nga Shkupi, disa të tjerë vinin nga Prizreni apo Janjeva, kishte edhe nga ata që vinin nga Gjakovica, nga Tetova, nga Peja e nga vende të tjera; që të gjithë udhëtonin një, dy, tre, katër e madje edhe pesë ditë për të arritur në vendin e shenjtë.
Kur niseshin për udhëtim, organizoheshin në mënyrë të tillë që secila famulli të udhëtonte e gjitha së bashku, duke hipur që të gjithë nëpër karroca që tërhiqeshin nga kuajt. Nuk kishte karroca të rehatshme (përveç atyre të Shkupit dhe të Ferizajit), ato nuk ekzistonin sidomos për udhëtime kaq të gjata sa ky, kështu që shpesh uleshin 4, 6 apo edhe 8 veta në secilën anë që ishin pjesë e së njëjtës familje; dhe duke qenë se në Mal të Zi nuk kishte bujtina, të gjithë merrnin me vete ushqimet e nevojshme si për mbërritje ashtu edhe për kthim.
Ndërsa ishin në udhëtim e sipër, shihnin luginën e së bashku me të edhe lumin gjarpërosh që e zbuste paksa vapën e verës, e ashtu prej së largu kur vërenin faltoren, bisedat ndaleshin, bënin shenjën e kryqit, më pas përshëndesnin Nënën e Bekuar, dhe nisnin të këndonin rruzaren apo lëvdatat e tjera të shenjta, secili në gjuhën e vet kroate apo atë shqipe. Sa më shumë që i afroheshin vendit të shenjtë, aq më shumë rritej edhe entuziazmi i tyre; ishte një gëzim që mund tu shihej tek sytë; malli dhe lumturia e shenjtë i përfshinte të gjithë, dhe ashtu të lumtur të gjithë i drejtonin sytë nga faltorja; ndërkohë vendasit na tregonin për ata që shkonin atje për herën e parë, e ndërsa dëgjoja rrëfimet e tyre, mendja ime shtyhej tutje në kohën kur kryqtarët shkuan në Jeruzalem, dhe kështu më erdhën ndër mend edhe vargjet që Torquato Tasso u kushtoi atyre në strofën e tretë të këndimit së tretë, ku thotë:
“Ja Jerusalemi, – tregoi dora,
Ja Jerusalemi – të gjithë mund ta shohin atë,
jehon nga një mijë frymë,
Jerusalem – dëgjohet pastaj përshëndetja e të gjithëve.”
Këto ishin pra, ndjenjat, lëvizjet dhe zërat e pelegrinëve tanë, kur afroheshin dhe mbërrinin në faltoren e tyre. Natyrisht, që doja të dija se cilët ishin, dhe nga kishin ardhur deri këtu, kaq shumë katolik, burra, gra, djem e vajza, kështu që pyeta dhe më thanë se nga Ferizaji dhe Shkupi kishin ardhur rreth njëzet karroca dhe qerre, nga Prizreni kishin ardhur 70 karroca, nga Janjeva kishin ardhur më shumë se 100 karroca. Banorët e Gjakovës dhe të Pejës, duke qenë më larg nga të gjithë, kishin ardhur me kuaj. Sapo arrinin, secili karvan zinte një vend të qetë diku në livadhin e paanë që rrethonte faltoren, dhe menjëherë njoftonin priftin për ardhjen e tyre.
Më pas para syve tanë shpalosej një pamje e ngrohtë, e butë, e gati – gati idilike: Një nga priftërinjtë sapo i sheh niset nga truporja e Nënës së Zotit, dhe del për t’i takuar ata që kanë arritur, e që po e presin në vendin e tyre. Dhe menjëherë pas kësaj, ndërsa këndoheshin himnet e shenjta, ata niseshin dy e nga dy nën flamurin e shenjtë të Marisë, duke kënduar litanitë lauretane dhe të mbuluar nga një gëzim i thellë, ngjiteshin në pjesën më të vogël të kodrës që ndante fushën e tyre nga shenjtërorja.
Isha duke soditur gjithë këtë shfaqje besimi dhe lumturie shpirtërore, kur vërejta se sapo kishte ardhur një varg shumë i gjatë njerëzish nga Janjeva. Sa me devotshmëri po i ngjiteshin kodrës! Kur arritën te shkallët që të çonin në tempull, kambanat ranë për të lajmëruar ardhjen e tyre, dhe tingulli i tyre u përzie me lutjet e njerëzve. Duke hyrë në shenjtërore, ndërsa po këndohej një këngë e cila nënkuptonte përshëndetjen e tyre të parë për Zojën e dashur, ata ranë përdhe, puthën tokën dhe me duart e ngritura lartë thirrën: “o nënë e ëmbël!”, e më pas shpërthyen qetësisht në lot.
Kur njeriu sheh gjithë këtë shfaqje devotshmërie, në mënyra kaq të buta dhe të thjeshta, preket aq thellë saqë u bashkohet të pranishmëve me lot në sy. Sapo mbaronte kënga, prifti kthehej nga ata, i përgëzonte për gjithë sa kishin arritur, i bekonte dhe më pas, duke u përkulur thellë para trupores së Marisë, që ishte edhe qendra e dëshirave dhe e ndjenjave të tyre, ata ktheheshin sërish te karrocat e tyre për të pushuar dhe për tu përgatitur për rrëfim, dhe sigurisht të gjithë, përveç ndonjërit më të rrallë, donin që të nesërmen të merrnin kungimin.
Këtu në Mal të Zi me rastin e asaj feste, mblidheshin të gjithë klerikët e arqipeshkëvisë, përndryshe do të ishte e pamundur që të rrëfeheshin kaq shumë njerëz. Një orë e gjysmë para përshëndetjes së Engjëllit të Zotit, po atë mbrëmje, të gjithë pelegrinët mblidheshin në kishë dhe dëgjonin predikimin e përgatitjes për sakramentin e pendesës. Dhe duke qenë se fliteshin dy gjuhë të ndryshme, më duhej që këtë predikim fillimisht t’ua mbaja në shqip dhe më pas edhe në kroatisht. Më tej, meqenëse rrëfimi në kishë ishte i pamundur, pasi të gjithë luteshin me zë të lartë, dhe vazhdimisht kishte besimtar që vinin dhe iknin, të gjithë priftërinjtë u sistemuan afër murit që mbyllte oborrin e shenjtërores. Pasi ndiznim llambat me vajguri kudo rrotull kishës, rrëfeheshim deri në orën 10 të natës.
Edhe ditën pasardhëse turma vazhdonte të ishte e madhe, megjithatë ne ia dolëm që t’i rrëfenim që të gjithë. Nuk do të vazhdoj me përshkrimin e meshës pontifikale që u mbajt atë ditë nga arqipeshkëvi, e as nuk do të them diçka të veçantë mbi vargun solemn rreth kishës para meshes pontifikale, por do ta theksoj se ne të dy fretnit ishim të detyruar që të predikonim edhe dy herë të tjera atë ditë. E kam të vështirë t’i dëshmoj, edhe sikur të doja, ato mijëra akte respekti dhe nderimi që ky komb i mirë kreu për Mbretëreshën dhe Nënën qiellore.
Të gjithë mundoheshin që të jepnin dhurata në para, kështu që u mblodhën më shumë se 15 çanta, disa të mbushura me para dhe disa të tjera të mbushura me sende të çmuara, e gjithsej dhuruan më shumë se 1500 lira. Ishte bukur të shihje gjithë ata njerëz, burra, gra, djem e vajza, herë në grupe, e herë veç e veç, që vinin rrotull tempullit dhe oborrit të kishës me një qiri të ndezur në dorë, duke lutur rruzaren, e akoma më bukur ishte të shihje të tjerët të gjunjëzuar vullnetarisht për rrëfim ose për devotshmëri, që më së shumti ecnin zbathur rreth e rrotull, duke u lutur dhe duke folur me Nënën e Bekuar kur ishin vetëm.
Në mbrëmje, kur përfunduan ritet e shenjta dhe pasi morën bekim të trefishtë me të shenjtin sakrament nga arqipeshkëvi i tyre imzot Trokshi, të gjithë u kthyen në vendet e tyre ku hëngrën së bashku një gosti në frymë vëllazërie, të shoqëruar me këngë të devotshme mariane, për ta përfunduar kështu kremtimin e Zojës, që është edhe festa më e madhe e faltores.
Kur u kthyem në banesën tonë, shkuam për të vizituar livadhet e tyre, që përdoreshin për strehimin e pelegrinëve. Pamja që pamë ishte e mrekullueshme, dhe na pëlqeu shumë. Në kulmin e errësirës së natës, që tashmë kishte rënë, mbi të gjitha karrocat e shpërndara atje, kishte rënë një dritë që shkëlqente fort. Kjo skenë, në qetësinë e plotë të natës, të krijonte idenë se aty gjendej një port detar ku ishin ankoruar anijet, që ndriçoheshin sipër tyre nga një rreze e vetme drite. Edhe pse qielli ishte i vrenjtur dhe me shi, përsëri vezullonte i ndriçuar nga rrezet e dritës, që binin mbi karrocat dhe mbi tapetin e gjelbër të barit që mbulonte fushën.
Të nesërmen ishte festa e shën Rokut, që kremtohej kudo në këtë arqipeshkëvi. Rreth një orë larg në këmbë nga faltorja, dhe pikërisht në fshatin Shasharë gjendej një kishë e vogël, tashmë e kthyer në gërmadhë, që i ishte kushtuar shën Rokut. Pelegrinët e Letnicës shkonin çdo vit atje, kështu që me ta u bashkuam edhe ne. Poshtë një peme të madhe bliri u ngrit një altar, ku në meshën e kënduar pas Ungjillit, atë Pasi improvizoi një eulogji për shën Rokun në shqip, të cilën e thashë edhe unë pas meshës në kroatisht. Më pas u kthyem në varg njerëzish në shenjtëroren e Nënës së Zotit, ku ritet u përmbyllën me bekimin e të shenjtit sakrament.
Pasdite, pelegrinët filluan që të ktheheshin në shtëpitë e tyre me karvanë, ashtu siç edhe kishin ardhur, por para se të niseshin, erdhën sërish grupe – grupe, vetëm për t’i dhënë lamtumirën nënës së tyre të dashur Marisë. U preka kur pashë përkushtimin dhe devotshmërinë, me të cilën ata e përshëndetën Zojën në ndarje; dukej sikur nuk mund të ndaheshin prej saj, kështu që kur dilnin nga kisha e kthenin kokën pas dhe e shikonin sikur donin që t’i thoshin, “O Mari, nëna më e dashur, lamtumirë dhe mirëupafshim vitin tjetër! Ne po ikim, por zemrat tona mbeten pranë teje!” Oh, Zoja e shenjtë i bekoftë këta pelegrinë të dashur! E bekoftë dhe e mbroftë gjithë arqipeshkvinë, të cilën shejtani donte që ta ngatërronte dhe ta shkatërronte në këto vitet e fundit! (…)
Mos mendoni se në këtë faltore vijnë çdo ditë, për të marrë bekime të shumta shpirtërore dhe materiale, vetëm katolikët! Këtu vijnë dhe marrin hire edhe laramanët (ose katolikët e fshehtë), të cilët janë të shumtë në fshatrat që shtrihen në verilindje të shenjtërores. Këtu vijnë edhe myslimanët, madje dhe vetë romët, të cilët gjithashtu shpesh marrin përgjigje dhe përjetojnë shërime. Për të njëjtat arsye dhe me të njëjtin përfitim, vijnë këtu edhe ortodoksët që banojnë në rrafshinat e Kosovës dhe të Moravës, por ata përpiqen që të vijnë në festa më të vogla, siç është festa e Zojës së Vogël apo në ndonjë ditë tjetër, sipas rastit dhe nevojave të tyre.[4]
[1] ASCPF, SC, SERVIA, vol. 5, f. 602r – 609r.
[2] Gaspër GJINI në librin, Dioqeza Shkup – Prizren nëpër shekuj, Zagreb, (1986), f. 157, ndër të tjera shkruan, “Pas disfatës së ushtrisë austriake të gjeneral Pikolominit, katolikët e Shkupit, të arratisur nga turqit, morën me vete shumë të nderuarën trupore të Zojës dhe e strehuan në Letnicë. Vizitori apostolik Stefan Gaspari thotë se katedralja e Shkupit ka qenë një “tanto veneranda”, që i referohej më shumë trupores. Në mbështetje të këtij mendimi, ekziston një traditë e vazhdueshme që Zoja “u shpërngul mrekullisht” në Letnicë. Më vonë, pasi u shkatërrua kisha e shën Gjergjit, kisha e re iu kushtua Zojës, sepse aty vinin njerëz nga vende të ndryshme.”
[3] nef (m. arkit.) [anijat/ë ~ a], pjesa e brendshme e një kishe, që shtrihet në mes dy rreshtash me shtylla; navatë. Anijata kryesore.
[4] Francesco GENOVIZZI, Cenni storici intorno al Santuario della Modonna di Crnagora, Lettere edificanti della Provincia Veneta, serie XVII, Venezia, (1902), f. 98 – 106.