
Në zanafillë të Rruzares janë 150 Psalmet e Davidit, që këndoheshin ndër manastire. Për t’i kapërcyer vështirësitë e krijuara jashtë manastireve, rreth vitit 850 një murg irlandez këshilloi që, në vend të 150 Psalmeve, të thuheshin 150 Atyna.
Festa e Zojës Rruzare, të cilën Kisha katolike romake e kremton sot më 7 tetor, na e dhuron, përmes mistreve të fesë së krishterë që përshkohen nga lutja e Rruzares, mundësinë për të kundruar Jezu Krishtin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht.
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë e Kishës: ashtu ai ajo, rruzarja ushqehet nga Shkrimi i Shenjtë – Bibla dhe zhvillohet rreth misterit të Jezu Krishtit.
Po në zanafillën e Rruzares janë 150 Psalmet e Davidit, që këndoheshin ndër manastire.
Për t’i kapërcyer vështirësitë e krijuara jashtë manastireve, rreth vitit 850 një murg irlandez këshilloi që, në vend të 150 Psalmeve, të thuheshin 150 Atyna.
Për t’i numëruar lutjet, besimtarët përdornin metoda të ndryshme, ndërmjet të cilave, 150 guraleca. Por shumë shpejt u kalua në përdorimin e spangove me 50 ose 150 nyje. Rruzare, që u përdorën edhe nga komitët antikomunistë, të cilët rezistuan deri vonë në shpellat e veriut të Shqipërisë. Jo në mesjetë, por në shekullin XX.
Pak më vonë urata e Rruzares nisi të përdorej edhe përshëndetja që i bëri Engjëlli i Zotit Marisë Virgjër, e cila asokohe ishte pjesa e parë e Falemi Marisë.
Në shekullin XII murgjërit cistercensë nisën të thonë një lutje, të cilën e quajtën Ruzare (Rosario – trëndafilishtë), sepse e krahasonin me një kurorë trëndafilash mistikë, dhuruar Zojës Mari. Ky devocion u bë popullor nga Shën Domeniku (Deda) që, në vitin 1214, mori Rruzaren e parë dhuratë nga vetë Virgjëra Mari, si mjet për ndihmën e të krishterëve kundër herezive.
Në shekullin XIII u krijuan edhe misteret e Rruzares: teologë të shumtë e kishin vërejtur prej kohe se në nëntekstin e 150 Psalmeve ndjeheshin fort profecitë për Jetën e Jezusit. Nga studimi i Psalmeve u arrit shumë shpejt në hartimin e Psalterit të Krishtit si dhe në lavdërimet kushtuar Marisë. Kështu, gjatë shekullit XIII, u hartuan katër psaltere të ndryshme: me 150 Atyna, 150 përshëndetje engjëllore, 150 lavdërime për Jezusin e 150 për Marinë.
Rreth vitit 1350 u arrit tek lutja “Të falemi Mari”, ashtu si e njohim sot. Kjo u realizua përmes veprës së Urdhërit të çertozinëve, që bashkuan në një, përshëndetjen e Engjëllit të Zotit drejtuar Marisë, me atë të Elizabetës, deri tek radhitja, në fund, e shprehjes: “Tash e në fill të vdekjes sonë. Amen!”.
Në fillim të shekullit XIV murgjit çistercensë, posaçërisht në zonën franceze të Trèves, radhitën shtesat pas emrit të Jezusit, për ta përfshirë në lutje gjithë jetën e Jezu Krishtit.
Aty nga gjysma e shekullit XIV, një murg nga çertoza e Këlnit, Enrico Kalkar, nisi ta paraprijë çdo dhjetëshe drejtuar Zojës Mari, me një Atynë. Kjo metodë u përhap menjëherë në të gjithë Evropën.
Gjithnjë në çertozën e Tréves, në fillim të 1400-tës, Domenico Hélion (i njohur edhe me emrin Deda Prusian ose Deda i Tréves) krijoi një rruzare, në të cilën emri i Jezusit ndiqej nga 50 shtesa, që kujtonin jetën e Krishtit Zot. E, ashtu si kishte bërë Enrico Kalkar, rruzarja e Dedë Prusianit, ndahej në grupe dhjetëshe me një Atynë në krye të çdo grupi.
Ndërmjet viteve 1435 e 1445 Deda hartoi për vëllezërit çertozinë fiamingë, që këndonin Psalterin e Marisë, 150 shtesa, të ndara në tri nënndarje, në përkim me Ungjillin e fëmijërisë së Krishtit, me jetën publike, mundimet e Ngjalljen e tij.
Më 1470 domenikani Alain de la Roche, në lidhje me çertozinët, nga të cilët mësoi ta thotë Rruzaren, krijoi Sivëllazërinë e parë të Rruzares, pas së cilës kjo formë e lutjes u përhap me shpejtësi: e quajti Rruzarja “e re”, atë që shoqërohej me një meditim gjatë çdo ‘Falemi Marie’. E Rruzarja e vjetër, atë pa meditime, vetëm me ‘Falemi Mari’. Alein de la Roche i reduktoi në 15, Misteret e fesë së krishterë gjatë lutjes së Rruzares (duke i ndarë në misteret e Gazmendit, të Mundimeve e të Lumnisë). E do të ishte Papa Gjon Pali II (apostull i madh i Rruzares) që, me letrën apostolike “Rosarium Virginis Mariae” (2002), do të shtonte misteret e Dritës kushtuar jetës publike të Jezusit.
Etërit Domenikanë kanë qenë përhapësit e mëdhenj të Rruzares në mbarë botën. Krijuan një mori shoqatash kushtuar Rruzares, ndërmjet të cilave, Sivëllazërinë e Rruzares (themeluar më 1470); Sivëllazërinë e Rruzares së përhershme (që u quajt edhe Ora e Rojes, themeluar në vitin 1630, nga Atë Timoteo de’Ricci); Sivëllazërinë e Rruzares së gjallë (themeluar më 1826, nga terciarja domenikane, Pauline-Maria Jaricot).
Struktura mesjetare e lutjes së Rruzares u braktis gradualisht në periudhën e Rilindjes dhe forma e saj përfundimtare u arrit në vitin 1521. Ishte vepër e domenikanit Atë Alberto di Castello.
Papa Shën Piu V, me formim domenikan, qe “Papa i parë i Rruzares”. Në vitin 1569 përshkroi frytet e mëdha, fituar nga Shën Deda me Rruzaren dhe i ftoi gjithë të krishterët ta thonë këtë lutje kaq të frytshme!
Papa Leoni XIII, me 12 Enciklikat e tij kushtuar Rruzares, qe Papa i dytë i Rruzares.
Nga viti 1478, deri më sot, numërohen më se 200 dokumente papnore kushtuar Rruzares.
Për më tepër, në dukjet e saj, vetë Zoja e Bekuar e quajti Rruzaren, “lutja më e nevojshme për të mirën e njerëzimit”. Në dukjet e Lurdit, më 1858, Virgjëra Mari kishte në krah një Rruzare të gjatë. Më 1917, në Fatima, ashtu si edhe në vitet e fundit në Medjugore, Zoja Mari i ftoi, e i fton, besimtarët ta thonë çdo ditë Rruzaren. (Radio Vatikani)