
Papa Leoni XIV, duke pritur në audiencë krerët dhe përfaqësuesit e komunitetit mysliman të Senegalit, dënoi “çdo formë diskriminimi dhe persekutimi bazuar mbi racën, fenë e origjinën dhe hodhi poshtë çdo shfrytëzim të emrit të Zotit”. Papa bëri thirrje për angazhim të përbashkët e dialog të bazuar në paqe, drejtësi e vërtetësi.
Kujtimi i udhëtimit të fundit të Leonit XIV në Afrikë, prillin e kaluar, veçanërisht ndalesa në Bamenda, në Kamerunin verior, shkatërruar nga luftërat separatiste, u përsërit në audiencën e mëngjesit të sotëm, 9 maj, me vëllazëritë dhe komunitetet myslimane të Senegalit, pritur së bashku me disa përfaqësues të krishterë në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Gjatë fjalimit të tij, në frëngjisht, Papa rikujtoi disa pika dhe dënime të shprehura tashmë gjatë shtegtimit të tij në katër vende afrikane. Para së gjithash, theksoi faktin se Zoti nuk duhet të shfrytëzohet kurrë për qëllime ushtarake, ekonomike ose politike. Kujtoi edhe se dialogu ndërfetar është “mjet i çmuar për të lehtësuar tensionet dhe për të siguruar paqen e qëndrueshme”. Duke e vijuar këtë dialog, “politika dhe diplomacia mund të mbështeten në forca morale të afta për të qetësuar tensionet, për të parandaluar radikalizimin dhe për të nxitur kulturën e vlerësimit e të respektit të anasjelltë”.
Senegali, toka e “tarenga”-s
Leoni XIV, më pas, theksoi traditën senegaleze të mikpritjes dhe të solidaritetit, mishëruar në fjalën wolof, “tarenga” në gjuhën ulofe, në identitetin e popullit senegalez. “Ky takim është shprehje e rëndësishme e miqësisë sonë dhe e angazhimit tonë të përbashkët për një shoqëri gjithëpërfshirëse, paqësore dhe vëllazërore – u tha Papa prijësve dhe përfaqësuesve myslimanë. – Tradita senegaleze e mikpritjes përmban një “thesar vëllazërie, që duhet të ruhet me kujdes”, pasi është “pasuri e çmuar jo vetëm për kombin tuaj, por për mbarë njerëzimin”.
E kjo, theksoi në vijim Papa, është edhe më e rëndësishme në një kontekst afrikan ku “konfliktet e armatosura vazhdojnë”, me pasojat e tyre dramatike: “mungesa të mëdha humanitare, pabarazi të thella që prekin të gjithë popullsinë çdo ditë, për të mos përmendur rritjen shqetësuese të ekstremizmit të dhunshëm”. Shtohen të gjitha këto flukse, në rritje të migrantëve dhe të refugjatëve: nxitja e urrejtjes që helmon strukturën shoqërore, dobësimi i lidhjeve familjare dhe erozioni i vlerave etike e shpirtërore, veçanërisht ndërmjet të rinjve.
Papa në Bamenda: të varfrit janë dritë në një tokë të përgjakur
Në zemër të rajonit të copëtuar nga dhuna separatiste, Leoni XIV i drejtohet të gjithë shoqërisë, mbledhur në Katedralen e Shën Jozefit për takimin e paqes. E nis me…
Diplomacia dhe dialogu janë të nevojshme
Përballë një panorame të tillë, “bota ka nevojë për diplomaci e dialog fetar të bazuar në paqe, drejtësi, vërtetësi”, përsëriti Papa, duke theksuar natyrën themelore të dialogut ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, të cilët besojnë së bashku “se çdo qenie njerëzore është krijuar nga duart e Zotit dhe, për këtë arsye, është pajisur me një dinjitet që asnjë ligj apo pushtet njerëzor nuk ka të drejtë ta konfiskojë”.
Guximi për t’iu përgjigjur konflikteve vëllazërisht
Pasardhësi i Pjetrit lutet “që Zoti i Gjithëpushtetshëm të ringjallë dëshirën për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin, për ta dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të jetuar së bashku në respekt e vëllazëri. Na dhëntë guximin të nisim rrugën e dialogut, t’u përgjigjemi konflikteve me gjeste vëllazërie e t’ua hapim zemrat të tjerëve, pa pasur frikë nga dallimet. Shpresa përfundimtare e Papës është për “bashkëpunim gjithnjë e më të thellë ndërmjet palëve për të mirën e mbarë njerëzimit”. /R.Sh. Vatikan

Postimi i Mëparshëm