
Nga Bruna Gosa
Në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ernest Koliqi (20 maj 1903) biblioteka “Ernest Koliqi”, që gjendet në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ka shënuar për të katërtën herë Ditën e Bibliotekës, në kuadër të takimeve të përmujshme kulturore “Pena e Dritës”.
Ky takim u hap nga Don Fatmir Koliqi për të nderuar këtë rrugëtim me një rëndësi të dyfishtë dhe një atmosferë festive mjaft të veçantë, pasi përkoi pikërisht me ditëlindjen e vetë Bibliotekës “Ernest Koliqi”.
Ky takim vijoi me prezantimin e numrit të ri të revistës «Art & Trashëgimi», një botim dygjuhësh në shqip dhe anglisht, i cili këtë herë i dedikohet tërësisht një teme me peshë të madhe historike dhe identitare: “Trashëgimia Katolike e Shqipërisë“.
Ngjarja reflektoi mbi vlerat shpirtërore dhe materiale që e lidhin pandashëm identitetin shqiptar me kornizën më të gjerë evropiane.
Gjatë promovimit, paneli i të ftuarve ndau vlerësime të thella mbi rëndësinë shkencore dhe kulturore të këtij botimi të veçantë. Salla e bibliotekës u mbush plot nga dashamirës të librit, studiues, intelektualë dhe personalitete të larta të klerit, kulturës, letërsisë.
Imzot Arjan Dodaj, Argjipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit, theksoi, se ky vëllim mbi trashëgiminë katolike ishte një vëllim që mungonte. Ai është i çmuar, sepse na rikthen te identiteti, rrënjët dhe kontributi që katolicizmi ka dhënë përgjatë shekujve. Dhe këto rrënjë nuk janë vetëm të heshtura, por shpesh te fshehura nën shtresat e kohës, të vendosura në periudhën e epokës apostolike. Ky botim është konceptuar dhe punuar gjatë një viti të jashtëzakonshem jubilar, vit që Kisha e ka quajtur me të drejtë Vit i Shpresës. E përkon bukur kjo vepër edhe me 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Ai vuri theksin te roli jetik, historik, teologjik që institucionet katolike kanë luajtur ndër shekuj për trashëgiminë katolike shqiptare, gjuhës shqipe, zhvillimin e kulturës dhe dinjiteti kombëtar përballë rreziqeve mbi 2000 vjeçare.
Vetë Znj. Ilda Mara, Drejtoreshë e revistës «Art & Trashëgimi», shpjegoi me detaje rrugëtimin e gjatë për realizimin e këtij numri. Ajo nënvizoi misionin e revistës si një urë e fuqishme komunikimi ndërmjet kërkuesve shkencorë shqiptarë dhe bashkësisë akademike ndërkombëtare.
Ndërsa Z. Ndue Ukaj, shkrimtar, vlerësoi lart standardin intelektual dhe estetik të revistës. Sipas tij, ky botim shërben si një gur themeltar mbi trashëgiminë tonë kulturore dhe për njohjen e saj nga brezat e rinj.
Mbrëmja u pasurua edhe nga një program i zgjedhur artistik, i cili i fali të pranishmëve një atmosferë festive, emocionuese dhe mjaft elegante, përmes sopranos Doruntina Gjini, dhe pianistit Shpëtim Mehmeti, që interpretuan këngë të bukura shqiptare.
Më pas Don Fatmir Koliqi vuri theksin edhe te parathënia e librit dhe mbështetja nga Karl von Habsburg, e cila është vlerë dhe peshë ndërkombëtare që këtij botimi ia shton kontributi i Karl von Habsburg për revistën.
Përtej vlerave të larta dokumentare, numri i ri i “Art & Trashëgimi” shquhet për një qasje moderne dhe ndërvepruese. Përveç faqeve të pasura me shkrime akademike, botimi vjen i shoqëruar me materiale multimediale, që përforcojnë vlerat arsimore dhe ndihmojnë në ndërgjegjësimin e publikut të gjerë mbi panoramën magjepsëse kulturore që zotëron vendi ynë.
Ky takim rikonfirmoi se biblioteka mbetet vend ku mund të udhëtosh nëpër shekuj brenda pak minutave. Trashëgimia nuk ruhet vetëm nëpër rafte, por në mendjet, diskutimet dhe takimet tona.
Pas përfundimit të takimit, festës së revistës i u bashkua edhe urimi për ditëlindjen e bibliotekës. Të pranishmit u zhvendosën në ambientet e koktejit të organizuar me këtë rast. Nën shoqërinë e gotave të verës dhe bisedave të ngrohta miqësore, pjesëmarrësit patën mundësinë të shfletonin revistën, të shkëmbenin mendime dhe të krijonin ide të reja për projekte të ardhshme kulturore. Ishte një mbrëmje që dëshmoi se historia dhe arti na bashkojnë të gjithëve.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

