Papa: Kisha duhet të rikthejë ‘besimin te teknologjia’, t’i udhëheqë njerëzit drejt Krishtit

Duke u takuar me pjesëmarrësit në një konferencë të organizuar nga Vatikani mbi inteligjencën artificiale, Papa Leoni XIV inkurajon përpjekjet për të edukuar njerëzit rreth IA-së, duke i udhëhequr ata njëkohësisht drejt Krishtit dhe drejt një “besimi të rikthyer te teknologjia”.

 

Kisha është plotësisht, e edhe natyrisht, në fushën “e misionit të saj universal”, e përfshirë në fushën e komunikimeve shoqërore. Nxit ndjenjën e njerëzimit, për ta zgjuar nga “eklipsi” i saj, e fuqizuar nga një garë e pafund e shpesh e pamëshirshme për përparim teknologjik, ku nevoja për marrëdhënie njerëzore rrezikon të kompensohet nga chatbot-et e ftohta. Kërkon gjithashtu edukim dhe shkrim-lexim, veçanërisht tek të rinjtë, në teknologjinë dixhitale dhe përdorimin e saj kritik. Këto janë udhëzimet e ofruara nga Papa Leoni XIV paraditen e sotme, më 22 qershor, në audiencë me pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare me temë “Ruajtja e zërave dhe e fytyrave njerëzore”,  organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Komunikim Shoqëror, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Kulturë dhe Edukim.

 

Misioni i Kishës në komunikim

Papa i priti sot pjesëmarrësit e takimit, mbajtur dje, pranë Universitetit Papnor Urbanian në Romë, në Sallën Klementine në Vatikan. Në fjalën e tij Leoni XIV vuri në dukje se takimi ishte pjesë e Ditës së 60-të Botërore të Komunikimit, të dielën, më 17 maj, dhe theksoi mundësinë e ritakimit për të reflektuar sesi media dhe arsimi dixhital kontribuojnë në orientimin e njerëzimit, në një kohë të shënuar nga rritja eksponenciale e teknologjisë.

Pikërisht në kontekstin e misionit universal të Kishës mund të kuptohet më mirë angazhimi i saj ndaj komunikimeve sociale.

 

Të orientohen vendimet e veprimet

Dekreti i Koncilit II të Vatikanit mbi mjetet e komunikimit shoqëror Inter Mirifica, që i dha shkas Ditës Botërore të Komunikimit, kujtoi Papa Leoni, fillon duke deklaruar se “Kisha Katolike, e themeluar nga Krishti Zot për t’u sjellë shpëtim gjithë njerëzve”, ndien detyrën për të shpallur Ungjillin, duke punuar për shpengimin e amshuar të çdo personi njerëzor.

Kjo dëshirë që të gjithë të shpëtohen dhe të arrijnë në njohjen e së vërtetës duhet të orientohet jo vetëm në vendimet dhe veprimet tona, por edhe në përdorimin e drejtimin dhënë medias, teknologjisë dixhitale dhe inteligjencës artificiale, në mënyrë që këto mjete të vihen vërtet në shërbimin  e mirëfilltë të njerëzimit.

 

Eklipsi i kuptimit

Papa Leoni, më pas, citoi konceptin e shprehur në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimit Shoqëror të këtij viti, duke vërejtur se “promovimi dhe zbatimi i pakufizuar i teknologjisë në kurriz të dinjitetit njerëzor” rrit dëmin e shkaktuar nga chatbot-et dhe teknologjitë e tjera, që “shfrytëzojnë nevojën tonë për marrëdhënie njerëzore”.

Ne po përjetojmë vërtet një eklips të kuptimit të asaj, që do të thotë të jesh njeri. Prandaj, është edhe më urgjente të rifitojmë kuptimin e së vërtetës dhe të madhështisë së vërtetë të njerëzimit, ashtu siç e deshi Zoti.

 

Shpresa për Magnifica Humanitas

Sfida me të cilën përballemi, pra, nuk ka të bëjë me teknologjinë, por me vetë njerëzimin, ndaj Papa Leoni XIV shpreson se enciklika e tij e parë, Magnifica Humanitas, që do të botohet më 25 maj dhe që i kushtohet mbrojtjes së personit njerëzor në epokën e Inteligjencës Artificiale, do të ndihmojë në përgjigjen më të mirë të kësaj thirrjeje.

Në dritën e saj, jam i bindur se vetëm duke soditur Krishtin, Fjalën e Mishëruar, mund të rifitojmë jo vetëm vizionin e saktë të Zotit, por edhe të arrijmë të kuptojmë të vërtetën e njeriut.

 

Mbrojtja, duke u takuar me Zotin

Siç pohon Shën Pali VI në Gaudium et Spes, “me anë të Mishërimit, Jezu Krishti, Biri i Zotit u bashkua në një farë mënyre me çdo njeri”. Kjo, shpjegon Leoni, do të thotë se zemra njerëzore nuk mund t’i kuptojë kurrë plotësisht thellësitë e qenies së saj, as të kuptojë vlerën e saj, jashtë Krishtit dhe zemrës së tij. E, për këtë arsye, mbrojtja e fytyrave dhe zërave përfshin një takim me “Atë që është shëmbëlltyra e Zotit të padukshëm, e në të njëjtën kohë njeriu i përsosur”.

Natyrisht, e gjithë kjo duhet të mbahet mend kur diskutohet për implikimet e teknologjisë dixhitale dhe rolin e Kishës në komunikimet shoqërore.

 

Teknologjitë kontribuojnë në shpëtimin

Kjo nuk është detyrë e lehtë, pranon Papa, por “si mund të mos e bënim në kohën tonë”, përballë një çështjeje kaq të përhapur dhe misionit të sjelljes së “dritës së Krishtit në botë, duke ndriçuar çdo përmasë të veprimtarisë njerëzore?”.

Për këtë arsye, Kisha ndihet e thirrur të kontribuojë në hartimin dhe zbatimin e edukimit në fushën e mediave, informacionit dhe inteligjencës artificiale në sistemet arsimore. Duke vepruar kështu, kjo do t’i garantojë çdo individi aftësinë e mendimit kritik, e edhe vetë teknologjitë mund të kontribuojnë “në shpëtimin e atyre që i përdorin”.

 

Rëndësia e alfabetizimit dixhital

Papa Leoni shqyrton edhe shqetësimet natyrore në lidhje me pasojat e mundshme të përdorimit të teknologjive të reja në zhvillimin fizik dhe intelektual të fëmijëve e të rinjve, si dhe në mirëqenien e tyre shpirtërore. Brezat e rinj, siç e kujtonte Inter Mirifica, duhet të mësojnë “moderimin dhe disiplinën” në përdorimin e IA-së, të mbështetur nga prindërit dhe edukatorët.

Për më tepër, në dritën e misionit të Kishës dhe keqkuptimeve aktuale në lidhje me Zotin dhe personin njerëzor, alfabetizimi dixhital duhet të përfshijë edhe edukimin në të vërtetën e Zotit e të njerëzimit.

 

Një pyetje në zemër të Papës

Interesimi i të rinjve për të vërtetën dhe dëshira e tyre për të zbuluar kuptimin e jetës, janë inkurajim për të gjithë, që të integrojnë “përdorimin e teknologjisë brenda një stili jetese të krishterë integrale”.

Të dashur vëllezër e motra, kjo është  temë veçanërisht pranë zemrës sime dhe zemrës së Kishës. Në të vërtetë, si Nënë, Kisha interesohet për jetën e bijve të saj, duke dëshiruar t’i udhëheqë drejt pjekurisë së plotë. Shpresoj se këto reflektime do të çojnë në besimin e ripërtërirë në teknologji, si fryt i gjenisë së personit njerëzor, në harmoni me planin krijues të Zotit. R.SH. / Vatikan

Shpëndaje: