LEONI XIV: AI t’i shërbejë njerëzimit, jo pushtetit të pakicës /NJË PËRMBLEDHJE E ENCIKLIKËS  

Në 135-vjetorin e “Rerum Novarum” të Leonit XIII, Papa reflekton mbi doktrinën shoqërore të Kishës në epokën e inteligjencës artificiale. Ai bën thirrje për ruajtjen e “një njerëzimi madhështor, të banuar nga Zoti”, duke promovuar të vërtetën, dinjitetin e punës, drejtësinë shoqërore dhe paqen. Në epokën dixhitale, duhet çarmatosur IA dhe duhet kapërcyer teoria e “luftës së drejtë”, duke gjallëruar dialogun dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

 

“Njerëzimi madhështor i krijuar nga Zoti gjendet sot përballë një zgjedhjeje vendimtare: të ngrejë një Kullë të re të Babelit apo të ndërtojë qytetin ku Zoti dhe njerëzimi banojnë së bashku”. Fillimi i enciklikës së parë të Papës Leoni XIV – Magnifica humanitas – përmbledh arsyet dhe qëllimin e saj themelor. E botuar sot, e hënë, 25 maj, ajo u nënshkrua nga Papa më 15 maj, në 135-vjetorin e shpalljes së enciklikës shoqërore “Rerum novarum” të paraardhësit të tij, Leonit XIII. E pikërisht në vijim të kësaj trashëgimie, Ati i Shenjtë shkruan një enciklikë shoqërore, që trajton një nga sfidat kryesore të epokës bashkëkohore: inteligjencën artificiale. E ndarë në pesë kapituj, “Magnifica humanitas” – ku “humanitas” i referohet “humanitetit”, pra, gjithçkaje, që shkëlqen në shpirtin njerëzor e jo thjesht njerëzimit si grumbull personash – fillon nga një supozim: teknologjia nuk është një “forcë antagoniste kundër njeriut” (4), as “e keqe në vetvete” (9). Megjithatë, ajo “nuk është neutrale, sepse merr fytyrën e atyre që e mendojnë, e financojnë, e rregullojnë dhe e përdorin”. Që këtej, thirrja e Papës për të “ndërtuar, duke pasur parasysh të mirën” dhe për të “mbetur njerëzorë”, duke ndjekur logjikën e bashkëpërgjegjësisë së guximshme dhe të bashkimit.

 

Doktrina Shoqërore e Kishës

Kapitulli i parë – Një mendim dinamik besnik ndaj Ungjillit – përshkon Doktrinën Shoqërore të Kishës, sipas magjisterit të fundit dhe Koncilit II të Vatikanit, duke i vënë në dukje “karakterin dinamik” (17). Larg së qeni “një manual parimesh e normash për t’u zbatuar”, Doktrina Shoqërore e Kishës është “teologji e bashkimit në histori” (27), që udhëheq interpretimin e ngjarjeve në dritën e Ungjillit. Në kapitullin e dytë, Leoni XIV rendit Themelet dhe parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës: ndër të parat, ai rreshton dinjitetin e njeriut, të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin; paprekshmërinë e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtën për jetë “që nga fillimi deri në fundin e saj natyror”; si edhe njohjen e të drejtave të pakicave, me vëmendje të veçantë ndaj grave, në mënyrë që ato të dëgjohen dhe të vlerësohen vërtet (57).

 

E papranueshme, të nënshtrosh një komb

Sa i përket parimeve të Doktrinës Shoqërore, Leoni XIV vë në dukje pesë: i pari është e mira e përbashkët, “forma shoqërore e dinjitetit, që i njihet çdo individi” (59). Sidomos në një pikë, Papa është veçanërisht i vendosur: “Promovimi i së mirës së përbashkët nuk mund të ndahet kurrë nga respektimi i së drejtës së popujve për të ekzistuar, për të ruajtur identitetin e tyre dhe për të kontribuar, me origjinalitetin e tyre, në familjen e kombeve”. Si pasojë, “çdo përpjekje a plan për të eliminuar, ose për të nënshtruar një komb është thellësisht imorale dhe, për këtë arsye, e papranueshme” (64).

 

Teknologjia nuk duhet të jetë në duart e pak njerëzve

Parimi i dytë ka të bëjë me destinacionin universal të të mirave materiale: këtu dhe në pika të tjera të enciklikës, Leoni XIV këmbëngul në nevojën që teknologjitë të mos përqendrohen në duart e pak njerëzve, pasi kështu, e thellojnë hendekun ndërmjet atyre që përfshihen dhe atyre që përjashtohen nga revolucioni dixhital (67). Kjo çon në parimin e tretë dhe të katërt, përkatësisht në subsidiaritetin (68) – i cili kërkon kapërcimin e asistencializmit në favor të përgjegjësisë së përbashkët – dhe në solidaritetin (73), “parim e virtyt”, që bie ndesh me indiferencën.

 

Drejtësia sociale

Parimi i pestë i Doktrinës Shoqërore të Kishës është drejtësia sociale: në epokën dixhitale, ajo duhet t’u garantojë të gjithëve mundësi të barabarta, të mbrojë më të brishtët, të luftojë urrejtjen dhe çinformimin dhe t’ia nënshtrojë përdorimin e teknologjisë kontrollit publik. Leoni XIV e sheh mikpritjen e emigrantëve si “provë vendimtare” në këtë fushë: mënyra se si shoqëria i trajton ata tregon “nëse ideja e drejtësisë udhëhiqet nga frika apo nga vëllazërimi”. Që këtej, thirrja për të mbrojtur “të drejtën për shpresë” të atyre, që detyrohen të ikin nga vendi i tyre, duke u garantuar rrugë të sigurta dhe ligjore, pritje dinjitoze dhe integrim. Por, nga ana tjetër, Ati i Shenjtë kërkon edhe “të drejtën për të qëndruar” në atdhe, në paqe e siguri, duke u bërë ballë “shkaqeve të thella” të migrimit (81). Papa synon që këto pesë parime të vlejnë edhe për Kishën, së cilës i kërkohet “të shqyrtojë ndërgjegjen”, të dëgjojë “viktimat e abuzimit shpirtëror, ekonomik, institucional, seksual, viktimat e pushtetit dhe të ndërgjegjes”, pasi kjo “është pjesë përbërëse e një rruge drejtësie, e cila përfshin njohjen e dëmit, dëmshpërblimin e drejtë dhe parandalimin” (89).

 

Një kod etik për IA-në

Kapitulli i tretë – Teknika dhe dominini. Madhështia e njeriut para premtimeve të IA-së – thekson nevojën për të qenë vigjilentë në përdorimin e inteligjencës artificiale, duke ruajtur qartësinë lidhur me përgjegjësinë e çdo faze dhe duke u përqendruar në politikat dhe në kornizat ligjore të përshtatshme, në mbikëqyrjen e pavarur dhe në edukimin e përdoruesve. Mbi të gjitha, ndihet nevoja për një kod etik, që u nënshtrohet kritereve të drejtësisë sociale të përbashkët, sepse “nuk na duhet një IA më e moralshme, nëse ky moral vendoset vetëm nga disa” (107). Pa anashkaluar ndikimin e teknologjive të reja mbi ambientin, pasi ato kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe uji (101).

 

Çarmatosja e IA-së

Ne duhet ta “çarmatosim IA-në” – vazhdon Leoni XIV – për ta çliruar atë nga logjika e konkurrencës ushtarake, ekonomike dhe e dijes; për të thyer barazvlefshmërinë ndërmjet pushtetit teknik dhe së drejtës për të qeverisur; për ta çliruar atë nga monopolet dhe për ta parandaluar të dominojë njerëzimin. Hapësirë ​​e madhe i kushtohet kritikës së trans-humanizmit dhe post-humanizmit, të cilat e interpretojnë progresin si kapërcim të kufijve të njerëzores. Në të vërtetë, kufiri nuk është ndonjë defekt që duhet eliminuar, por një përmasë e personit, pasi pikërisht në brishtësi e brenda kufijve realizohen marrëdhëniet së bashku me hapjen ndaj Zotit e të tjerëve. Përparimi i teknologjisë, duke eliminuar kufijtë e njerëzores, do të thotë të ecësh mbrapsht me zemrën. Madhështor, por i plagosur, njerëzimi “nuk duhet as të zëvendësohet dhe as të tejkalohet”. Teknologjia mund t’ia lehtësojë vuajtjet dhe t’i hapë mundësi të reja, por nuk duhet t’i mohojë ç’është vërtet e vetja: “aftësinë për marrëdhënie dhe për dashuri” (126). Përballë IA-së, alternativa e vërtetë nuk është ndërmjet entuziazmit dhe frikës, por ndërmjet dy mënyrave për ta menduar progresin: në shërbim të popullit apo në shërbim të logjikës së pushtetit.

 

Një ekologji për komunikimin

Në kapitullin e katërt—”Të mbrojmë njerëzoren gjatë transformimit. E vërteta, puna, liria“—enciklika bën thirrje për një “ekologji të komunikimit” të bazuar në të vërtetën. Papa kërkon transparencë në logjikën e përzgjedhjes së përmbajtjes, mbrojtjen e të dhënave personale, dëshiron një gazetari serioze të bazuar në argumentim dhe verifikim, si edhe një vetëdije të re për përdorimin “korrekt dhe kritik” të IA-së dhe për integrimin e dijeve. Komunikimi transparent dhe i drejtë i kërkohet edhe Kishës, sidomos për rastet e padrejtësisë dhe të abuzimit. Qendrore, thirrja për një aleancë të ripërtërirë edukative në mënyrë që “dëshira e të rinjve për të bërë pyetje” të mos shuhet, për shkak të makinave të përsosura, që e bëjnë mendimin njerëzor të duket i padobishëm (140). Leoni XIV kërkon të investohet mbi shkollën, si vend ku mësohet të “kërkohet dhe të dashurohet e vërteta” (147).

 

Dinjiteti i punës

Në “revolucionin e katërt industrial” të përfaqësuar nga tranzicioni dixhital, Papa thekson më pas rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit të punës, duke projektuar sisteme që përqendrohen te njeriu dhe jo vetëm te rendimenti i tij. Teknologjia sigurisht që mund t’i lehtësojë njerëzit nga detyrat e rënda, ose të përsëritura, por nuk duhet të çojë në papunësi, në emër të uljes së kostos dhe të shtimit të fitimeve. Në këtë drejtim, Ati i Shenjtë bën thirrje edhe për ripërtëritjen e sindikatave.

 

Paqja dhe zhvillimi

Më pas, Papa thekson nevojën për të shkuar përtej Prodhimit të Brendshëm Bruto si parametër, që mat nivelin e zhvillimit të një vendi, duke u përqendruar në dinjitetin e punës, në mirëqënien për të gjithë, në uljen e pabarazive dhe në mbrojtjen e mjedisit. Financa për hir të financës është, në fakt, e ndryshme nga financimi për zhvillimin (159-160). Duke ndjekur gjurmët e Shën Palit VI, theksohet ndërvarësia midis paqes dhe zhvillimit, duke bërë thirrje për një bashkëpunim ndërkombëtar, që përcakton strategji të përbashkëta, veçanërisht në dobi të vendeve dhe grupeve më të brishta, sepse përparimi kontribuon në paqe “vetëm nëse është i përhapur, gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm” (163).

Papa flet edhe për familjen e themeluar mbi bashkimin e qëndrueshëm të një burri me një grua: është “pasuri shoqërore parësore”, “qeliza themelore dhe e pazëvendësueshme e çdo organizimi komunitar” (165), që duhet të mbështetet edhe përmes politikave të punës, të cilat nxisin stabilitetin dhe ritmet njerëzore, duke mbrojtur kështu aftësinë e shoqërisë për të “ndërtuar të ardhmen”.

 

“Arkitektura e dukjes”

Së fundi, tema e lirisë njerëzore: në një epokë, në të cilën platformat dixhitale janë të menduara për të shfrytëzuar kohën e përdoruesve dhe dobësitë e tyre, duhet forcuar liria e brendshme e çdo njeriu, duke i bërë ballë njëkohësisht edhe rrezikut të kontrollit shoqëror, që rrjedh nga mbledhja masive e të dhënave dhe nga përdorimi i sistemeve algoritmike. Profilizimi, parashikimi dhe orientimi i sjelljes, në fakt, është “një pushtet i ri” (171), që ka rrezik t’i diskriminojë më të ligështit. Papa dënon, në veçanti, të ashtuquajturën “arkitekturë të dukjes”, që amplifikon vetëm ç’është e dukshme, duke manipuluar opinionet.

 

Forma të reja të skllavërisë dhe kolonializëm i ri

IA bën të lindin edhe forma të reja të skllavërisë, siç është ajo e “trupave të cënuar, të gjymtuar dhe të konsumuar” (173) të njerëzve, që punojnë për të nxjerrë “metalet e rralla” të nevojshme për teknologjinë. Prandaj, lufta kundër formave të reja të skllavërisë është një tjetër “provë vendimtare për shoshitjen etike” të transformimit dixhital. Leoni XIV thekson se “Kisha rinovon dënimin e saj të vendosur kundër të gjitha formave të skllavërisë, kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kthimit të personave në mall”. Në të njëjtën kohë, Papa kërkon “sinqerisht falje” për vonesën me të cilën Kisha dënoi “plagën e skllavërisë” në të kaluarën (174-176). Enciklika përmend edhe “metalet e reja të rralla të pushtetit”, domethënë informacionin jetësor – për shembull, mbi shëndetin dhe demografinë – të përdorur për të udhëhequr strategjitë ekonomike: kjo është një fytyrë e re e kolonializmit, që e transformon jetën personale në informacion të shfrytëzueshëm, duke e bërë ambientin dixhital një “hapësirë ​​grabitqare” (178-179).

 

Kapërcimi i teorisë së “Luftës së drejtë”

Në kapitullin e pestë – Kultura e forcës dhe qytetërimi i dashurisë – Leoni XIV e hedh vështrimin nga lufta: “Revolucioni dixhital po e ndryshon gramatikën e konfliktit” dhe, pa etikën, vendimet për jetën dhe vdekjen e njerëzve do të jenë gjithnjë e më jopersonale, me përdorimin e forcës konsideruar si një “opcion i menjëhershëm dhe i praktikueshëm” (182-183). Në themel të gjithçkaje është “kultura e forcës”, që e normalizon luftën dhe e rehabiliton atë si “mjet të politikës ndërkombëtare”, duke inkurajuar riarmatimin. Sot, opinioni publik bombardohet me narrativa mediatike polarizuese e mbi të rëndon “humbja shqetësuese e kujtesës historike”, që privon nga një vizion afatgjatë (191). Si pasojë, sot, paqja nuk kuptohet më si detyrë për të gjithë, por si interval ndërmjet konflikteve. Për këtë arsye, Leoni XIV përsërit se – duke ruajtur të drejtën për mbrojtje legjitime në kuptimin më të ngushtë të saj – duhet kapërcyer teoria e “luftës së drejtë”, duke promovuar dialogun, diplomacinë dhe faljen (192).

 

Asnjë algoritëm nuk e bën luftën moralisht të pranueshme

Papa nuk harron të dënojë zgjerimin e industrisë së luftës, garën e armëve bërthamore dhe shfaqjen e protagonistëve të rinj të armatosur – përfshirë xhihadistët – të cilët synojnë ta përjetësojnë konfliktin si burim pushteti dhe fitimi. Gjithashtu, ai e ngre qartë zërin kundër përdorimit të armëve të bazuara në inteligjencën artificiale, sepse “nuk ka algoritëm, që mund ta bëjë luftën moralisht të pranueshme”. Nevojiten kufizime rigoroze etike, të përbashkëta për gjithë botën, të bazuara në përgjegjësinë personale dhe në mbrojtjen e civilëve, pasi “çdo teknologji, që e lehtëson sulmin pa e parë tjetrin në fytyrë, ul pragun moral të konfliktit” (199).

 

Kriza e bashkëpunimit shumëpalësh

Kultura e forcës ushqehet edhe nga kriza e bashkëpunimit shumëpalësh dhe nga shfaqja e një “multipolarizmi të çrregullt dhe konfliktual” (201). Forca e ligjit po zëvendësohet nga ligji i më të fortit; logjika e pushtetit mbizotëron mbi arritjen e paqes dhe, institucionet e krijuara për të mbrojtur fatin e përbashkët të popujve tani janë dobësuar. Papa shpreson për “reforma të thella” brenda OKB-së, që do të kapërcejnë krizën aktuale të vlerave, në favor të së mirës së përbashkët (226).

 

Qytetërimi i Dashurisë

Të krishterët janë të thirrur t’i përgjigjen kulturës së forcës, duke ndërtuar “qytetërimin e dashurisë” dhe duke zgjedhur nëse do të nxisin logjikën e forcës apo do të ruajnë paqen. Papa tregon pesë “udhë përgjegjësie”: çarmatosja e fjalëve duke thënë të vërtetën; arritja e paqes përmes drejtësisë; përqafimi i perspektivës së viktimave duke mbajtur qëndrim, sepse ka konflikte në të cilat “nuk është e drejtë të mbetesh neutral”; kultivimi i “një realizmi të shëndetshëm”, që kërkon shtigje drejt paqes të përshkueshme me vepra, jo vetëm me fjalë. Së fundi, rifillimi i dialogut, duke kaluar nga kultura e forcës në kulturën e bisedimeve. Themelor është edhe “dialogu ndërmjet feve”, bartës i një mesazhi për paqen: “Kushdo që përdor emrin e Zotit për të legjitimuar terrorizmin, dhunën, ose luftën, e tradhton fytyrën e Tij”, paralajmëron Leoni XIV (223).

 

Njerëzimi madhështor

Duke e përfunduar letrën e tij enciklike, Papa i fton besimtarët të përqafojnë teknologjitë e reja në dritën e Ungjillit, duke ndjekur “një rrugë të matur dhe kërkuese jete të krishterë”. Që edhe në epokën e Inteligjencës Artificiale, të gjithë të dëshmojnë “bukurinë e një njerëzimi madhështor, ku banon Zoti”./ R.SH. – Vatikan

Shpëndaje: