Deklaratë e përbashkët nga udhëheqësit fetarë në Kosovë

Përfaqësuesit e Bashkësive fetare në Kosovë, më 28 maj 2026, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës ftojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, respektit dhe përgjegjësisë shoqërore. Ata riafirmojnë rëndësinë e dialogut dhe kulturës demokratike, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore. Deklarata u bën thirrje institucioneve, akterëve politikë dhe qytetarëve të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe përçarjen, kurse të përkushtohen në ruajtjen e respektit ndaj tjetrit, të vërtetës dhe përgjegjësisë, pasi këtë janë themeli i bashkëjetesës paqësore – thuhet në deklaratë.

 

Deklarata e plotë

 

Ne, udhëheqësit fetarë të Kosovës – Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike – që përfaqësojmë bashkësi të ndryshme fetare, riafirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet të gjithë njerëzve.

Ne e njohim rëndësinë e vlerave demokratike dhe nevojën për një klimë publike të përgjegjshme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë, institucioneve dhe qytetarëve që të respektojnë parimet në vijim:

  1. Gjuha e respektit dhe dinjitetit

Kërkojmë përdorimin e një gjuhe të respektueshme dhe të matur në debatin publik; ndalimin e fyerjeve, poshtërimit dhe sulmeve personale ndaj të tjerëve; si dhe një kulturë dialogu të bazuar në dinjitet dhe respekt të ndërsjellë.

  1. Respekti për gratë dhe vajzat

Kërkojmë tolerancë zero ndaj gjuhës seksiste ose mizogjene; refuzim të stereotipeve të dëmshme dhe sulmeve të bazuara në gjini; si dhe respekt të barabartë, zë dhe pjesëmarrje për gratë dhe vajzat në jetën publike.

  1. Refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes

Kërkojmë mospërdorimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve apo nxitjes së dhunës; respekt për diversitetin etnik, fetar dhe social; si dhe përpjekje aktive për të mbrojtur paqen shoqërore dhe besimin ndërmjet komuniteteve.

  1. E vërteta dhe integriteti në jetën publike

Kërkojmë ndershmëri dhe saktësi në komunikimin publik; refuzim të dezinformimit dhe manipulimit; si dhe respekt për ligjin dhe standardet demokratike.

  1. Komunikim i përgjegjshëm

Kërkojmë sjellje etike në media dhe në platformat sociale; ndalimin e abuzimit online, bullizmit dhe gjuhës poshtëruese; si dhe udhëheqje që vendos një ton të qetë dhe të përgjegjshëm.

  1. Përgjegjësi e përbashkët

U bëjmë thirrje të gjithë liderëve dhe qytetarëve të respektojnë këto parime gjatë gjithë periudhës zgjedhore; të udhëheqin të tjerët përmes shembullit; dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur strukturën demokratike dhe shoqërore të Kosovës.

Si udhëheqës fetarë, ne flasim me një zë për këtë: fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë.

 

Fotografia nga arkivi

Shpëndaje: