
Leoni në Meshën në stadiumin e Las Palmas de Gran Canaria, në përfundim të ditës së parë të vizitës së tij, në praninë e 50 mijë besimtarëve. Në homelinë e tij, Papa kujtoi vëllezërit dhe motrat migrantë që kanë humbur jetën në det dhe shprehu mirënjohje për “të mirën që bëhet këtu”. Më pas, theksoi se bamirësia nuk duhet të jetë vetëm një formë ndihme materiale, por duhet të synojë zhvillimin e plotë të personit. Papa i ftoi të gjithë të jenë “bartës të paqes”, që luftërat të marrin fund”
Gjatë Meshës së kremtuar në stadiumin e Gran Canaria, në praninë e më shumë se 30 mijë besimtarëve, Papa Leoni XIV bëri thirrje të lutemi për migrantët që kanë humbur jetën në det gjatë përpjekjes për të arritur në Ishujt Kanarie.
Papa kujtoi me dhimbje vëllezërit dhe motrat që u mbytën në Oqeanin Atlantik, duke theksuar se kjo tokë është dëshmitare si e vuajtjeve ashtu edhe e solidaritetit njerëzor dhe falënderoi banorët e Gran Canarias për të mirën që bëjnë çdo ditë në pritjen dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.
Sipas Papës, dashuria e krishterë nuk duhet të bazohet në interes apo vetëm në ndjenja, por duhet të jetë një mënyrë jetese që përfshin të gjithë personin. Ati i Shenjtë e përshkroi Zotin si një Atë që dëshiron vazhdimisht të mirën dhe lumturinë e njerëzve dhe që na mëson të jetojmë në bashkim me të tjerët.
Duke cituar mësimet e paraardhësve të tij, Papa Leoni XIV theksoi se dashuria ndaj të varfërve, të pambrojturve dhe atyre që nuk mund të shpërblejnë ndihmën e marrë është përgjigjja më e mirë ndaj dashurisë së Krishtit. Ati i Shenjtë vlerësoi mënyrën se si në Gran Canaria praktikohet mikpritja, ndarja dhe ndihma pa interes.
Leoni XIV nënvizoi se bamirësia nuk duhet të kufizohet vetëm në ndihmë materiale. Qëllimi i saj është të ndihmojë njerëzit të rifitojnë besimin, dinjitetin dhe mundësinë për t’u integruar plotësisht në shoqëri.
Papa paralajmëroi gjithashtu se mirëqenia mund ta bëjë njeriun egoist dhe ta shtyjë të mendojë se mund të jetojë pa të tjerët. Jezusi, tha ai, mëson të kundërtën: lumturia e vërtetë gjendet në dashuri, përvujtëri dhe vëllazëri.
Në përfundim të homelisë, Papa Leoni XIV u bëri thirrje të gjithëve të jenë bartës të mëshirës dhe paqes së Krishtit, në mënyrë që luftërat të marrin fund dhe të ndërtohet një njerëzim i ri, i pajtuar dhe i bashkuar në dashuri. Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të shikojnë njëri-tjetrin me respekt dhe besim, duke punuar së bashku për të mirën e përbashkët dhe për paqen në botë./ R.SH. – Vatikan

Postimi i Mëparshëm
