
Vendimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na ka lënë me hidhërim të thellë dhe me thartirë në shpirt.
Në këto ditë, kur kujtojmë Dom Mikel Tarabulluzin, Shkollën Shqipe dhe kohët kur populli ynë bënte sakrifica të mëdha për ta mbrojtur vetën, gjuhën, dinjitetin dhe të drejtën për të qenë i lirë. Vendimi i Dhomave të Specializuara, na kujtoj edhe njëherë se “kalvari” i padrejtësive historike vazhdon. E ne s’na mbetet gjë tjetër veç se: Të bashkohemi për ta bindë drejtësinë që të jetë e drejtë ndaj nesh.
Është shumë e rëndësishme që dhimbja të mos na errësojë arsyen dhe as zemërimi të mos na marrë urtinë. Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë.
Prandaj çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm dhe në shërbim të përpjekjes juridike e institucionale për ta kundërshtuar dhe ndryshuar këtë vendim, e kurrë kundër vetë drejtësisë si vlerë.
Për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, ky është momenti i përgjegjshmërisë para përgjegjësive. Pasi, përballë çështjeve që prekin lirinë, dinjitetin dhe kujtesën historike të një populli, nuk duhet të shihen ndasitë. Interesi i vendit kërkon maturi, bashkërendim institucional dhe përgjegjësi të përbashkët. Sepse, nëse mbi përpjekjen tonë për liri mbetet një njollë e tillë, që ne e konsiderojmë të padrejtë, liria e fituar do të mbetet e plagosur.
Sot duhet të bashkohemi si komb: rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjes së popullit tonë për liri, të forcojmë miqësitë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit.
Mbi gjitha të kujdesemi që këtë situatë ta përballojmë me pjekuri e dinjitet ashtu që zemërimi tepruar, hapat e nxituar ose veprimi i vonuar të mos e dëmtoj të ardhmen tonë.
Si Kishë, nuk mund të gjykojmë njerëz e as drejtësinë; por nuk mund as të heshtim kur plagoset ndërgjegjja dhe liria e fituar me gjak. Detyra jonë është të kërkojmë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa harruar atë që është e drejtë.
Pra, Kosovës nuk i duhet sot më shumë zhurmë. I duhet urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim.
Prishtinë, më 19.09.2026

Postimi i Mëparshëm
