PAPA LEONI XIV UDHËTIMIN E TIJ TË KATËRT APOSTOLIK PO E ZHVILLON NË FRANCË

Papa Leoni XIV ka filluar dje,  25 shtator 2026, udhëtimin e tij apostolike në Francë, i cili do të vazhdojë deri më 28 shtator 2026, duke vizituar Paris, Lurd dhe Metz. Udhëtimi është një moment i rëndësishëm takimi me autoritetet shtetërore, Kishën, shoqërinë civile, të rinjtë, besimtarët, personat në vështirësi dhe përfaqësuesit e feve të ndryshme. Ja cilat vende do të vizitojë dhe me kë do të takohet:

 

Dita e parë: E premte, 25 shtator – Paris

Vizita ka nisur në Paris, ku Papa u prit nga Presidenti i Republikës, mandej u takua me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Vizitojë gjithashtu UNESCO-n dhe kremtoi Mbrëmësoren me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, të kushtuarit dhe seminaristët në Katedralen Notre-Dame. Dita u përmbyll me një vigjilje lutjeje me mijëra të rinj në Stade de France.

Dita e dytë: E shtunë, 26 shtator – Paris dhe Lurd

Në Paris, Papa do të vizitojë Maison Bakhita, qendër e ndihmës dhe integrimit shoqëror, dhe do të takohet me anëtarët e Asamblesë sinodale provinciale, katekumenët dhe neofitët. Pas kremtimit të Meshës së Shenjtë në Place de la Concorde, do të udhëtojë drejt Lourdes, ku do të lutet në Shpellën e Shfaqjeve të Massabielle, në Shenjtëroren e Zojës së Lurdit.

Dita e tret: E diel, 27 shtator – Lurd

Në Lurd, Papa do të takohet me ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Franceze dhe do të kremtojë Meshën e Shenjtë në Shenjtëroren e Zojës. Më pas do të takohet me personelin dhe të ftuarit e Accueil Notre-Dame, me motrat e jetës soditëse në Manastirin e Karmelitëve, ndërsa mbrëmja do të përmbyllet me Rruzaren e Shenjtë dhe procesionin me pishtarë.

Dita e katërt:  E hënë, 28 shtator – Lurd dhe Metz

Në ditën e fundit, Papa do të udhëtojë drejt Metz-it, ku do të zhvillojë një takim ndërfetar dhe një takim me temën «Në rrënjët e Evropës për paqen dhe unitetin». Vizita do të përmbyllet me Meshën e Shenjtë në Katedralen e Shën Shtjefnit, përpara kthimit në Romë.

Motoja e udhëtimit apostolik është: «Që bota të ketë jetën» (khs. Gjn 6,51). Kjo moto e vendos në qendër të udhëtimit apostolik të Papës Krishtin, dhuratën e jetës, shpresën, bashkimin, paqen, pajtimin dhe vëllazërinë. Ajo shpreh gjithashtu dëshirën e Kishës në Francë për ta pritur Papën me gëzim dhe me një dëshmi të ripërtërirë të jetës që vjen nga Hyji.

Udhëtimi i Papës Leonit XIV bashkon kështu disa dimensione: dialogun me autoritetet dhe shoqërinë civile, jetën e Kishës, takimin me të rinjtë, kujdesin për personat në nevojë, dialogun ndërfetar, lutjen, kremtimin liturgjik dhe thirrjen për paqe e unitet në Evropë. Në qendër të të gjitha këtyre qëndron mesazhi i vizitës: të dëshmohet shpresa dhe të punohet që bota të ketë jetën, përmes paqes, pajtimit, vëllazërisë dhe respektimit të dinjitetit të çdo njeriu.

Shpëndaje: