Familja ka nevojë për afërsi dhe mbështetje

Reflektime nga takimi në Vatikan me rastin e dhjetëvjetorit të nxitjes apostolike Amoris laetitia

 

Si t’i ndihmojmë të rinjtë të besojnë në një dashuri që zgjat gjithë jetën? Si t’i mbështesim bashkëshortët në vitet e para të martesës? Këto pyetje ishin në qendër të punimeve të 9 dhe 10 tetorit në takimin ndërkombëtar për familjen, që po mbahet në Vatikan, nga 7 deri më 14 tetor 2026.

Takimi shënon dhjetëvjetorin e Amoris laetitia, dokumentit të Papa Françeskut për dashurinë në familje, i cili bashkon krerët e Kishave Katolike Lindore dhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvore të botës. Në të merr pjesë edhe Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Prizrenit–Prishtinës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shën Çirilit dhe Metodot. Pjesëmarrja e tij krijon mundësi që përvoja e Kishës sonë dhe shqetësimet e familjeve në Kosovë të jenë pjesë e këtij reflektimi të përbashkët.

Në diskutime u theksua se të rinjtë vazhdojnë ta duan dashurinë, por shpesh kanë frikë se ajo nuk mund të zgjasë. Përvojat e ndarjeve, pasiguria për të ardhmen dhe vështirësitë e jetës mund ta dobësojnë besimin e tyre në martesë. Për këtë arsye, ata kanë nevojë të dëgjohen dhe të takojnë çifte që dëshmojnë se besnikëria dhe dashuria janë të mundshme edhe nëpërmjet vështirësive.

Një porosi e rëndësishme ishte se kujdesi i Kishës për çiftet nuk duhet të përfundojë ditën e kurorëzimit. Vitet e para të martesës sjellin ndryshime të mëdha: bashkëshortët mësojnë të jetojnë së bashku, të përballojnë mosmarrëveshjet, të organizojnë ekonominë familjare dhe të marrin përgjegjësinë për fëmijët. Në këtë rrugë, mbështetja e famullisë dhe e çifteve me përvojë mund të jetë shumë e çmuar.

Jeta bashkëshortore kërkon që burri dhe gruaja të ndërtojnë një “ne”, duke respektuar personalitetin dhe dinjitetin e secilit. Kjo do të thotë ta dëgjosh tjetrin, t’ia njohësh dhuntitë dhe ta ndihmosh të zhvillohet. Dashuria rritet nëpërmjet mirëkuptimit, faljes dhe përgjegjësive të përbashkëta. Edhe një krizë mund të bëhet mundësi për ta ripërtërirë lidhjen, kur të dy janë të gatshëm të bisedojnë dhe të kërkojnë ndihmë.

Për familjet në Kosovë, këto reflektime lidhen edhe me plagën e migrimit. Largimi për punë shpesh ndan bashkëshortët dhe fëmijët nga prindërit, ndërsa të moshuarit mbeten vetëm. Të rinjtë kërkojnë një jetë më të mirë, por largësia mund t’ua dobësojë lidhjen me rrënjët dhe trashëgiminë familjare. Prandaj, mbështetja e familjeve duhet të përfshijë edhe ruajtjen e lidhjeve mes brezave.

Prania e Imzot Dodë Gjergjit në këtë takim ka rëndësi për jetën baritore të Dioqezës sonë: përvojat dhe reflektimet e ndara në Vatikan mund të ndihmojnë në një kujdes më të afërt për të rinjtë, bashkëshortët dhe prindërit.

Porosia që del nga këto ditë është e kuptueshme për të gjithë: familja ka nevojë të dëgjohet, të shoqërohet dhe të mbështetet në jetën e përditshme.

Shpëndaje: