LITANITË LAURETANE: 9. Mbretëresha e shenjtës rruzare

“Kështu më thotë Zoti: puno për vete litarë e një zgjedhë dhe mbërtheje në qafën tënde” (Jer 27,2).

“Futi këmbët e tua në prangat e saja, qafën tënde në vargonjtë e saj, ule krahun tënd dhe mbarte atë dhe mos të mërzisin vargjet e saja. Afrohu tek ajo me gjithë shpirtin tënd e me të gjithë fuqitë e tua ruaji udhët e saja. Gjurmo, shqyrto e kërko edhe do ta gjesh e, kur ta kesh gjetur, më mos e lësho. Në mbarim në të do ta gjesh paqen dhe do të të kthehet në gëzim. Prangat e saja do të jenë për ty mbrojtje e fortë dhe vargonjtë e saj stoli e lavdishme. Sepse mbi të është një stoli ari, vargjet e saja rripa pëlhure të purpurt” (Sir 6,25-31).

Pse Zoja jonë e do aq shumë Rruzaren? Sepse në të ne kujtojmë veprat e mëdha që Biri i saj hyjnor ka bërë për të dhe për njerëzimin. Sa zhgënjyese është kur marrim një mirësi të veçantë nga dikush dhe shohim se të tjerët nuk e vlerësojnë sipas vlerës së saj të vërtetë! Si digjen zemrat tona, të mbushura me mirënjohje, që të gjithë ta njohin bujarinë e këtij veprimi, kujdesin që e ka frymëzuar, hollësinë me të cilën është kryer, e kështu me radhë; dhe kur gjejmë një mik të mirëkuptueshëm që e kap plotësisht këtë gjë dhe lavdëron në përpjesëtim bamirësit tanë, a nuk gëzohemi sikur të kishim gjetur një thesar? Kështu edhe Maria vëzhgon me mirënjohje plot dashuri bijtë e saj që meditojnë misteret e Rruzares, duke u përpjekur t’i kuptojnë dhe duke gjetur gjithnjë e më shumë arsye për habi, lavdërim dhe falënderim. Në Misterin e Lajmërimit, ne meditojmë atë provë të jashtëzakonshme të dashurisë së Hyjit për njeriun, Mishërimin, dhe përulësinë e Tij të mrekullueshme duke zgjedhur të ketë një Nënë.

Në Vizitën te kushërira e saj, Elizabeta, e shohim Atë duke zgjedhur përshëndetjen e asaj Nëne si mjet për të vepruar mrekulli hiri në shpirtin e Gjon Pagëzorit, dhe ne i bëjmë jehonë thirrjes së Marisë se Ai ka bërë gjëra të mëdha për të, duke i dhënë kështu një gëzim të pashprehshëm zemrës së saj. Në misterin e tretë, përkulemi me dashuri mbi Birin e saj foshnjë, duke e lavdëruar, dashur dhe ngushëlluar me praninë dhe bashkëndarjen tonë.

Dhjetëshat e mundimit na paraqesin deri ku Biri i saj hyjnor e çoi bujarinë dhe dashurinë e Tij të zjarrtë për njeriun, ndërsa ato të lavdishmet dëshmojnë fitoren e Tij mbi vdekjen dhe nderimet që Ai i dha Nënës që i qëndroi aq besnike gjatë jetës. Çfarë çudie që Maria e do Rruzaren dhe fiton hire kaq të mëdha për ata që e luten me përkushtim! Çfarë mrekullie që Ati ynë i Shenjtë, Papa, e mban në një vlerësim kaq të lartë! Ajo është një përmbledhje e mirësisë së Hyjit ndaj nesh dhe na bën të kujtojmë veprat e mëdha që Ai ka bërë për të fituar dashurinë tonë dhe për të na shpëtuar nga humbja e amshuar. “Bekoje shpirti im Zotin dhe mos i harro të gjitha të mirat që të ka bërë”, mund të jetë thirrja jonë pasi të kemi lutur Rruzaren: “Sepse i Plotfuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua, i shenjtë është Emri i Tij.”

Pastaj, përveç mendimeve që na zënë gjatë lutjes së saj dhe që i japin ngjyrim fjalëve që themi, janë vetë fjalët, më të pëlqyeshme për Hyjin të cilat mezi mund të përfytyrojmë. Lavdia (“Lavdi Atit…”), me të cilën përfundon çdo dhjetëshe, është një kujtesë se detyra kryesore e krijesës ndaj Krijuesit është lavdërimi; dhe nëse kemi medituar mirë misterin që kemi soditur, nuk do të na mungojnë arsyet për ta nxitur veten në shpirtin e lavdërimit në shkallën më të lartë.

“Ati ynë”, i dhënë nga vetë Zoti ynë nxënësve të Tij kur ata i kërkuan t’i mësonte të luteshin. “Të falemi, o Mari”, i shqiptuar së pari nga një kryeengjëll, i dërguar me një mision të veçantë nga Hyji, duke përcjellë mesazhin që i ishte besuar nga i Gjithëpushtetshmi, dhe të cilit ne i shtojmë fjalët e Shën Elizabetës, të shqiptuara kur Zoti kishte bërë një mrekulli hiri në të.

Nëse, në Rruzare, nuk do të bënim asgjë tjetër veçse të thoshim pesëdhjetë herë, siç bëjmë: “I bekuar është fryti i barkut tënd, Jezusi”, do ta kuptonim se kjo e mbush zemrën e Marisë me gëzim dhe mirënjohje. Sepse, nëse ka pak dhimbje më të mëdha sesa të dëgjosh ata që i do të përçmohen dhe të shpifen—dhe në rastin e saj nuk mund të kishte më të madhe, sepse Ai që ajo e donte me gjithë qenien e saj ishte Hyji i saj—po ashtu nuk mund të ketë gëzim më të madh sesa të dëgjosh lavdet e Tij.

Me dëshirë, pra, ajo dëgjon pjesën e fundit të “Të falem, o Mari”, kur e para është thënë me nderim; dhe shumë janë hiret që ajo do të na nxjerr, tani dhe në orën e vdekjes sonë, nëse jemi të qëndrueshëm dhe besnikë në këtë përkushtim.

Mbretëresha e shenjtës rruzare – lutu për ne!

 

Teksti është marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html

Përkthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi

Shpëndaje: