
Një jubile, ai i 100-vjetorit të themelimit Famullisë së Zojës së Rruzares në Smaç–Bishtazhin, Gjakovë, që bashkoi më 7 tetor 2026 mijëra besimtarë në lutje e mirënjohje, duke përtërirë trashëgiminë e besimit, vëllazërimit dhe pajtimit.
Nga Albert Bisaku
Festa e pajtorës së Famullisë – Zoja Rruzare
Muaji tetor, kushtuar Rruzares së Shenjtë, na kujton fuqinë e lutjes që bashkon brezat, forcon besimin dhe hap zemrat ndaj faljes e paqes. Në këtë frymë, Famullia e Zojës së Rruzares në Smaç–Bishtazhin të Gjakovës, dioqezës Prizren-Prishtinë, kremtoi 100-vjetorin e themelimit, me një jubile që bashkoi mijëra besimtarë në lutje, mirënjohje dhe kujtim të një shekulli historie. Një kremtim që, përtej përkujtimit të së kaluarës, përcolli një mesazh të gjallë shprese, vëllazërimi dhe pajtimi.
Ky jubile i rëndësishëm u shndërrua në një rast të veçantë për të kujtuar historinë e famullisë, për të nderuar brezat që e ndërtuan dhe e mbajtën gjallë atë, si dhe për të ripërtërirë besimin dhe përkushtimin ndaj Zojës së Rruzares.
Para fillimit të Meshës qendrore, besimtarëve iu drejtua virtualisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Eminenca e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani. Për shkak të rrethanave të papritura, kardinali nuk mundi të ishte i pranishëm në Bishtazhin dhe të kryesonte kremtimin qendror, siç ishte parashikuar. Në mesazhin e tij, kardinali Simoni dëshmoi rëndësinë e lutjes së Rruzares, duke sjellë në kujtesë përvojën e tij të dhimbshme të burgosjes në burgun e Spaçit, gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Në ato vite të errëta të përndjekjes, lutja e heshtur e Rruzares ishte për të një burim i pashtershëm force shpirtërore, shprese dhe qëndrese në besim. Duke iu drejtuar besimtarëve, ai i ftoi që edhe sot ta lusin Rruzaren e Shenjtë katër herë, të ruajnë pastërtinë e kurorës, të nderojnë nanat, vëllazërimin e të gjithë popujve faljen e armiqve. Mesazhi i kardinalit ishte një thirrje e fuqishme për ta jetuar fenë jo vetëm përmes lutjes, por edhe përmes dashurisë, pajtimit dhe faljes.
Meshën e Shenjtë jubilare në Bishtazhin e kryesoi Imzot Rrok Gjonlleshaj, ish-famullitar i kësaj bashkësie dhe tani Arqipeshkëv i Tivarit në Mal të Zi. Në fjalën e tij hyrëse, ai përgëzoi besimtarët për 100-vjetorin e themelimit të famullisë, duke theksuar kuptimin e thellë të këtij përvjetori. “100 vjet nuk janë vetëm numër, por janë 100 vjet lutje, meshë, Sakramente, bashkëjetesë”, u shpreh ai. Në këtë frymë, Imzot Gjonlleshaj kujtoi dhe falënderoi të gjithë ata që e themeluan famullinë dhe që, gjatë një shekulli, kontribuuan në ndërtimin, zhvillimin dhe jetën e saj shpirtërore.
Predikimin gjatë Meshës së Shenjtë e mbajti don David Gjugja, drejtor i programit në gjuhën shqipe të Radio Vatikanit-Vatican News. Predikimi i tij ishte veçanërisht i përzemërt dhe emocional, pasi ai kthehej pas shumë vitesh në famullinë ku kishte lindur, ishte pagëzuar dhe kishte hedhur hapat e parë të formimit të tij fetar dhe kombëtar. Kthimi në këtë vend të kujtimeve të para të jetës dhe të besimit e bëri kremtimin edhe më domethënës, duke e lidhur historinë personale me historinë e një bashkësie të tërë. Në predikimin e tij, don David Gjugja vuri në pah rëndësinë e ruajtjes dhe të përcjelljes së fesë nga një brez te tjetri. Kujtimi i historisë së famullisë, në këtë jubile, theksoi ai, nuk duhet të mbetet vetëm një përkujtim i së kaluarës, por duhet të shërbejë si një thirrje për të vazhduar misionin e saj dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj thesarin e besimit të krishterë.
Në këtë rast të veçantë, Don David Gjugja përcolli gjithashtu nga Selia e Shenjtë Bekimin Apostolik të Papës Leonit XIV për famullinë dhe besimtarët e saj, me rastin e 100-vjetorit të themelimit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe motër Loreta Lekaj, Eprore e Përgjithshme e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në Austri, si dhe motër Ollga Dulaj, eprore e këtij rregulli, së bashku me shumë personalitete të tjera nga jeta publike. Motra Loreta Lekaj në fjalën e saj uroi:
Edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përgëzoi besimtarët me rastin e këtij jubileu, duke iu bashkuar urimeve për njëqindvjetorin e një bashkësie që ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të kësaj ane.
Për famullitarin e kësaj bashkësie, don Lush Sopi, jubileu i themelimit ishte një rast i çmuar për të kujtuar me mirënjohje historinë e famullisë dhe të gjithë ata që, ndër breza, kanë dhënë kontributin e tyre në jetën e saj. Pas një shekulli, kjo histori dëshmon jo vetëm për qëndrueshmërinë e besimit, por edhe për përkushtimin, sakrificat dhe solidaritetin e njerëzve që e kanë mbajtur gjallë këtë bashkësi.
Në kuadër të kremtimeve jubilare u organizua edhe një ekspozitë fotografike, e cila paraqiti dëshmi historike nga njëqindvjeçari i famullisë. Përmes fotografive u risollën në kujtesë njerëz, ngjarje dhe momente që kanë shënuar jetën e bashkësisë gjatë këtyre njëqind viteve. Po ashtu, në vigjilje të festës u mbajtën disa kumtesa, të cilat pasqyruan arritjet, zhvillimet dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar famullia gjatë historisë së saj.
Ndër çastet më domethënëse të këtyre kremtimeve ishte pajtimi ndërmjet dy familjeve dhe falja e gjakut, pas 23 vitesh. Ky akt i guximshëm dhe thellësisht njerëzor i dha jubileut një dimension të veçantë shpirtëror dhe shoqëror. Në një kohë kur shoqëria ka nevojë të madhe për mirëkuptim dhe bashkim, ky pajtim përcolli një mesazh të fuqishëm se paqja është e mundur, se plagët e së kaluarës mund të shërohen dhe se ndarjet ndërmjet familjeve mund të kapërcehen përmes faljes, dialogut dhe vullnetit për t’u pajtuar.
Kështu, kremtimi i 100-vjetorit të Famullisë së Zojës së Rruzares në Bishtazhin nuk ishte vetëm një përkujtim i një shekulli historie, por edhe një dëshmi e gjallë e fuqisë së besimit për të bashkuar njerëzit, për të shëruar plagët dhe për të hapur shtigje të reja shprese. Nën mbrojtjen e Zojës së Rruzares, kjo bashkësi e nisi shekullin e dytë të jetës së saj me një thirrje të ripërtërirë për lutje, vëllazërim, falje dhe përcjelljen e besimit te brezat e ardhshëm.
Historiku i Famullisë së Bishtazhinit
Në një shënim të Dr. Dom Gasper Gjinit në librin Ipeshkvia Shkup-Prizren, Smaçi vendoset në hartën e zhvillimeve më të rëndësishme të kohës, në territorin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren.
Përmendja e tij krahas qendrave të tjera dëshmon se ndërtimi i kishës në Smaç nuk ishte një ngjarje e shkëputur apo thjesht vendore. Ai ishte pjesë e një veprimtarie më të gjerë baritore dhe ndërtimore, përmes së cilës ipeshkvi Gnidovec synonte t’i forconte bashkësitë katolike dhe t’u siguronte atyre vende të qëndrueshme për lutje, kremtime liturgjike dhe organizim famullitar.
Sipas burimeve, më 27 prill të vitit 1941, në Shkup është djegur Arkivi Ipeshkvor. Pastaj, tre vite më vonë, në nëntor të vitit 1944, është djegur edhe shtëpia e priftit në Smaç. Kështu që ato dokumente që kishin qenë me rëndësi për historinë e Famullisë, mungojnë plotësisht.
Historia e Famullisë Smaç–Bishtazhin përmbledh disa etapa të rëndësishme. Sipas një shkrimi të bukur të Imzot Hil Kabashit, me titull PËR ZOTIN ASGJË NUK ËSHTË TEPËR BUKUR, të botuar në revistën Drita, shërbimet fetare në vitet 1925-1926, për rreth një vit, janë bërë në shtëpinë e Tune Pal Karricës në Bishtazhin. Mirëpo, për shkak të afërsisë së rrugës dhe rrethanave në të cilat gjendej atëherë populli i krishterë, kur me pushkë në dorë duhej ta përcillnin meshtarin, e kanë transferuar vendin e ndërtimit dhe e kanë caktuar te Gjon Mark Radi, prapë në Bishtazhin, “Te Dudi“. Edhe pse materiali ndërtimor për ta ndërtuar kishën ishte blerë, ajo nuk filloi të ndërtohej aty, por materiali u bart për në Smaç. Sipas reportazhit të Pater Hil Kabashit, i cili bazohet në dëshmitë e kohës, trualli i ri për kishën në Smaç ishte pronë tri pjesësh: një pjesë e kishte falur një vejushë myslimane nga Gjakova për “hajrate“, një pjesë ishte pronë e Prekë Gjokë LLeshdedës dhe një pjesë ishte mali i Gjokë Ndrec Radit.
Ndërtimi i kishës në Smaç filloi në vitin 1926. Në këtë vit u bë edhe shkëputja apo pavarësia nga Famullia e Gjakovës. Festimi i parë i festës së Zojës Rruzare në kishën e re u bë në vitin 1928, ndërsa bekimi apo shenjtërimi i kishës në vitin 1929. Në katin përdhes thuhej mesha, ndërsa në katin e parë ishte konaku i priftit.
Nga dokumentet origjinale të asaj kohe, në zyrën e Famullisë është Amza e të Pagëzuarve, latinisht “Status animarum”. Njeriu i parë i regjistruar zyrtarisht në Famullinë në Smaç është Ndue Shala nga Marmulli, i regjistruar më 9 korrik të vitit 1926, dhe meshtari që e ka pagëzuar ka qenë Allojz Gashi, siç shkruan në dokument.
Fjala është për famullitarin e parë në Smaç, që shumë e kanë quajtur Don Luz, dhe bëhet fjalë për Don Luigj Gashin, i cili, bashkë me ish-famullitarin e Novosellës Dom Shtjefen Kurtin dhe ish-famullitarin e Becit Dom Gjon Bisakun, më 5 maj të vitit 1930, paraqitën pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë memorandumin e njohur, duke dokumentuar faktet dhe materialet denoncuese për gjenocidin kundër shqiptarëve nga autoritetet jugosllave. Më vonë, ata u detyruan ta lëshojnë vendin e shërbimit, atdheun, për shkak të përndjekjeve që iu bënë.
Pas Don Luigj Gashit, në Smaç shërbyen Don Franë Knjazi, Don Marjan Gllasnoviq dhe Don Simon Gjokaj. Don Lukë Filaj apo Filiqi, me prejardhje nga Janjeva, i cili ka shërbyer në Famullinë e Smaçit nga viti 1934 deri në vitin 1962, e ka sakrifikuar veten si meshtar për këto treva. Duhet veçuar angazhimin e tij të madh rreth të përndjekurve dhe të masakruarve të besimtarëve të Famullisë nga serbët, Pashkëve në prill të vitit 1941. Don Luka, i cili e ka folur bukur latinishten, i ka mbajtur edhe shënimet e çdo besimtari të masakruar.
Në vitet e fundit të jetës së tij, ipeshkvi Imzot Smiljan Franjo Čekada e dërgoi Don Milorad Defarin, priftin kroat, për ndihmës meshtar në Smaç. Me ardhjen e meshtarit të ri, iniciativa tek besimtarët për ndërtimin e një kishe të re fitoi edhe një përkrahje.
Për shkak të terrenit rrëshqitës, për pak kohë muret e kishës në Smaç nisën të plasariten nga kulmi deri në themel. U përpoqën të bëjnë përforcime, por pa sukses. Me tërmetin e Shkupit, më 26 korrik 1963, dhe tërmetin në Mal të Zi më 3 shkurt 1964, nga dridhjet e tokës kisha pësoi dëmtime të tjera dhe u bë tejet e rrezikshme për shërbime fetare.Komisioni Urbanistik i Gjakovës konstatoi rrezikimin e kishës dhe e ndaloi përdorimin e saj të mëtejshëm. Gjatë asaj kohe, mesha u tha përjashta.
Pasi u rrënua kisha e vjetër, u dha leja për ndërtimin e kishës së re, duke menduar se do të ndërtohej në vendin e mëparshëm. Por shumica e besimtarëve, në krye me Këshillin e Kishës në atë kohë, ishin për ndërtimin e kishës në Bishtazhin. Pozita gjeografike e Bishtazhinit shihej si më e volitshme për të gjitha fshatrat që e përbënin këtë Famulli. Atëherë u bë anketa në të gjitha fshatrat e Famullisë së Bishtazhin-it: Bërdësanë, Rezinë, Bishtazhin, Dol, Fshaj, Kusar, Kushavec, Marmull, Pjetroshan, Smaç, Terravë dhe Ujëz. Anketa u bë me nënshkrime, duke iu përgjigjur pyetjes: A të ndërtohet kisha në Smaç apo në Bishtazhin? Rezultati i anketës: prej 360 shtëpive të anketuara, përveç 12 shtëpive, të gjitha nënshkruan dhe ranë dakord që kisha të ndërtohej në Bishtazhin. Ndue Dedë Mirdita, bashkë me bashkëshorten e tij Filen, të dy në amshim, patën zemër të mirë dhe e dhuruan tokën e pasurinë e tyre për të ndërtuar këtë kishë të bukur që e gëzojnë besimtarët sot.
Për t’u ndërtuar kjo kishë, është sakrifikuar shumë. Kjo nënkupton se institucionet dhe individë të caktuar të kohës komuniste, në dekadën e viteve të 60-ta, e kundërshtuan ndërtimin e saj. Për një kohë të gjatë i kanë përbuzur besimtarët tanë, i kanë lënduar shpirtërisht dhe i kanë klasifikuar në forma të ndryshme, por nuk i kanë thyer, sepse pas tyre ka qëndruar Zoja Rruzare, me lutjen dhe bekimin e saj.
Kjo zonë është e njohur për burra të guximshëm, atdhetarë, besimtarë dhe patriotë. Secili fshat i kishte nga dy këshilltarë. Ndër emrat që më së shumti kanë kontribuar për t’u marrë leja dhe për t’u ndërtuar Kisha në Bishtazhin kanë qenë Augustin Bisaku dhe Mark Prenreca, të cilët i kanë prirë fuqishëm besimtarëve të Bishtazhinit. Marmulli në atë kohë i kishte përfaqësuesit e tyre Nikë Paloken dhe Tun Rrasin, nga Ujzi ishte Nue Karaqi dhe Mark Markaj ishte nga Fshaji; Mhill Bezhi e Zef Nreca nga Doli; Sokol Rrasi nga Kusari; Llesh Preni nga Pjetërshani; Franë Domgjoni e Frrok Kaqinari nga Kushaveci; Gjokë Lleshi nga Bërdësana; Martin Leshdedaj nga Smaqi, e shumë emra të tjerë, të cilët asnjë prej tyre nuk jetojnë më. Sot Famullia i kujton me nderim këta burra dhe veprën e tyre, duke qenë mirënjohëse për kontributin e dhënë dhe për popullin që i ka mbështetur.
Gjakova, Prishtina dhe Beogradi ishin vendet ku ata kërkuan të drejtat e tyre që t’u jepej leja për ndërtimin e kishës. Nuk patën frikë as kur i bojkotuan zgjedhjet në nivel shtetëror në atë kohë. As nuk u trembën kur u rrënuan këmbanat me dhunë. Për 3 vite, kur Famullia nuk kishte as kishë, as themel, meshët u kremtuan në dhomën e Mark Bisakut me vëllezër, që e kishte dhënë në dispozicion.
Në vitin 1967 u dha leja definitive për ndërtimin e kishës. Arkitekt i kësaj kishe ka qenë profesor Valdemar Balley nga Zagrebi. Ndërsa kazma e parë në themelet e kësaj kishe ka hyrë më 3 maj të vitit 1968 dhe gurin e themelimit e ka bërë Imzot Čekada, me një shumicë të madhe besimtarësh dhe zemra të gëzuara. Inxhinieri që me aq shumë zemër i drejtoi punimet në kishë ka qenë Pren Krasniqi. Punimet në kishë kanë zgjatur 8 vjet, pasi vetëm themelet janë të gjera 5 metra dhe secili gur është i gdhendur me dorë. Në atë kohë famullitar ka qenë Don Mila, i cili shërbeu 25 vite dhe është edhe meritë e tij që është ndërtuar kisha e bukur në Bishtazhin, të cilën Imzot Nike Prela, me dashuri, e quante “Bukuroshja e Kosovës”.
Sigurisht se është e pamundur të regjistrohet tërë puna 28-vjeçare sa zgjati ndërtimi i kësaj kishe, nga themelet e nisura në vitin 1968 deri në vitin 1996, kur u bë shugurimi nga Imzot Mark Sopi. Gjitha këto ndërtime kanë qenë një kontribut 80% i besimtarëve të Famullisë. Nga viti 1987, famullitar ka qenë Don Viktor Sopi, i cili, krahas detyrave meshtarake, kësaj kishe, edhe pse në rrethana të rrezikshme, ia ngriti zërin brenda dhe jashtë Kosovës, me vizita të personaliteteve të larta kishtare, në nivel ambasadorësh e deri edhe te vizita e kongresmenit amerikan Tom Lantosh. Në qoftë se kësaj i shtohen edhe dy momente të bukura: ajo e vitit 1989, kur u bë xhirimi i filmit dokumentar “Buzmi”, dhe një vit pas, festimi i 80-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, kjo tregon se Don Viktori kishte synime për vlera që të mos harrohen. Dhe sot Famullia e falënderon përzemërsisht.
Një falënderim i shkon për shërbimin dhe kontributin e tij edhe ish-famullitarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, i cili sot është argjipeshkëv i Argjipeshkvisë së Tivarit. Një kontribut të jashtëzakonshëm si famullitar shumëvjeçar ka dhënë edhe Don Marjan Dema, të cilit Famullia i është mirënjohëse përzemërsisht.Si kapelan ndër vite kanë vepruar edhe Don Anton Kçira, Don Franë Sopi, meshtari i ndjerë Don Lush Lazri, Don Izak Dodes, Don Tomë Karrica, Don Mikel Sopi e shumë meshtarë që ndihmuan në forma të ndryshme dhe Famullia u është gjithmonë mirënjohëse.
Sa u përket motrave të nderit që kanë shërbyer në Famulli, numri i tyre është shumë më i madh. Në vitin jubilar, në shërbim janë motra Ozana Demaj dhe motra Prena Prenkpalaj, të cilave Famullia u falënderon përzemërsisht për shërbimin e tyre, ashtu si dhe të gjitha motrat, të cilat brenda këtyre 100 viteve kanë shërbyer në Famulli, me mjekime, besim, edukim të fëmijëve, kujdes për të moshuarit dhe për ata që kishin nevojë.
Rreth 20 motra të pagëzuara në Famulli janë pjesëtare e rregullave të ndryshëm dhe shërbejnë në Kosovë, Shqipëri dhe misionet jashtë vendit. Famullia i ka edhe tri thirrje meshtarake. Don David Gjugja nga Marmulli gati 40 vjet e drejton programin shqip të Radio Vatikanit në Romë. Don Marjan Topalli nga Kushaveci, aktualisht famullitar në Pjetërshan dhe e drejton këtë Famulli, e cila më herët ka qenë pjesë e Famullisë së Bishtazhin-it. Don Mhill Gojani nga Marmulli është rektor i Shenjtërores Dioqezane Mariane në Nova Rača të Kroacisë. Këtë 100-vjetor jubilar Famullia e kremton nën udhëheqjen e meshtarit tëi devotshëm, Don Lush Sopi.
Historia e një Famullie nuk përbëhet vetëm nga datat e themelimit, nga emrat e meshtarëve apo nga themelet dhe muret e një kishe. Ajo ndërtohet prej kujtesës së besimtarëve, prej dokumenteve të kohës dhe prej gjurmëve që institucionet kishtare kanë lënë në jetën shpirtërore e shoqërore të një vendi. Dikur Famullia i kishte mbi 6000 besimtarë. Dikur kishte pagëzime, kungime, krezmime, kurorëzime me numra të lartë. Sot këto shifra kanë rënë dukshëm. Famullia sot i ka vetëm rreth 1300 besimtarë rezidentë. Një numër më shumë se trefish më i lartë jetojnë në vende të ndryshme.
Shumë bashkëvendës mund të jetojnë mijëra kilometra larg dhe përsëri ndihen pjesë e kësaj bashkësie. Sepse mërgimtari nuk merr me vete vetëm një valixhe. Ai e merr gjuhën, kujtimet, familjen, traditën dhe fenë. Merr me vete edhe zërin e këmbanave të kishës ku është pagëzuar, ku është rritur dhe ku janë lutur prindërit dhe të parët e tij.
Zoti e bekoftë këtë Famulli, besimtarët e saj, familjet, ata që jetojnë në Famulli dhe të gjithë bijtë e bijat në mërgim. Gëzuar 100-vjetorin e Famullisë së Zojës Rruzare!

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër
