Selia e Shenjtë përballë sistemeve totalitare në shekullin XX:  Edhe sot vazhdon tundimi për të imponuar ideologji

Fjala e Sekretart të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, e mbajtur të mërkurën, më 28 tetor, në konferencën ndërkombëtare shkencore me temë “Selia e Shenjtë përballë sistemeve totalitare në shekullin XX. Vështrime të reja dhe perspektiva kërkimore”, që u mbajt në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.

 

Kur Papa Piu XI, në vitet njëzet të shekullit të kaluar, përshkroi botën e kohës së tij, dha një gjykim mjaft të zymtë për të: e shihte të shënuar nga një krizë e thellë morale, ekonomike dhe politike, nga pakënaqësia e përgjithshme dhe nga barbarizmi i shoqërisë, i maskuar me fjalë nëpërmjet parullave mbi përparimin. Papa i gjeti shkaqet e kësaj gjendjeje te laicizmi, te ajo “murtajë e epokës sonë”, e cila e kishte përjashtuar fenë nga jeta publike, nuk e njihte më Hyjin si qendër dhe autoritetin më të lartë të historisë, por e kishte zëvendësuar me njeriun, të ngritur në burim të së vërtetës dhe të së drejtës. Kështu, laicizmi e zhdukte dallimin objektiv midis së mirës dhe së keqes dhe i hapte rrugën qëndrimeve egoiste e utilitariste, si edhe ideologjive materialiste.[1]

Pas laicizmit, të nxitura nga rrënojat materiale dhe shkatërrimi moral që shkaktoi Lufta e Parë Botërore; nga dallimet e thella dhe përplasjet politike, ideologjike e shoqërore që e mundonin kontinentin, i cili kishte nënshkruar traktatet e paqes, por nuk e kishte gjetur paqen e vërtetë; nga propaganda e masës dhe dobësimi i bashkësive të natyrshme njerëzore; si dhe, në planin intelektual, nga ndërthurja e radikalizmit moralizues të trashëguar nga Rusoja me gnosticizmin hegelian[2], qëndronin regjimet totalitare që premtonin realizimin e një utopie shoqërore në këtë botë. Nga ky pretendim nxirrnin të drejtën dhe detyrimin për ta nënshtruar plotësisht njeriun dhe për ta shndërruar krejtësisht shoqërinë. Duke e ngritur klasën shoqërore, racën ose shtetin në altar, në vend të Hyjit, ato i shenjtëruan konceptet e tyre ideologjike dhe krijuan fe politike, me “liturgjitë” e veta, profetët, martirët dhe normat etike, që e shkrinin personin njerëzor në kolektivin gjithëpërfshirës, e privonin nga dinjiteti njerëzor dhe ia kufizonin lirinë e gjykimit moral te detyrimi për të vepruar në përputhje me interesin e kolektivit, të përcaktuar historikisht. Siç tha udhëheqësi i revolucionit bolshevik, Vladimir Il’ič Lenin, në Kongresin e Tretë Panrus të Komsomolit, më 2 tetor 1920: “Morali ynë i nënshtrohet plotësisht luftës klasore të proletariatit”. Një sistem i tillë nuk lejonte asnjë mospajtim: kushdo që nuk pajtohej me “të mirën e përbashkët” të përcaktuar ideologjikisht, duhej të detyrohej dhe dhuna u bë një dukuri e brendshme.

Ideologjitë me karakter pseudo-fetar, pavarësisht nëse ishin “grupuar rreth revolucionit shoqëror”, si komunizmi, apo ishin “të pushtuara nga bestytnia e racës dhe e gjakut”, si nacionalsocializmi, për të cituar fjalët e kardinalit sekretar të Shtetit, Eugenio Pacelli, të thëna gjatë vizitës së tij në Lurdë më 1935[3], ishin në kundërshtim të papajtueshëm me krishterimin dhe, që në fillim, shkaktuan një valë përndjekjesh kundër Kishës Katolike.

Megjithatë, përballë ngritjes së regjimeve totalitare në Evropë, Selia e Shenjtë, në një fazë të parë, në përpjekje për t’i mbrojtur katolikët që jetonin nën këto regjime dhe për t’i siguruar Kishës një hapësirë minimale veprimi, zgjodhi rrugën e marrëveshjeve: gjatë viteve njëzet, negociatat me Bashkimin Sovjetik, të cilat dështuan pa sjellë asnjë rezultat më 1927; Paktet e Lateranit me Italinë fashiste më 1929; dhe, më 1933, Konkordatin me Gjermaninë naziste, i cili u negociua me shpejtësi, por më pas u shkel sistematikisht nga regjimi nacionalsocialist. Këto marrëdhënie, me partner të nënshtruar ideologjive armiqësore ndaj krishterimit, ishin të brishta dhe të vështira, që kardinali sekretar i Shtetit, Pacelli, gjatë një bisede me François Charles-Roux, ambasadorin francez pranë Selisë së Shenjtë, i përshkroi me këto fjalë: “Nuk bëhet fjalë për një luftë politike, por për një luftë të Weltanschaung (botëkuptimesh)”[4]. Këto ideologji tashmë kishin marrë një emër: totalitarizëm.

Pasi shteruan të gjitha mundësitë diplomatike, Papës dhe kardinalit të tij, sekretar i Shtetit, nuk u mbeti alternativë tjetër veçse të nxirrnin dënime të qarta doktrinare, që kulmuan me “pranverën e tri enciklikave”, kur, në mars të vitit 1937, Piu XI botoi tri letra enciklike, me të cilat dënoi nacionalsocializmin, komunizmin dhe regjimin liberal-socialist antikatolik në Meksikë. Ndonëse kishin natyrë dhe destinacion të ndryshëm, vetë fakti se u botuan thuajse njëkohësisht dhe mbështeteshin në deklarata të përbashkëta programore dëshmonte se synimi i Papës shkonte përtej qëndrimeve të veçanta lidhur me kontekste të caktuara kombëtare; synonte t’i interpretonte dhe dënonte “herezitë e kohës” brenda një kuadri të përbashkët themelor[5]. Pavarësisht dallimeve mes situatave të veçanta, Papa shprehu qartë se të gjitha këto devijime heretike buronin nga i njëjti materializëm, i cili, duke mohuar Hyjin, pretendonte t’i sillte botës një shpëtim të ri nëpërmjet mjeteve revolucionare njerëzore.

Këtë qëndrim themelor e mbajti edhe pasardhësi i tij, Piu XII, i cili kishte qenë sekretar i Shtetit i Papës Ratti, në letrën e tij të parë enciklike, Summi Pontificatus. Në atë çast dramatik, të shënuar nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore, kur para botës hapej humnera e vuajtjeve më të tmerrshme, Ati i përbashkët i katolikëve e ndjeu si detyrë ta ngrinte zërin, për t’i drejtuar sytë dhe zemrat kah Hyji, i Vetmi, e vërteta dhe dashuria e të cilit mund t’i ndriçonin mendjet e t’ua ndiznin zemrat njerëzve të zhytur në gabim dhe në përleshje, me qëllim që t’i jepej fund kësaj stuhie dhe njerëzimi i çorientuar të riorganizohej sipas frymës së krishterë. Mesazhi kyç i enciklikës niste me një pohim që prekte thelbin e problemit: “Në krye të udhës që çon drejt varfërisë shpirtërore dhe morale të kohëve të sotme qëndrojnë përpjekjet shkatërrimtare të jo pak njerëzve për ta rrëzuar Krishtin nga froni, shkëputja nga ligji i së vërtetës që Ai shpalli dhe nga ligji i dashurisë, që është fryma jetëdhënëse e Mbretërisë së tij”. Prandaj, sado shkatërrues të ketë qenë roli i këtij apo atij diktatori të shekullit XX, rrënja më e thellë dhe përfundimtare e konfliktit gjendej edhe më thellë: te shkëputja i shoqërisë nga doktrina e Krishtit, e cila dikur i kishte dhënë Evropës kohezion shpirtëror; te harresa e ligjit natyror dhe te refuzimi i një norme morale universale, që duke nxitur “laicizimin aq shumë të mburrur të shoqërisë”, e kishte shkëputur njeriun, familjen dhe shtetin nga Hyji, duke i çuar drejt “një paganizmi të korruptuar  dhe korruptues”: “Pasi e kryqëzuan Jezusin, u bë terr”. Si rrjedhojë, vetëm kthimi te Hyji dhe te rendi i mbështetur në vlerat e krishtera mund ta kthente njerëzimin e munduar te tranquillitas ordinis, te paqja e vërtetë, e themeluar në drejtësi dhe barazi.

Pasi dështuan të gjitha përpjekjet për ndërmjetësim paqeje mes palëve armike, Piu XII zgjodhi një rrugë tjetër për ta udhëhequr grigjën e Krishtit mes shkëmbinjve të luftës: ndihmën shpirtërore të Atit të përbashkët për të vuajturit, të lidhur veçanërisht me përshpirtërinë e tij të thellë mariane; një diplomaci bamirësie/karitative të pashembullt, e cila, përmes një rrjeti të dendur organizatash dhe strukturash kishtare në mbarë botën, u vinte në ndihmë të përndjekurve dhe nevojtarëve të çdo kategorie; si dhe hartimin e një vizioni programor për periudhën e pasluftës, i cili do të garantonte një paqe të drejtë e të qëndrueshme, të mbështetur në frymëzimin e krishterë, në solidaritetin ndërkombëtar dhe në respektimin e dinjitetit e të të drejtave natyrore të njerëzve dhe të kombeve, përfshirë kombet e vogla dhe ato të mundura: Opus iustitiae pax — paqja është vepër e drejtësisë. Njëkohësisht, nëpërmjet rrjetit të hollë të diplomacisë, ai u përpoq të ndërhynte atje ku diplomatët e tij ende priteshin, dhe me fjalimet publike, veçanërisht me mesazhet e famshme radiofonike të Krishtlindjes, iu drejtua popullit (katolik dhe jo vetëm), për t’i ofruar orientim moral dhe për të dënuar – në mënyrë të qartë, por, njëkohësisht, që të mos shkaktonte përndjekje edhe më të rënda dhe të mos mbyllte hapësirat për ndihmën karitative – krimet e papërshkrueshme të luftës totale, Shoah in primis.

Ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, në horizont po shfaqej një rrezik i ri për Kishën Katolike: zgjerimi i komunizmit, i cili si pasojë e luftës ishte vendosur në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe kishte ndikim të madh shoqëror edhe në disa pjesë të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Itali dhe Francë.

Antikomunizmi i vendosur i Papës dhe infektimi i historiografisë së pasluftës me diskursin politik dhe ideologjik, bënë që jo pak historianë ta shihnin Papën si fanatikisht të pakompromis, të paaftë të kapërcente fiksimet ideologjike në dobi të pragmatizmit politik dhe, për këtë arsye, bashkëpërgjegjës për radikalizimin e Luftës së Ftohtë. Realiteti historik, i cili mund të rindërtohet falë dokumentacionit të Vatikanit për këtë pontifikatë, tashmë të vënë në dispozicion të studiuesve, paraqet, përkundrazi, një tablo shumë më të ndërlikuar dhe më të nuancuar. Ai na shfaq një Papë që, megjithëse e refuzonte qartë komunizmin dhe çdo kompromis ideologjik me të, si diplomat i aftë me përvojë të gjerë në diplomacinë praktike të Vatikanit dhe si Atë i përbashkët i katolikëve, edhe përballë këtij sistemi totalitar, ndiente detyrimin moral t’i vinte në ndihmë grigjës që i ishte besuar, me çdo mjet të ligjshëm, qoftë ky karitativ, shpirtëror apo diplomatik. Ai nuk i përjashtonte as negociatat dhe mundësinë e një marrëveshjeje me “demokracitë popullore”, me kusht që ato të ofronin garanci konkrete për liritë fetare dhe civile. Dilema themelore e diplomacisë së Vatikanit në këtë periudhë ishte të gjente ekuilibrin e duhur mes mbrojtjes së asaj që ajo e konsideronte të vërtetën absolute dhe menaxhimit të rrethanave konkrete politike, me synimin për t’ua lehtësuar vuajtjet katolikëve të përndjekur dhe për të nxitur një zgjidhje paqësore të konfliktit.[6]

Për sa kohë që mbetej shpresa për një modus vivendi të zbatueshëm dhe të frytshëm, diplomacia papnore, ashtu siç kishte vepruar mes dy luftërave me regjimet armiqësore të asaj kohe, u përpoq të negocionte me Çekosllovakinë, Hungarinë dhe Poloninë, edhe duke bërë disa lëshime. Por, kur regjimet komuniste ndërprenë çdo dialog dhe nisën një ofensivë të hapur antikatolike, Selia e Shenjtë e kuptoi qartë se synimi ishte shkatërrimi i Kishës dhe arriti në përfundimin se përndjekja nuk mund të ndalej me përpjekje diplomatike. Si rrjedhojë, pragmatizmi diplomatik ia la sërish vendin qëndresës parimore.

Përçarja u bë e dukshme më 1949; nxitësit e saj më të rëndësishëm qenë dënimi i kardinalit József Mindszenty në Hungari dhe krijimi i “Aksionit Katolik” skizmatik në Çekosllovaki.

Në përgjigje ndaj ashpërsimit të përndjekjes komuniste dhe përhapjes së njëkohshme të ideve komuniste në Perëndim – veçanërisht në Itali dhe Francë –, Selia e Shenjtë ndoqi një strategji që synonte të vendoste kufij të qartë mes katolicizmit dhe marksizmit. Kjo strategji përfshinte dënimin e çdo bashkëpunimi të qëllimshëm me ideologjinë ose sistemet politike komuniste, përmes një vargu dekretesh shkishërimi të nxjerra ndërmjet viteve 1949 dhe 1951. Ajo synonte gjithashtu të zgjonte ndërgjegjet dhe të nxiste solidaritetin shpirtëror e konkret me Kishën e heshtjes, e cila mund ta shprehte mesazhin e vet vetëm nëpërmjet vuajtjes dhe dëshmisë.

Në këtë kontekst, jepet edhe një tjetër reflektim dhe korrigjim historiografik. Një pjesë e historiografisë priret ta trajtojë antikomunizmin e Piut XII njësoj si antikomunizmin e Harry Trumanit ose Dwight Eisenhowerit, apo siç e interpretonin udhëheqësit komunistë në kulmin e Luftës së Ftohtë: domethënë, si një doktrinë politike të një aktori politik në një konflikt politik. Megjithatë, ky interpretim nuk merr parasysh se antikomunizmi i Piut XII ishte, në të vërtetë, para së gjithash një qëndrim baritor e teologjik i autoritetit më të lartë të Kishës, në atë që Papa e perceptonte si një luftë shpirtërore eskatologjike mes krishterimit dhe komunizmit. “Të jesh me Krishtin apo kundër Krishtit: kjo është e gjithë çështja”, tha Piu XII në mesazhin e tij radiofonik të Krishtlindjes më 1947.

Prej kësaj buronin dy pasoja themelore:

  1. Piu XII, i cili e shihte komunizmin si një rrezik vdekjeprurës për qytetërimin e krishterë, nuk e interpretonte përballjen me këtë rrezik sipas logjikës së Luftës së Ftohtë, si përplasje mes blloqeve kundërshtare, por si një luftë para së gjithash shpirtërore kundër një të keqeje që binte në kundërshtim me ligjin hyjnor dhe natyror, pjesë e forcave të së keqes që synonin të rrëzonin Krishtin dhe Kishën e Tij. Lufta kundër një kundërshtari të tillë nuk mund të kufizohej te “mbrojtja e lirisë së zbrazët nga përmbajtja”[7], as të mbështeste ambiciet politike të fuqive perëndimore, por duhej të angazhohej për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në parimet e krishtera dhe në të drejtën natyrore;
  2. “Armët” kryesore në këtë përballje ishin, para së gjithash, shpirtërore: zgjimi i ndërgjegjeve, i mbështetur në lutje dhe dëshmi. Duke kujtuar aktin me të cilin, më 1942, me rastin e 25-vjetorit të shfaqjeve të Fatimës, ia kishte kushtuar “gjithë botën Zemrës së Papërlyer të Virgjërës, Nënës së Hyjit”, Papa ia kushtoi po asaj Zemre të Papërlyer “të gjithë popujt e Rusisë”.

Edhe gjatë viteve pesëdhjetë, sapo gjendja ndërkombëtare dukej se po qartësohej, Piu XII nuk la pa i gjallëruar kanalet diplomatike, në përpjekje për të shqyrtuar mundësinë e kontakteve me Lindjen. Megjithatë, ai vazhdoi të kërkonte si kusht paraprak të panegociueshëm ndërprerjen e përndjekjeve fetare dhe respektimin e së vërtetës. Por shtypja e ashpër e kryengritjeve në Poloni dhe, sidomos, në Hungari më 1956, e bindi se pajtimi me regjimet komuniste ishte i pamundur.

Risia e “dialogut” me vendet e Evropës Lindore, në klimën e ngurtë të Luftës së Ftohtë, përbënte padyshim një nga aspektet më të ndërlikuara të veprimtarisë diplomatike të Selisë së Shenjtë gjatë pontifikateve të Gjonit XXIII dhe Palit VI.

Ideja për të kërkuar “kontaktin e parë” me vendet e Evropës Lindore u kristalizua në kontekstin historiko-politik të ndryshuar, si fryt i zbutjes së tensioneve që po profilizohej në marrëdhëniet mes dy blloqeve gjatë viteve gjashtëdhjetë. Ajo pasqyronte pjesërisht bindjen e Papës Montini për rolin që mund të luante Kisha Katolike në ato rrethana politike: të përfaqësonte, në të vërtetë, një “forcë morale” në arenën ndërkombëtare, autonome dhe të pavarur nga logjika e blloqeve, me synimin e njohur njëzëri nga Bashkësia Ndërkombëtare për të nxitur paqen, drejtësinë dhe respektimin e dinjitetit e të të drejtave të njeriut.

Gjoni XXIII, fillimisht, e më pas sidomos Pali VI, e gjykuan të udhës që Selia e Shenjtë, duke marrë parasysh rrethanat historike të kohës, të niste një proces që synonte të hapte rrugën e dialogut dhe të zbutjes së tensioneve. Synimi parësor ishte t’i siguronte Kishës Katolike, të pranishme në atë pjesë të Evropës, më shumë hapësirë për të jetuar dhe për të vepruar, duke qenë të vetëdijshëm se këto regjime politike, të sunduara nga ideologjia e hekurt komuniste, do të zgjatnin shumë. Papa u shty në këtë drejtim para së gjithash nga kushtet e rënda e dramatike në të cilat detyroheshin të jetonin shumë katolikë, përtej Perdes së Hekurt: jetë të shënuara dhimbshëm nga dy dhjetëvjeçarë përndjekjesh të pamëshirshme.

Synimi parësor i kësaj politike, të cilës i është dhënë emri “Ostpolitik e Vatikanit”, ishte fetar dhe jo politik, ndonëse për arritjen e tij duhej të përdoreshin mjetet tradicionale të politikës dhe diplomacisë. Strategjia e Vatikanit udhëhiqej nga motive baritore, domethënë nga nevoja për t’i ndihmuar ato Kisha që të mos mposhteshin nga shtypja e ushtruar prej qeverive të të ashtuquajturave “demokraci popullore”. Nga njëra anë, shkrirja e akujve dhe kalimi nga Lufta e Ftohtë te zbutja e tensioneve, e nga ana tjetër, kursi i ri i nisur nga Koncili II i Vatikanit, përbënin kuadrin në të cilin u vendosën kontaktet mes Selisë së Shenjtë dhe bllokut komunist, pa përfshirë asnjëherë drejtpërdrejt Moskën. Dihet se arkitekti kryesor i këtij dialogu ishte kardinali Agostino Casaroli, i cili e rrëfeu këtë përvojë të veçantë në vëllimin e njohur Martirizimi i durimit.

Dilema ishte: të rezistohej apo të negociohej. Secila prej këtyre dy zgjedhjeve kishte rreziqet dhe kostot e veta, dhe Pali VI ishte thellësisht i vetëdijshëm për këtë. Më 12 shtator 1965, një vit pas marrëveshjes së parë që Casaroli kishte nënshkruar në Budapest, Papa shkoi në Katakombet e Domitilës, vend simbol i martirëve të parë të krishterë, dhe foli me emocione për “ato pjesë të Kishës që edhe sot jetojnë në katakombe”, për atë “Kishë që sot mezi qëndron, vuan dhe mezi mbijeton në vendet me regjim ateist e totalitar”. Pastaj shtoi: “Selia e Shenjtë përmbahet nga ngritja më e shpeshtë dhe më e fuqishme e zërit të ligjshëm të protestës dhe të dënimit, jo sepse i shpërfill ose i lë pas dore realitetet, por nga një gjykim i përsiatur i durimit të krishterë dhe për të mos shkaktuar të këqija më të mëdha”.

Për një kohë të gjatë, Pali VI dhe Ostpolitik-a e tij kanë qenë objekt vlerësimesh të dyfishta e të kundërta: herë dënuese, herë përgëzuese. Një pjesë e episkopatit, sidomos në atë kohë, e pa këtë rrugë me dyshim, pa e kuptuar plotësisht se politika lindore e Selisë së Shenjtë do të jepte një kontribut të rëndësishëm në zbutjen e tensioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe mbështetjen për procesin e Helsinkit, i cili u bë thelbësor për kapërcimin e ndarjes së kontinentit. Pavarësisht suksesit të kufizuar, sipas gjykimit unanim të historiografisë, kjo zgjedhje ishte e drejtë.

As Gjon Pali II, Papa i “rënies së Murit”, nuk i ndërpreu negociatat me Evropën Lindore. Megjithatë, i bindur për dobësinë e regjimeve komuniste, ai nuk i konsideronte ato as të vetmen, as kryesoren “kartë në lojë”. Përkundrazi, i përqendroi energjitë te zgjimi i ndërgjegjeve të krishtera, te forcimi i identitetit historik e kulturor të popujve evropianë, të rrënjosur në krishterim, dhe te ripërtëritja e unitetit të kontinentit, i cili duhej të merrte frymë sërish me të dy mushkëritë. Ky zgjim dha një kontribut të rëndësishëm në rënien e regjimeve komuniste.

Megjithatë, ashtu si paraardhësit e tij, edhe Gjon Pali II nuk e shihte qëllimin e përpjekjeve të tij vetëm te rënia e komunizmit dhe rivendosja e një lirie “të zbrazët nga përmbajtja”, për të cituar sërish Piun XII, por te rikrishterimi i popujve evropianë. Por kjo shpresë e tij mbeti e zhgënjyer.

Regjimet historike, që zakonisht cilësohen “totalitare”, tashmë i përkasin së kaluarës. Por, jo vetë fenomeni, i cila buron nga tundimi njerëzor për të dashur të “bëhemi si Hyji”, për të kontrolluar mënyrën e jetesës dhe të të menduarit të njerëzimit dhe për t’i imponuar atij bindjet tona ideologjike. Këtë e tregon qartë edhe Papa Leoni XIV në letrën e tij enciklike Magnifica humanitas, ku paralajmëron se liria dhe demokracia nuk mbështeten “vetëm në rregulla dhe procedura”; pra, për t’iu rikthyer Papës Pacelli, ato nuk reduktohen në forma të zbrazëta, pa përmbajtje, por mbështeten në “një marrëdhënie të ndershme me faktet dhe në një orientim të vërtetë drejt së mirës së personave dhe të trupit shoqëror” dhe, rrjedhimisht, në besnikërinë ndaj së vërtetës:

“Mos interesimi për të vërtetën çon dalëngadalë, por në mënyrë të pashmangshme, drejt rrëshqitjes në totalitarizëm, ku, siç ka shkruar filozofja Hannah Arendt, nënshtetasit idealë nuk janë aq ata që janë të bindur ideologjikisht, por ‘njerëzit për të cilët dallimi mes faktit dhe trillimit (domethënë, realitetit të përvojës) dhe dallimi mes së vërtetës dhe së pavërtetës (domethënë, kritereve të mendimit) nuk ekzistojnë më.’”[8]

 

Marrë nga La prolusione del cardinale segretario di Stato, Pietro Parolin al convegno internazionale in corso alla Pontificia Università Gregoriana – La Santa Sede di fronte ai sistemi totalitari nel XX secolo – L’Osservatore Romano

Përkthyer nga Rev. «DRITA»

 

————————————————————-

[1] PIU XI, Letra enciklike Quas primas, në: «Enchiridion delle encicliche, vol. 5, Pio XI (1922-1939), Bologna 1995, f. 158-193; khs. PIU XI, Letra enciklike Ubi arcano Dei, në ibidem, f. 10-61.

[2] Khs. ERIC VOEGELIN, Die politischen Religionen, nën kujdesin e PETER J. OPITZ, München 1993.

[3] PIO XII, Discours et panégyriques (1931-1938), Paris 1939, f. 228-229.

[4] ASRS, AA.EE.SS., Stati Ecclesiastici, pos. 430b, fasc. 364, Pacelli në bisedim me François Charles-Roux, 28 janar 1937.

[5] THOMAS BRECHENMACHER, Der Heilige Stuhl und die totalitären Ideologien. Die März-Enzykliken 1937 und ihr innerer Zusammenhang, në «Zur Debatte», 3 (2012), f. 39-44.

[6] EMILIA HRABOVEC, “To Recommend Courage or Tolerate the Inevitable?” The Holy See and the Catholic Church in the Face of the Communist Regimes in East Central Europe between the Cold War and the Détente, në «Churches and Religious Associations behind the Iron Curtain. From the Hungarian Revolution to the Prague Spring (1956-1968)», Editor BEÁTA KATREBOVÁ BLEHOVÁ, Münster 2026, ff. 11-39.

[7] PIU XII, Radiomesazhi  drejtuar gjithë botës me rastin e Krishtlindjes, 24 dhejtor 1955, online: https://www.vatican.va/content/pius-xii/it/speeches/1955/documents/hf_p-xii_spe_19551224_cuore-aperto.html.

[8] LEONI XIV, Letra enciklike Magnifica humanitas. Mbi mbrojtjen e personit njerëzor në kohën e inteligjencës artificiale, online: https://www.vatican.va/content/leo-xiv/it/encyclicals/documents/20260515-magnifica-humanitas.html.

Shpëndaje: