Papa: të mos ia lëmë kurrë IA-së vendimin për t’i marrë jetën njeriut

Në Sallën e Papëve të Pallatit Apostolik, Leoni XIV pret në audiencë rreth njëzet pjesëmarrës të konferencës “E ardhmja e IA-së: dialog ndërmjet Vatikanit dhe botës shkencore mbi zhvillimet dhe zbatimet e teknologjive inteligjente”, që zhvillohet sot, më 30 tetor, në Casina Pio IV. Papa rithekson se teknologjia duhet të jetë “nën mbikëqyrje”, “e çarmatosur” dhe gjithmonë në shërbim të “së mirës së përbashkët”

 

Njeriu nuk duhet t’ia “besojë” kurrë inteligjencës artificiale, një mjeti njëkohësisht “magjepsës dhe frikësues”, “vendimin për t’i marrë jetën një qenieje njerëzore”. Mësimi i Kishës është i qartë për këtë dhe fjalët e shqiptuara nga Papa Françesku në qershor të vitit 2024, drejtuar udhëheqësve të G7-s, “mbeten më aktuale se kurrë”.

Këtë rithekson Leoni XIV, duke pritur në audiencë, në Sallën e Papëve të Pallatit Apostolik të Vatikanit, rreth njëzet pjesëmarrës të konferencës “E ardhmja e IA-së: dialog ndërmjet Vatikanit dhe botës shkencore mbi zhvillimet dhe zbatimet e teknologjive inteligjente”, që mbahet sot, më 30 tetor, në Casina Pio IV dhe organizohet nga Akademia Papnore për Jetën dhe nga “Future of Life Institute” (Instituti për të Ardhmen e Jetës). Është e natyrshme, argumenton më tej Papa në fjalën e tij përshëndetëse në gjuhën angleze, të ndiejmë “njëfarë shqetësimi lidhur me zhvillimin e inteligjencës artificiale”. Pavarësisht se “të gjithë e kuptojmë drejtimin, që duhet të ndjekim”, “nuk po bëhet mjaftueshëm për të ecur përpara”.

 

Të vendosim rregulla, të kundërshtojmë dhe të korrigjojmë

Papa përmend enciklikën e tij Magnifica humanitas, në të cilën trajton pikërisht këto çështje dhe ofron edhe një herë pesë “reflektime” mbi këtë argument. Katër të parat, që kanë të bëjnë me “parimet etike, të cilat duhet të udhëheqin zhvillimin e inteligjencës artificiale”, çojnë përmes arsyetimit te e pesta, një “sfidë”, që Ati i Shenjtë e cilëson si “më urgjenten”.

“Aktualisht, kemi nevojë për institucione të afta që t’i vënë në zbatim këto parime, veçanërisht për institucione ndërkombëtare të frytshme, që mund të mbrojnë të mirën e përbashkët globale”.

Papa nënvizon nevojën e “standardeve të përbashkëta”, të “mbikëqyrjes së pavarur” dhe të “përgjegjësisë së qartë”, për të vënë rregulla në “vendimet, që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përdorimin e IA-së”, si edhe për t’i kundërshtuar ato “kur është e nevojshme”, duke parashikuar “masa korrigjuese për çdo dëm të shkaktuar”.

 

Të mos lëmë askënd pas

Leoni XIV paraqet vizionin e tij. Së pari, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk është e paracaktuar, pasi varet nga vendimet, që marrin njerëzit. Prandaj, nënvizon Ati i Shenjtë, e kemi për detyrë e përgjegjësi ta drejtojmë, ta ndryshojmë dhe, kur është e nevojshme, t’i refuzojmë zbatimet e saj. Kriteri nuk është shpejtësia, sikur “zhvillimi” i inteligjencës artificiale të ishte “një garë për t’u fituar”, e përqendruar vetëm te kush mbërrin i pari, “duke harruar ata që mbeten pas”. Më mirë një “sistem i besueshëm”, në “shërbim të personit njerëzor”, sesa një tjetër, ndoshta “jashtëzakonisht i fuqishëm”, pasojat e të cilit nuk mund t’i parashikojmë dhe as t’i kontrollojmë, vëren Papa.

 

Vetëm makina, jo njerëz

Së dyti, duhet të kemi gjithmonë parasysh se “makinat janë mjete, jo njerëz”. “Sot, disa propozojnë t’u jepen të drejta këtyre sistemeve, madje, edhe personalitet juridik. Një qëndrim i tillë ka rrezik ta mjegullojë përgjegjësinë njerëzore dhe t’i lërë ata, që pësojnë dëme, të përballen me një entitet pa fytyrë”.

Papa citon paragrafin 99 të Magnifica humanitas, i cili nënvizon dallimin ndërmjet makinave dhe qenieve njerëzore, duke e bërë kështu të qartë arsyen pse të parat nuk mund të marrin vendime mbi jetën e të dytëve: “Ato nuk përjetojnë gëzim apo dhimbje, nuk rriten përmes marrëdhënieve dhe nuk e dinë shpirtërisht se ç’nënkuptojnë dashuria, puna, miqësia apo përgjegjësia”. E prej këtej, arrihet te reflektimi i tretë.

 

Mbi jetën njerëzore duhet të vigjilojë mbikëqyrja njerëzore

Ka vendime që kanë të bëjnë me ekzistencën e njerëzve dhe “nuk duhet të delegohen kurrë”. “Vendimet që lidhen me jetën njerëzore, lirinë dhe përdorimin e forcës duhet të mbeten gjithmonë nën mbikëqyrjen njerëzore të frytshme, të informuar dhe të përgjegjshme”.

Prandaj, inteligjenca artificiale duhet të jetë “e çarmatosur”. Pak ditë përpara Konferencës së shtatë të Rishikimit të Konventës për disa Armë Konvencionale, që do të mbahet në Gjenevë, në Pallatin e OKB-së, nga 16 deri më 20 nëntor, Pasardhësi i Pjetrit i nxit shtetet “të ndërmarrin hapa konkrete drejt ndalimit të armëve autonome vdekjeprurëse”.

 

Të ndajmë frytet e përparimit

Më pas, Leoni XIV nënvizon qëllimin më autentik të IA-së: “Teknologjitë inteligjente duhet të orientohen drejt së mirës së përbashkët”.

“Zhvillimi i tyre duhet të nxisë solidaritetin dhe pjesëmarrjen në nivele të ndryshme të bashkësisë globale, duke garantuar që frytet e zhvillimit njerëzor të ndahen në mënyrë të drejtë, veçanërisht me ata që kanë më shumë nevojë”.

Teknologjitë e reja “nuk duhet të shndërrohen kurrë në qëllim në vetvete apo t’u shërbejnë ekskluzivisht interesave të një pakice të privilegjuar”, vijon më tej Papa. Të gjithë duhet të përfitojnë nga zhvillimi i teknologjive të reja, sepse ato ndikojnë në “kujdesin shëndetësor, dijen, mjetet dhe mundësitë” në dispozicion të njerëzimit. Në fund, Ipeshkvi i Romës i falënderon pjesëmarrësit e konferencës “për kontributin e çmuar” dhe i nxit të punojnë “në frymën e dialogut dhe të përgjegjësisë së të gjithëve për të mirën e përbashkët”, duke i siguruar se do t’i shoqërojë me lutje./ Vatican News

Shpëndaje: