
Imzot Dodë Gjergji në homelinë e meshës së të rinjve të dioqezës, i ftoji të rinjtë ta gjejnë vlerën e tyre në dashurinë e Hyjit, jo në suksesin apo miratimin e të tjerëve. Duke u mbështetur në Shkrimin e Shenjtë, ai thekson se dashuria e vërtetë kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe kujdes për tjetrin. Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë, nga uingjilli i ditës, bëhet thirrje për t’iu afruar plagëve të shoqërisë dhe për të vepruar me guxim e mëshirë.
Të rinjtë u ftuan nga ipeshkvi të mbrojnë të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor, duke e jetuar besimin si dëshmi konkrete. Kjo homeli ishte një mesazh shprese për ta nxitur një rini aktive, që me dashuri dhe guxim mund të bëhet sot dritë në Kishë dhe në shoqëri.
Homelia e plotë
HOMELIA NË TAKIMIN DIOQEZAN TË RINISË 2026
Leximet e ditës: Is 43,1-7; Ps 139; 1 Kor 13; Lk 10,25-37
Të dashur të rinj e të reja,
Të nderuar meshtarë e motra të nderit,
Të dashur vëllezër e motra në Krishtin!
Sot, kur ju shoh të mbledhur këtu nga të gjitha famullitë e Dioqezës sonë, ndiej një gëzim të veçantë, por edhe një përgjegjësi të madhe. Gëzim me përgjegjësi.
Gëzimi – sepse prania juaj më bind që Kisha jonë është e gjallë, se feja vazhdon të jetojë në zemrat e brezave të rinj dhe se trashëgimia shpirtërore e të parëve tanë ka ende rrënjë të thella në familjet dhe bashkësitë tona famullitare.
Përgjegjësi – sepse jam i vetëdijshëm që jeni duke jetuar në një kohë të ndryshme nga ajo e rinisë sime, por edhe nga ajo e prindërve dhe gjyshërve tuaj.
Ju jetoni në një kohë ku ka shumë mundësi, por pak siguri; shumë njohuri, por pak bindje; keni shumë mjete komunikimi për takime gëzimi –marrëdhënie të vërteta dhe afërsi njerëzore.
Prandaj, sot nuk dua t’ju flas vetëm për atë që Kisha pret prej jush, por mbi të gjitha për atë që Zoti dëshiron të bëjë në jetën tuaj dhe, përmes jush, në jetën e Kishës dhe të shoqërisë sonë.
Fjala e Zotit që e dëgjuam sot na fton të reflektojmë mbi identitetin tonë, mbi kuptimin e dashurisë dhe mbi përgjegjësinë që kemi për njëri-tjetrin. Ashtu që të jetojmë mbi realitetin e kohës dhe të zbatojmë vullnetin e Hyjit – që nëpërmjet zbatimit të këtij vullneti të bëhemi të dobishëm për Kishën dhe për vendin tonë.
Në leximin e parë dëgjuam njërën prej fjalëve më të bukura që Hyji nëpërmjet profetëve ia ka drejtuar njeriut: “Mos u tremb, se unë të shpërbleva, të thirra me emrin tënd, ti je i imi!” Dhe më tej: Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi… unë të dua.”
Këto fjalë iu drejtuan popullit të Izraelit në njërën prej periudhave më të vështira të historisë së tij. Pasi kishte humbur atdheun, lirinë dhe sigurinë për të ardhmen. Por Hyji, përpara se t’i premtonte kthimin në atdhe, ia kujtoi dinjitetin dhe përkatësinë e tij. Sikur t’i thoshte: Ju keni humbur gjithçka deri dashurin për mua, por unë nuk e humba dashurinë për ju. Që do të thotë, nëse të gjithë ju kanë braktisur unë jam me je deri në mbarimin e botës. Prandaj, kini guxim!
Sa e rëndësishme është kjo fjalë për ju sot, që jetoni në një shoqëri dhe në një kohë ku njeriu shpesh vlerësohet jo për atë që është, por për atë që ka; jo për virtytet që kultivon, por për suksesin që arrin; jo për ndershmërinë e jetës së tij, por për ndikimin që ushtron mbi të tjerët.
Madje, edhe në botën virtuale, ku kaloni një pjesë të madhe të kohës, rrezikoni ta matni vlerën tuaj me pëlqimet, komentet dhe vëmendjen që merrni. Kështu, pa e vërejtur, fillon të jetosh, më shumë për t’u dukur sesa për të qenë i vërtetë; më shumë për t’u pranuar nga të tjerët sesa për të qenë në paqe me ndërgjegjen, me familjen dhe me Zotin.
Por Fjala e Zotit sot na kujton një të vërtetë themelore: vlera e jetës sate nuk matet me atë çka mendon bota, por me dashurinë që Hyji ka për ty.
Prandaj ju këshilloj: mos lejoni që të tjerët t’ju përcaktojnë kush duhet të jeni, përpara se ta keni zbuluar vetë kush jeni dhe për çfarë jeni thirrur në jetë; Mos e humbni personalitetin duke imituar të tjerët por jini vetja juaj. E, mos e flijoni ndërgjegjen që të jeni të pranuar nga shoqëria, por punoni që të jetoni në një shoqëri të ndërgjegjshme. Mos e shisni lirinë për një sukses të përkohshëm por punoni që liria të lulëzoj gjithandej.
Dhe, mbi të gjitha, mos mendoni se duhet të jeni të përsosur që Zoti t’ju dojë. Sepse Ai ju do edhe me kufizimet, pasiguritë dhe dobësitë tuaja. Ju do pa masë dhe dëshiron që të rriteni, të piqeni dhe të bëheni njerëz të lirë, të përgjegjshëm dhe të aftë për të zgjedhur të mirën.
Prandaj, ju ftoj të keni guximin për të jetuar në të vërtetën e identitetit tuaj, si njerëz të krijuar nga Hyji, të shëlbuar nga Krishti dhe të thirrur për shenjtëri.
Mos kini frikë të jeni të krishterë! Mos kini turp nga feja juaj! Por, mbi të gjitha, mos e konsideroni besimin si një trashëgimi që duhet vetëm ta ruani, por si një dhuratë që duhet ta bashkëndani, ta jetoni dhe ta dëshmoni para të tjerëve. Sepse besimi që nuk bëhet bindje personale rrezikon të mbetet vetëm zakon familjar, ndërsa tradita që nuk ushqehet me të vërtetën e Ungjillit mund ta humbasë fuqinë për ta formësuar jetën.
Të dashur të rinj,
Pikërisht për këtë na flet Shën Pali në leximin e dytë, kur na vendos përballë një të vërtete që sfidon mendësinë e çdo kohe. Kurë thotë: Po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mundesha t’u shndërroja vend maleve, por, po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!”
Vëreni sa larg shkon Shën Pali! Ai nuk thotë se pa dashuri do të ishim më pak të rëndësishëm, më pak të suksesshëm apo më pak të vlefshëm për shoqërinë. Por thotë: po të më mungonte dashuria, do të isha asgjë! Sepse dashuria nuk është vetëm një virtyt ndër të tjerët. Ajo është themeli që u jep kuptim të gjitha virtyteve dhe shndritë rrugën drejt qëllimit të jetës sonë.
Mund të keni shumë njohuri, por nëse nuk dini t’i përdorni për të mirën e të tjerëve nuk vleni asgjë, e dituria pa dashuri bëhet arrogancë. Mund të keni pasuri, por nëse nuk dini ta ndani me të tjerët, pasuria mund të bëhet burim egoizmi, pasi pasuria pa dashuri shndërrohet në mjet përbuzjeje për të tjerët. Mund të arrini pushtet dhe ndikim në shoqëri sa të doni, por nëse nuk i përdorni për të mbrojtur të drejtën dhe dinjitetin e njeriut, pushteti mund të bëhet mjet padrejtësie
Madje, mund të jeni edhe shumë të përkushtuar në jetën fetare, por nëse besimi juaj nuk ju bën më të drejtë, më të mëshirshëm dhe më të përgjegjshëm, atëherë duhet të pyesni veten nëse e keni kuptuar vërtet që Ungjilli – është projekt i dashurisë së Zotin për ty e për gjithë të tjerët. Pasi feja që nuk na mëson të duam, nuk e ka arritur ende pjekurinë e saj.
E pikërisht këtu dëshiroj t’ju ftoj të mendoni për njërën prej sfidave më të mëdha të rinisë së sotme: kuptimin e dashurisë.
Shpesh dashuria ngatërrohet me tërheqjen, me ndjenjën, me dëshirën për ta pasur dikë pranë ose me nevojën për t’u ndier i dashur. Por, Shën Pali na kujton se dashuria e vërtetë nuk kërkon vetëm atë që është e mirë për mua, por kujdeset që e mira për të cilën sakrifikoj unë, të jetë e dobishme edhe për tjetrin. Prandaj thotë se dashuria është zemërgjerë, sepse nuk kërkon interesin e vet, nuk u kënaqet padrejtësive, por i gëzohet të vërtetës. Kjo do të thotë se dashuria nuk është vetëm një ndjenjë që lind në zemër, por edhe një vendim që kërkon përgjegjësi, besnikëri dhe sakrificë.
Pikërisht këtë na mëson Jezusi në Ungjillin e sotëm, përmes shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë. Kur, një njeri bie në duart e cubave, të cilët e plaçkitin, e rrahin dhe e lënë pothuajse të vdekur. Në atë rrugë kalojnë edhe shumë të tjerë, por vetëm Samaritani i afrohet, ia lidh plagët dhe kujdeset për të. Prandaj, në dritën e Ungjillit, çdo njeri që bën vepra dashurie bëhet Samaritanin i mirë, pa marrë para sysh që opinioni publik dhe shoqëria mund ta përçmojnë.
Pikërisht këtu, qëndron njëri prej rreziqeve më të mëdha të shoqërisë sonë që rri duarkryq ndaj të këqijave të kohës, nganjëherë gjykon të këqijat që bëhen, por nuk arrin të bëhet Samaritani i mirë, që merr përgjegjësit për të kuruar plagët e kësaj shoqërie.
Këndej, ju ftoj që ju të krijoni ideale të reja që të mos jeni një brez i cili di të kritikon gjithçka, por nuk merrni përgjegjësi për asgjë. Mos u bëni një brez që e njeh padrejtësinë, por mësohet të bashkëjetojë me të. Mos u bëni një brez që kërkon vazhdimisht të drejtat e veta, por harron detyrimet që ka ndaj të tjerëve.
Përkundrazi, bëhuni një brez që ka guximin ta mbrojë të vërtetën edhe kur gënjeshtra duket më e leverdishme; që ka guximin ta zgjedhë ndershmërinë edhe kur korrupsioni duket rruga më e lehtë; që ka guximin ta mbrojë dinjitetin e njeriut edhe kur kjo kërkon të dalësh kundër mendësisë së shumicës.
Jezusi na ka thirrur të jemi kripa e tokës dhe drita e botës. Mbi gjitha s’bashku me ju, dua t’ua them të gjithëve në këtë vend: mos e matni rëndësinë e Kishës me numrin e besimtarëve, por me aftësinë tonë për ta bërë të pranishme dashurinë në shoqërinë tonë.
Të dashur të rinj e të reja!
Kini guxim dhe mos u frikësoni, sepse Krishti e ka mundur botën! Dhe pikërisht me këtë guxim ju mund të bëheni pjesë e gjallë e Kishës, jo vetëm në të ardhmen, por që sot.
Kisha ka nevojë për besimin tuaj, për entuziazmin tuaj, për pyetjet dhe kërkimet tuaja, për aftësinë tuaj për të menduar ndryshe dhe për guximin tuaj për të hapur rrugë të reja.
Por edhe ju keni nevojë për Kishën. Keni nevojë për një bashkësi që ju ndihmon ta dalloni të vërtetën nga gënjeshtra, lirinë nga robëria, dashurinë nga egoizmi dhe shpresën nga iluzioni.
Prandaj, mos e kufizoni përkatësinë tuaj në Kishë vetëm në pjesëmarrjen në festa, takime apo kremtime. Bëhuni pjesë aktive e jetës së famullive tuaja. Ushqejeni besimin me Fjalën e Zotit dhe me sakramentet. Kultivoni miqësi të shëndosha dhe ndërtoni marrëdhënie që ju ndihmojnë të rriteni në fe, në përgjegjësi dhe në dashuri.
Edhe një gjë nuk duhet harruar: të parët tanë na e kanë përcjellë fenë përmes shumë sakrificave. Disa prej tyre e kanë ruajtur edhe me çmimin e jetës. Por, mënyra më e mirë për t’i nderuar ata nuk është vetëm t’i kujtojmë sakrificat e tyre, por ta bëjmë dëshminë e tyre forcë të gjallë për jetën tonë. Amen./drita.info
P.S. Titulli është i redaksisë së Dritës

Postimi i Mëparshëm
