Takimi Dioqezan i Rinisë – 21 nëntor 2026, në Prishtinë

Katedralja “Shën Nënë Tereza” – Prishtinë | E shtunë, 21 nëntor 2026

Ashtu si çdo vit, edhe këtë vit, së bashku me të rinjtë e famullive tona, do të mblidhemi rreth Ipeshkvit tonë për të kremtuar Ditën Dioqezane të Rinisë.

Ky takim është bërë një traditë e bukur për Dioqezën tonë. Është një ditë kur të rinjtë takohen, luten dhe kuptojnë se nuk janë vetëm në rrugën e fesë. Për shumë prej tyre, është edhe një rast për të krijuar miqësi të reja.

Pasi në takimet e mëparshëm, përkatësisht në vitin 2024 kemi pasur për temë fenë, kurse në vitin 2025 kemi pasur shpresën, këtë vit do të përqendrohemi te virtyti i tretë, dashuria. Na udhëheqin fjalët e Isaisë: “Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, unë të dua!” (Is 43,4).

Sot të rinjtë tanë përballen me shumë pyetje, pasiguri e sfida. Pikërisht për këtë duam t’ua kujtojmë fjalën e Hyjit: secili prej tyre është i çmueshëm në sytë e Tij. Është një mesazh i thjeshtë, por që ka shumë për t’i thënë jetës së tyre.

 “Sepse u bëre i çmueshëm në sytë e mi, unë të dua!” (Is 43,4)

Këto fjalë të Isaisë janë në zemër të takimit të sivjetëm. Hyji nuk na do për shkak të sukseseve tona apo të asaj që kemi arritur. Ai na do sepse jemi të tijtë. Këtë duam t’ua kujtojmë të rinjve tanë. Shpresojmë që, përmes lutjes, Meshës dhe takimit me të rinj nga famullitë e dioqezës, secili të marrë me vete diçka që do ta ndihmojë edhe pas kësaj dite: sigurinë se është i dashur dhe guximin për ta ndarë këtë dashuri me të tjerët.

Papa Leoni XIV

“Vetëm dashuria e Hyjit mund të na japë gëzimin e vërtetë dhe të përsosur. Ju jeni të çmueshëm në sytë e Hyjit! (khs. Is 43,4). Ai ju do pa kushte!” — Papa Leoni XIV, 19 qershor 2026

Imzot Dodë Gjergji

“Mos harroni që jeni ‘drita e botës’, dhe se kandili i dritës suaj, i ndezur në pagëzim, është i varúr në kryqin e Krishtit. E kryqi është i lartësuar mbi malin e të gjitha kohëve që është Kisha e Shenjtë. Këndëj, nuk duhet të dyshoni pasi do të shkëlqejë drita juaj (Mt 5,14).” — Nga homelia në Takimin Dioqezan të Rinisë, 2024

Kur të rinjtë nga famulli të ndryshme mblidhen rreth Ipeshkvit, ata e shohin më nga afër se i përkasin së njëjtës Kishë. Kjo është një nga arsyet pse ia vlen të përgatitemi mirë për këtë ditë.

Programi i takimit

  • 10:00–10:50: Adhurimi eukaristik dhe lutja e përbashkët
  • 11:00: Mesha e Shenjtë, me Ipeshkvin dhe meshtarët e Dioqezës
  • 12:30–13:30: Dreka e përbashkët në Qendrën “BogdaniPolis”
  • Pas drekës: Programi artistik me muzikë, këngë, valle dhe paraqitje nga famullitë, si dhe tri dëshmi të shkurtra

 

Momente të takimit

Adhurimi eukaristik. Takimin do ta fillojmë me lutje, heshtje dhe këngë para Sakramentit të Shenjtërueshëm.

Mesha e Shenjtë. Në orën 11:00 do të kremtojmë Eukaristinë së bashku me Ipeshkvin dhe meshtarët e Dioqezës.

Dreka e përbashkët. Pas Meshës do të zbresim në Qendrën  “BogdaniPolis” për drekë dhe për t’u takuar me njëri-tjetrin.

Programi artistik. Pas drekës do të ketë muzikë, këngë, valle dhe paraqitje nga famullitë. Janë paraparë edhe tri dëshmi të shkurtra.

 

Shpëndaje: