
Më 25 qershor 2026, pranë Universitetit Papnor Gregoriana në Romë, dy meshtarë të Dioqezës Prizren-Prishtinë, Don Meriton Dedaj dhe Don Daniell Markprekaj, përfunduan me sukses studimet e tyre, duke shënuar një moment të rëndësishëm për formimin akademik, kishtar dhe kulturor të klerit tonë dioqezan.
Don Meriton Dedaj përfundoi studimet në Fakultetin e Historisë dhe të Pasurive Kulturore të Kishës, në Departamentin e Pasurive Kulturore të Kishës. Punimi i tij kërkimor trajtoi rolin dhe kontributin e të krishterëve të Ilirisë në Romë, duke vënë në pah ndikimin e tyre në historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Kishës. Në mënyrë të veçantë, hulumtimi u përqendrua në figurën e Papa Gjonit IV, me prejardhje dalmate, në Pjetrin e Ilirisë, ndërtuesin e Bazilikës së Shën Sabinës në Romë, si edhe në praninë dhe rëndësinë e Shën Jeronimit në jetën kulturore dhe kishtare të Qytetit të Përjetshëm.
Don Daniell Markprekaj përfundoi studimet në të njëjtin Fakultet, në Departamentin e Historisë së Kishës. Tema e punimit të tij trajtoi pontifikatin e Papa Kalistit III dhe marrëdhëniet e tij me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Në këtë studim u vu në dukje rëndësia historike e lidhjeve ndërmjet Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, të dëshmuara përmes korrespondencës diplomatike dhe mbështetjes që papët e kohës i dhanë qëndresës së tij. Ky hulumtim përbën një kontribut të çmuar në ndriçimin e marrëdhënieve historike ndërmjet popullit shqiptar, figurës së Heroit Kombëtar dhe Kishës Katolike.
Përfundimi me sukses i studimeve nga dy meshtarët tanë përbën një gëzim të veçantë për Dioqezën Prizren-Prishtinë dhe dëshmon për rëndësinë që Kisha i kushton formimit të thelluar akademik, studimit të historisë së saj dhe ruajtjes së trashëgimisë së krishterë. Përmes këtyre kërkimeve shkencore pasurohet njohja e historisë së Kishës, thellohen studimet mbi lidhjet e saj me popullin shqiptar dhe vihet në pah kontributi i të krishterëve ilirë në jetën e Kishës universale.
Dioqeza Prizren-Prishtinë i uron përzemërsisht Don Meriton Dedajt dhe Don Daniell Markprekajt për këtë arritje të rëndësishme akademike dhe kishtare. Me mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, u dëshirojmë që njohuritë e fituara t’i vënë në shërbim të Kishës, të popullit të Zotit dhe të ruajtjes e promovimit të trashëgimisë sonë shpirtërore, historike dhe kulturore.

Postimi i Mëparshëm
