PËRUROHET SALLA MULTIFUNKSIONALE “KARDINAL ERNEST SIMONI” NË TIRANË

Në mjediset e Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës është përuruar Salla Multifunksionale “Kardinal Ernest Simoni”, gjatë së cilit ishte i pranishëm edhe kardinal Simoni.

 

Arqipeshkvi i Tiranës, Imzot Arjan Dodaj F.d.C. ka dashur dhe ka mundësuar që në kompleksin e Arqidioqezës të jetë kjo hapësirë multifunksionale, e përshtatshme për aktivitete të shumëllojshme, si baritore ashtu edhe kulturore. I madh ishte gëzimi i të gjithëve pasi për momentin e bekimit dhe të përurimit ishte i pranishëm vetë kardinali ynë i dashur.

Nuk mund të harrojmë kurrë skenën prekëse kur, në Kishën katedrale të Tiranës, Papa Françesku, pasi dëgjoi në heshtje dëshminë e tij, hoqi syzet për të fshirë sytë me lot dhe e përqafoi gjatë, duke e mbështetur ballin mbi atë të Dom Ernestit. Ndihemi realisht të privilegjuar dhe të bekuar që e kemi ende në mesin tonë dhe në njëfarë mënyre, salla e rinovuar, e cila mban emrin e tij, do të na shërbejë të gjithëve sigurisht si një kujtim historik, por njëherazi si një ftesë e hapur, që edhe ne – siç kujtonte Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme në praninë e kardinalit tonë – të “punojmë për Kishën”.

Pas prerjes së shiritit, Eminenca e tij, i shoqëruar nga Arqipeshkvi dhe populli, vendosi një qiri të ndezur në këmbët e Marisë Virgjër. Vijuan një përshëndetje të veçantë që Arqipeshkvi ia drejtoi Kardinalit si shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi. Ceremonia mbaroi me një reflektim të ngrohtë që Eminenca e tij ndau me të pranishmit me shumë dashuri atërore. (nga faqja e arqidioqezës Trianë-Durrës)

Shpëndaje: