Papa Françesku është rikthyer në Shtëpinë e Atit

Shumë të dashur besimtarë/e,

Miq dhe dashamirë,

 

Sot në orën 09:45, Shkëlqesia e Tij, Kardinali Farrell, me pikëllim të thellë dha lajmin për vdekjen e Papës Françesku. Ai përmes një paraqitje të drejtpërdrejt nga Shtëpia e Shën Martës në Vatikan dha këtë lajmërim:

Të dashur vëllezër e motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, Ipeshkvi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe të Kishës së Tij. Ai na mësoi t’i jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të braktisurve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ia besojmë shpirtin e Papës Françesku dashurisë së pafundme të mëshirshme të Zotit Trini”.

Edhe kisha jonë në Kosovë, përmes bariut tonë, Imzot Dodë Gjergjit, me dhembje të thellë ka njoftuar grigjën në Kosovë për këtë lajm të hidhur, të kalimit në amshim të Atit të Shenjtë:

Me dhembje të thellë ju njoftoj se pak çaste më parë kemi marrë lajmin për ndarjen nga kjo jetë të Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku. Kisha Universale bashkohet në lutje në dritën e shkëlqimit të të Ringjallurit mbi vdekjen dhe shpreson që e njëjta dritë do të shkëlqejë edhe mbi Vikarin e Tij në tokë, Papa Françeskun, i cili sot iu bashkua në amshim. Në shenjë nderimi dhe bashkimi shpirtëror me mbarë Kishën, ju ftoj që të mblidhemi në lutje për shpirtin e tij, duke i besuar mëshirës së Zotit jetën dhe shërbesën e Papës Françesku.Për këtë nijet, ju ftoj që në orën 11:45, të bien të gjitha këmbanat e kishave, si kumt për besimtarët që Hyji e ka thirrur tek vetja Papa Françeskun. – shkruan ipeshkvi ynë Dodë Gjergji.

 

Epja, o Zot, pushimin e pasosur.

I shndrit drita e pambaruar.

Pushoftë në paqe. Amen!

Shpëndaje: