Papa në audiencën e sotme gjenerale: përparimi vërtet njerëzor e bën botën më të mirë për të gjithë

Në audiencën e sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV vijoi ciklin e katekizave kushtuar Kushtetutës baritore të Koncilit II të Vatikanit Gaudium et spes. Duke komentuar kapitullin mbi kuptimin e “veprimtarisë njerëzore në univers”, Papa shpjegoi se dokumenti na fton të ndajmë “bukën e dijes dhe të aftësisë për të vepruar”, në mënyrë që njerëzimi të mund të zhvillojë potencialet e veta dhe, së bashku, me ndihmën e Zotit, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

 

Teksti i plotë i audiencës

 

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. IV. Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS 1-10). 4. Kuptimi i veprimtarisë njerëzore në univers (GS, 33-39) 

 

Vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Duke vazhduar rrugëtimin tonë mbi Kushtetutën baritore Gaudium et spes të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, mbërrijmë në kapitullin e tretë të pjesës së parë, që ka një titull tërheqës: «Veprimtaria njerëzore në univers». Pyetja themelore është kjo: cila është vlera e veprimtarisë njerëzore në botë dhe, pra, e përparimit teknik, shoqëror e shkencor? Mund të kujtojmë se, më pak se katër vite pas mbylljes së Koncilit, natën ndërmjet 20 dhe 21 korrikut 1969, njeriu do të shkelte për herë të parë në Hënë.

I krijuar në shëmbëllesë dhe përngjasim të Hyjit, njeriu është subjekt i përparimit. Me lirinë dhe inteligjencën e vet ai i shton njohuritë e veta, duke bërë kështu që të përparojë mbarë shoqëria. Këtë mund ta shohim lehtë duke vërejtur përmirësimet e kushteve të jetesës nga një brez në tjetrin. Në të vërtetë, thotë Dokumenti, «shumë të mira, që dikur njeriu i priste nga fuqitë më të larta, sot i siguron me nismën dhe me forcat e veta» (nr. 33).

Për këtë arsye, disa mendimtarë e kanë paraqitur përparimin tekniko-shkencor si diçka që e dobëson marrëdhënien me Hyjin, deri në atë pikë sa Ai të duket i panevojshëm, ose madje si kundërshtar i fesë së krishterë. Dhe ky këndvështrim ka sjellë një ndryshim në mënyrën se si njeriu bashkëkohor e sheh botën, krahasuar me epokat e mëparshme. Një paragjykim i tillë është përhapur sidomos në atë pjesë të kulturës perëndimore që e ka humbur referimin ndaj Zbulesës së krishterë. Në humanizmat post-kristiane njeriu dhe Hyji paraqiten gabimisht si rivalë: për të pohuar njohuritë, lirinë dhe përparimin e vet, njeriu duhet të çlirohet nga Hyji. Por, në fund, duke mohuar marrëdhënien me Hyjin, humbet edhe mundësia për të pohuar vlerën transcendente të personit njerëzor. Është «drama e humanizmit ateist», e përshkruar mirë nga një teolog i rëndësishëm i Koncilit II të Vatikanit, Henri de Lubac.[1]

Koncili dëshiron t’i japë një përgjigje të qartë kësaj çështjeje: «Për besimtarët – pohon Gaudium et spes – një gjë është e sigurt: e shqyrtuar në vetvete, veprimtaria njerëzore individuale dhe kolektive, domethënë ajo përpjekje e madhe me të cilën njerëzit, përgjatë shekujve, kërkojnë t’i përmirësojnë kushtet e veta të jetesës, i përgjigjet planit të Hyjit» (nr. 34). Madje, vijon Kushtetuta, «të krishterët as që mendojnë t’ia kundërvënë frytet e gjenisë dhe të guximit njerëzor fuqisë së Hyjit, sikur krijesa e arsyeshme të ishte rivale e Krijuesit; përkundrazi, janë të bindur se fitoret e njerëzimit janë shenjë e madhështisë së Hyjit dhe fryt i planit të tij të patregueshëm» (po aty). Në thelb, Hyji ka vënë në duart e burrit dhe të gruas një krijim ende in statu viae, domethënë në ecje, në rritje, që ata ta çojnë drejt përmbushjes nëpërmjet veprimtarisë së tyre të urtë.[2]

Këtu kemi një referim të rëndësishëm ndaj misterit të Mishërimit. Natyra njerëzore – dhe bashkë me të puna, përparimi dhe autonomia e realiteteve të krijuara – nuk përthithet dhe as nuk asgjësohet nga takimi me Hyjin, por merret në tërësinë e vet, duke vazhduar të jetë, në Krishtin, e lirë dhe vepruese: sepse pikërisht në Të ajo gjen të vërtetën dhe lirinë e plotë. Për më tepër, në kremtimin eukaristik, fryti i punës njerëzore, i përfaqësuar nga buka dhe vera, vendoset çdo ditë mbi altar për t’u shndërruar në Trupin dhe Gjakun e Krishtit.

Nga kjo perspektivë buron një e vërtetë e rëndësishme: për ta takuar Hyjin, njeriu nuk duhet t’i braktisë angazhimet tokësore, por mund ta jetojë plotësisht thirrjen e vet duke e kryer mirë punën e përditshme dhe duke e shenjtëruar atë.[3] Të krishterët janë të përfshirë, si të gjithë, në ndërtimin e qytetit të njerëzve, duke synuar cakun përfundimtar të të gjitha gjërave dhe takimin me Hyjin, si edhe duke ua kujtuar këtë cak fundor atyre me të cilët bashkëndajnë aventurën e përparimit, të shkencës e të jetës.

Sigurisht, përparimi tokësor duhet dalluar qartë nga zhvillimi i Mbretërisë së Krishtit; megjithatë, Koncili pohon se «ky përparim, në masën në të cilën mund të ndihmojë për një organizim më të mirë të shoqërisë njerëzore, ka një rëndësi të madhe për Mbretërinë e Hyjit. […] Të gjitha frytet e mira të natyrës dhe të veprimtarisë sonë, pasi t’i kemi përhapur mbi tokë në Shpirtin e Zotit dhe sipas urdhrit të tij, do t’i gjejmë përsëri, por të pastruara nga çdo njollë, të ndriçuara dhe të shndërruara» (nr. 39).

Së fundi, kujtojmë se, për t’u bërë përparim vërtet njerëzor – domethënë përparim i krejt njeriut dhe i të gjithë njerëzve – përparimi teknik dhe shkencor duhet të gjallërohet e të orientohet nga dashuria. Vetëm kështu ai mund të vihet gjithmonë në mbrojtje të dinjitetit të njeriut dhe të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë, sidomos për ata që janë më të pafavorizuar.

Të dashur vëllezër e motra, Koncili II i Vatikanit na fton ta bashkëndajmë bukën e dijes e të aftësisë për të vepruar, që çdo njeri dhe çdo popull të mund t’i zhvillojë mundësitë e veta dhe së bashku, me ndihmën e Hyjit, të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

 

————————

[1] Khs. H. de Lubac, Le drame de l’humanisme athée (1944).

[2] Khs. Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 302, 306, 307.

[3] Khs. Shën Gjon Pali II, Homelia për kanonizmin e Josemaría Escrivá de Belaguer (6 ottobre 2002).

Shpëndaje: