Papa në Francë, një udhëtim mes sfidave të vendit dhe dialogut me Evropën

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, paraqiti hollësitë e udhëtimit të pestë apostolik ndërkombëtar të Papës Leoni XIV, që do të zhvillohet nga 25 deri më 28 shtator. Gjatë katër ditëve, Papa do të takohet me realitete të ndryshme të Francës, duke prekur tema si paqja, edukimi, arti, mjedisi, Inteligjenca Artificiale, sfidat shoqërore dhe dialogu me Evropën

 

Mes sfidave të Francës së sotme dhe dialogut me Evropën, përkushtimit ndaj Marisë, rëndësisë së edukimit dhe artit, urgjencës së paqes dhe plagëve shoqërore, udhëtimi i Papës Leoni XIV në Francë do të jetë i pasur me tema dhe takime. Vizita e tij e pestë apostolike ndërkombëtare do të ndërthurë historinë me aktualitetin, kujtesën me të ardhmen, përmes ndalesave në vende me një rëndësi të veçantë, si Parisi, Lurdë dhe Metz.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke paraqitur programin e udhëtimit, theksoi se Papa do të takohet me realitete të ndryshme të Francës, një vend që, ndonëse në disa raste duket i larguar nga rrënjët e tij, po përjeton shenja të një zgjimi shpirtëror, veçanërisht ndër të rinjtë.

 

Parisi: historia, kultura dhe sfidat e shoqërisë

Vizita e Leonit XIV do të nisë më 25 shtator në Paris, tetëmbëdhjetë vjet pas udhëtimit të fundit të një Pape në kryeqytetin francez dhe në Lurdë, të bërë nga Benedikti XVI në vitin 2008. Gjatë ditës së parë, Papa Leoni XIV do të takohet me përfaqësues të institucioneve, kulturës dhe shoqërisë franceze, duke u ndalur në historinë dhe rrënjët e krishtera të vendit.

Në axhendën e Papës Prevost do të jenë edhe çështje që lidhen me fenë, kujdesin për më të dobëtit dhe më të varfrit, si dhe me përgjegjësinë e Francës në skenën ndërkombëtare. Në fjalimet e Atit të Shenjtë pritet të ketë edhe referime ndaj konflikteve dhe nevojës për solidaritet.

 

Një Francë që kërkon përgjigje

Sipas Matteo Brunit, Franca e sotme është një vend që po pyet veten për shoqërinë, njeriun dhe jetën, duke kërkuar përgjigje pa ia deleguar plotësisht këtë detyrë shkencës, teknologjisë, institucioneve apo shoqërisë. Edhe Kisha në Francë, theksoi ai, është një Kishë që e vë veten në diskutim dhe përballet me sfidat e shekullarizimit. Në këtë kuadër do të trajtohet edhe roli i Kishës në fushën e edukimit, veçanërisht në dritën e numrit të madh të shkollave katolike.

 

Në UNESCO: arti, edukimi, mjedisi dhe Inteligjenca Artificiale

Një prej momenteve të rëndësishme të vizitës së Papës do të jetë ndalesa në selinë e UNESCO-s, me rastin e 75-vjetorit të marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë. Aty do të nënshkruhet një marrëveshje kuadër dhe do të trajtohen arti, edukimi dhe roli i tyre në shoqëri. Në qendër do të jetë edhe mbrojtja e jetës njerëzore dhe kundërshtimi i një vizioni thjesht utilitar për njeriun dhe jetën. Do të trajtohen gjithashtu edhe çështjet e mjedisit dhe Inteligjencës Artificiale, në dritën e enciklikës së Papës Magnifica humanitas.

 

Lourdes: shërimi dhe shoqërimi

Në Lurdë, Papa do të përjetojë një shtegtim në një prej qendrave më të rëndësishme të fesë dhe përkushtimit marian. Mesazhi i “shërimit dhe shoqërimit”, që buron nga kjo qytezë rrëzë Pirenejve, do të vendoset në dialog me sfidat e kohës sonë. Gjatë kësaj ndalese,  Ati i Shenjtë Leoni XIV do të takohet me ipeshkvijtë dhe me një grup personash që kanë qenë viktima të abuzimeve. Takimi me viktimat do të jetë privat.

 

Nga Metz, një mesazh për Evropën

Një rëndësi të veçantë do të ketë edhe ndalesa e Leonit XIV në Metz, qyteti ku lindi Robert Schuman, një prej themeluesve të projektit evropian. Sipas Brunit, Evropa do të jetë në qendër të fjalimit të Papës në Metz, së bashku me dialogun ndërfetar. Përfaqësues të feve të ndryshme do të marrin pjesë në një takim ku pritet të lexohet një apel i përbashkët.

Në takimin “Në rrënjët e Evropës”, që do të zhvillohet në Qendrën e Kongreseve Robert Schuman, pritet të marrin pjesë edhe personalitete të institucioneve evropiane. Nuk përjashtohen takime dypalëshe private me liderë ndërkombëtarë. Drejtori i Sallës së Shtypit theksoi se rëndësia e vizitës së Leonit XIV në Metz nuk do të varej vetëm nga prania e krerëve të shteteve, por mbi të gjitha nga mesazhi i Papës, i cili do t’u drejtohet të gjithëve dhe do të trajtojë çështje që prekin të gjithë kontinentin evropian.

 

Delegacioni papnor

Në delegacionin që do të shoqërojë Papën do të jenë kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin; kardinali Dominique Mamberti, prefekt i Gjykatës së Lartë të Nënshkrimit Apostolik; kardinali George Koovakad, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar; si dhe imzot Filippo Iannone, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nuk do të jetë pjesë e delegacionit, pasi do të ndodhet në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Kombeve të Bashkuara. /Vatican News

Shpëndaje: