Imzot Dodë Gjergji: Me Zemrën e Krishtit ta duam Hyjin dhe vëllezërit tanë

Në festën e Zemrës së Krishtit, Imzot Dodë Gjergji ftoi besimtarët që me Zemrën e Krishtit ta duan Hyjin dhe të afërmin, për të dalë nga një botë e ngurtë, në të cilën mungon dashuria për Zotin, për veten dhe për tjetrin. Zoti, i cili e ka dashur botën me Zemrën e Tij, fton të gjithë ne të krijojmë marrëdhënie vëllazërie dhe dashurie për ta shpëtuar jetën e secilit.

 

Në Kishën e Vitisë u kremtua ditëfesta liturgjike e Zemrës Tejetshenjtë të Krishtit. Meshën e Shenjtë të festës e kryesoi ipeshkvi i dioqezës sonë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë dhe në praninë e një numri të madh besimtarësh të zonës, të cilët janë të devotshëm ndaj kësaj përshpirtërie të Kishës sonë.

Kjo ditë, që është edhe Dita e Shenjtërimit të Meshtarëve, të cilën e kishte dëshiruar Papa Benedikti XVI, që nga viti 2009 ka marrë një rëndësi të veçantë, pasi në lutjen e Kishës përfshihen në mënyrë të posaçme edhe meshtarët. Njeti i Kishës është që ata t’i përngjajnë gjithnjë e më shumë Zemrës së Mësuesit të tyre, duke ia dhuruar botës këtë Zemër përmes duarve të tyre të shuguruara në sakramente, veçanërisht në Eukaristi, si dhe në shpalljen e Ungjillit, që është fjalë dashurie e kësaj Zemre.

Në homelinë e tij, ipeshkvi theksoi se festa e Zemrës së Krishtit kremtohet sepse Kisha beson se Zoti ka dashur të na mësojë ta duam Atin Qiellor me Zemrën e Krishtit, ndërsa Ai vetë ta dojë botën dhe secilin prej nesh me po atë Zemër.

Kjo dashuri e dyanshme – theksoi Imzoti – në të cilën Zoti me Zemrën e Tij e do botën, ndërsa ne e duam Hyjin dhe të tjerët me po atë Zemër, zbërthehet në Zemrën e Krishtit. Kjo Zemër na mëson të lutemi, ashtu si na e ka treguar Ungjilli i sotëm: si një marrëdhënie intime me Hyjin, një marrëdhënie ekzistence në të cilën shfaqet natyra jonë si besimtarë.

“Të largojmë çdo gjë që pengon që dashuria e Zemrës së Krishtit të bëhet pjesë e jetëve tona. Sepse një zemër besimtari pa dashurinë e Krishtit është e padobishme. Dhe ashtu si Shën Pali na mëson në leximin e dytë, të qëndrojmë në dashurinë e Hyjit dhe të japim fryte për të mirën e Kishës dhe të botës, ashtu si ka qenë bija e kësaj Kishe, Shën Nënë Tereza, e cila ka dhënë fryte të shumta, sepse ka jetuar dhe vepruar me këtë Zemër të Krishtit”, porositi bariu i Kishës sonë./drita.info

Shpëndaje: