Papa Leoni XIV emnon Imzot Bianco nunc apostolik në Slloveni e delegat apostolik për Kosovë

Sot, më 20 maj 2025, Papa Leoni XIV ka emnue nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën Imzot Luigi Bianco (Montemagno, 3 marzo 1960), deri tani nunc apostolik në Ugandë. Kështu njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.  Kryeipeshkvi me origjinë nga Montemagno, Itali, imzot Luigi Bianco lë Nunciaturën Apostolike në Ugandë, do të mbajë marrëdhëniet diplomatike edhe me Kosovën.

“Pas dhjetë vitesh shërbimi në Afrikën Lindore si Nunc Apostolik, fillimisht në Etiopi dhe nga viti 2019 në Ugandë, ka ardhur momenti për mua për një detyrë në një vend tjetër – komenton Imzot Bianco -. Kthehem në Evropë, në Lubjanë, Slloveni. Kam qenë tashmë në Kroaci për tre vjet, pas shërbimit tim në Argjentinë.”

 

Biografia e Imzot Luigi Bianco

Imzot Luigi Bianco ka lindur më 3 mars 1960 në Montemagno Monferrato, në provincën e Astit dhe Dioqezën e Casale Monferrato.

Ai u përgatit për meshtari në Seminarin Dioqezan të Casale (1976-1979) dhe më pas në Kolegjin Papnor Capranica në Romë (1979-1985). Në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë mori gradën e Bakalauerit në Filozofi (1980), Licencën në Teologji Dogmatike (1985) dhe Doktoraturën në të Drejtën Kanonike (1989).

Më 30 mars 1985 u shugurua meshtar në kishën famullitare të Montemagno-s nga Imzot Carlo Cavalla, ipeshkëv i Casale Monferrato.

Nga viti 1985 deri në 1989 ishte student në Akademinë Papnore Kishtare në Romë, ku ndoqi kurset e përgatitjes për Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Shërbeu në nunciaturat apostolike: Itali (1989-1991), Egjipt (1991-1994), Argjentinë (1994-1999), Kroaci (1999-2002), Spanjë dhe Andorrë (2002-2009). Më 7 dhjetor 2007 u emërua Vëzhgues i përhershëm ndihmës i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës Botërore të Turizmit, me seli në Madrid.

Më 12 janar 2009, Papa Benedikti XVI e emëroi Nuncio Apostolik në Honduras dhe Arqipeshkëv titullar i Falerone-s.  U shugurua ipeshkëv më 25 prill 2009 nga kardinali Tarcisio Bertone, Sekretar i Shtetit, në Katedralen e Casale Monferrato.

Papa Françesku e ka emëruar Nuncio Apostolik në Etiopi (12 korrik 2014), Nuncio Apostolik në Xhibuti dhe Delegat Apostolik në Somali (10 shtator 2014), Përfaqësues i posaçëm i Selisë së Shenjtë pranë Bashkimit Afrikan (13 tetor 2014), Nuncio Apostolik në Ugandë (4 shkurt 2019).

 

Po kujtojmë se më 10 shkurt 2011 Papa Bemedikti XVI pati emëruar Delegatin e parë Apostolik në Kosovë, Nuncin Apostolik në Slloveni, Shkëlqesinë e Tij Imzot Juliusz Janusz.

Me artë rast, në një shënim nga Zyra e Shtypit në lidhje me detyrën e Delegatit Apostolik në Kosovë, thuhej se:

Emërimi i një Delegati Apostolik hyn në funksionet e organizimit të strukturës së Kishës Katolike dhe, për rrjedhojë, merr karakter thjesht brenda-kishtar, duke mbetur krejtësisht i ndarë nga konsideratat që lidhen me situatat juridike dhe territoriale ose nga çdo çështje tjetër që lidhet me veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë. Misioni i një Delegati Apostolik nuk është i natyrës diplomatike, por i përgjigjet nevojës për të ndihmuar në mënyrë të përshtatshme nevojat baritore të besimtarëve katolikë./drita.info

Shpëndaje: