Gjuha e mërgimit te Dante dhe Joyce

Dy shkrimtarë të ndarë me shekuj të tërë, por të bashkuar nga e njëjta prirje drejt të pafundmes. Vetëm duke e rishpikur gjuhën, fjala mund të bëhet një vend i lirisë.

 

Nga Fabio Pedone

 

«E dua Danten po aq sa Biblën. Dante është ushqimi im shpirtëror; gjithçka tjetër është peshë e kotë.» Këto fjalë nuk i ka shqiptuar një poet italian – as Montale, as Zanzotto, as De Signoribus – por irlandezi James Joyce, i cili ndaj atit të gjuhës italiane ndiente një borxh të pamasë krijues. Në mars të vitit 1940, i strehuar në Saint-Gérand-le-Puy, ndërsa trupat naziste po përgatiteshin të pushtonin Parisin, autori i Uliksit i shkruante në italisht mikut të tij Ettore Settanni: «Më gëzoi pa masë lajmi se zonjusha ime e vogël, ajo e Dublinit, e kreu shtegtimin e saj dhe bëri me aq hijeshi përkuljen e vet modeste para madhërisë së Xhaxhait Tever. Vallë, a u zbavit sadopak ai plak fort i nderuar duke dëgjuar atë llomotitje të pazakontë, të pakuptimtë e të çuditshme?» Joyce i referohej Anna Livia Plurabelle, personifikimit letrar të lumit Liffey të Dublinit, ujërat kaçurrela e “llafazane” të të cilit ushqejnë dhe gjallërojnë vetë kozmosin. Settanni kishte botuar në revistën Prospettive, të drejtuar nga Curzio Malaparte, dy fragmente nga vepra marramendëse Finnegans Wake, të përkthyera nga Joyce së bashku me Nino Frank-un, në një italishte të gjallë me ngjyrim toskan, të mbushur me jehona danteske: «Kush e bën të keqen, e paguan. Kush mburret, korr telashe. Këtë e di edhe mjeku i vet.» Ky ishte stacioni i fundit i një historie të gjatë. Joyce do të ndërronte jetë në Cyrih më 13 janar 1941, më pak se një vit më vonë. Por admirimi i tij për Komedinë Hyjnore dhe ndikimi i fuqishëm i Dantes mbi autorin e Uliksit dhe Finnegans Wake kishin lënë tashmë gjurmë të pashlyeshme. Në laboratorin gjuhësor të Joyce-it, poeti fiorentin shndërrohet në një figurë mitike, të ripagëzuar me lojën e tij karakteristike të fjalëve si “mastrodantic” dhe “divine comic Denti Alligator.”

Joyce i ri, nxënës i jezuitëve në kapërcyellin ndërmjet dy shekujve, nisi të zbulojë Danten dhe Cavalcantin falë jezuitit bergamask, At Ghezzi, në University College Dublin. Mendësia e tij “mesjetare”, gjithnjë e gatshme të nuhaste fijet e fshehta dhe nyjat epifanike në filigranin e thellë të realitetit, e çoi shpejt drejt kureshtjes për lëvizjen heretike të françeskanëve spiritualë dhe për profecitë e “abatit kalabrez Joakim” (Joakimi i Fiores), të cilat ai i studioi me zell në moshën njëzetvjeçare, në një bibliotekë të vetmuar françeskane buzë lumit në Dublin. Për Joyce-in, Dante, së bashku me Ibsenin, u bë menjëherë modeli i emancipimit shpirtëror të artistit: ai që di të ngrihet mbi dhimbjet dhe kufizimet e kohës së vet, duke endur fije simbolike që shtrihen drejt së përbotshmes dhe duke i dhënë zë asaj që deri atëherë kishte mbetur e pashprehur. Nuk është aspak e tepruar të mendohet se edhe vetë struktura e Dubliners (Dublinasit), përmbledhje e pamëshirshme e tregimeve me të cilën Joyce i ri i vuri veset e Irlandës përballë një pasqyre të kthjellët, është ndërtuar sipas një ndarjeje treshe, në analogji me Komedinë Hyjnore. Në mënyrë të ngjashme, në pragun e Luftës së Madhe, romani revolucionar Uliksi, pasi përshkon një udhëtim të gjatë “purgatorial” në hartën e ndërgjegjes dhe të historisë njerëzore (të përqendruar në kronikën e brendshme të një dite të vetme) përfundon me një nostos të përditshëm, një kthim në shtëpi, që për Leopold Bloom-in, ky kthim është një lloj parajse, jo Transhendente, por ajo e një imanence thellësisht njerëzore.

Nuk është rastësi që zotëri “Giacomo Giocondo” – siç e përktheu James Joyce emrin e vet në italisht – zgjodhi të hynte në hapësirën gjuhësore italiane sapo vendosi të largohej nga bota e tij tepër e ngushtë dhe e zymtë, nga kafazi kufizues i një mendësie të plagosur. Gjuha italiane përfaqësonte për të yllin polar të aspiratave të tij kulturore. Megjithatë, kur mbërriti në Trieste në vjeshtën e vitit 1904, irlandezi i la të habitur njerëzit e parë që njohu, sepse fliste një italishte jashtë kohe, me ngjyresa qartësisht mesjetare, të mësuar kryesisht nëpërmjet leximit të Dantes.

Ajo që i bashkon këta dy revolucionarë të vizionit dhe të gjuhës janë dy përvoja themelore: mërgimi dhe kërkimi i së pafundmes. Joyce ia imponoi vetes mërgimin nga Irlanda për të shpëtuar lirinë e tij si artist, duke iu shmangur rrjetave të familjes, ngurtësisë kishtare dhe pushtetit kolonial. Me kënaqësi ai krijonte paralele ndërmjet fatit të tij dhe mërgimit që Dante përjetoi në fillim të shekullit XIV. Mërgimi si rrezik, si përvujtëri, si kërkim i shpëtimit – qoftë qiellor, qoftë tokësor – një përvojë që i përket vetë gjendjes njerëzore dhe, në këtë kuptim, çdo njeriu. Për të dy autorët, etja për të pafundmen përjetohet para së gjithash në trupin e gjuhës. Është një prirje drejt universales, madje nëpërmjet shumëgjuhësisë, shtresimeve simbolike të fshehura në jetën e përditshme, ku çdo fjalë të çon te një send, çdo send te një ide, çdo ide te një mesazh i fshehtë ose te një epifani. Në këtë hapje ndaj së padukshmes, Joyce e përdor gjuhën si portën e fundit të mundshme për të hyrë në dialog, edhe polemik, me të vdekurit dhe me mësimet e të urtëve. «Ai ishte tullac dhe milioner, mjeshtër i atyre që dinë», mendon Dedalusi i Joyce-it përballë bregut të detit, në episodin e tretë të Uliksit (duke cituar hapur Danten). Kjo është pjesë e një përballje mendore me Aristotelin, që është një odise e brendshme e të perceptuarit: drita, ngjyrat, trupat. A vazhdon të ekzistojë bota e dukshme kur unë i mbyll sytë? Dhe kush e garanton këtë? Por dija nuk është urti, dhe urtia nuk është shpëtim.

Dhe më tej, Joyce – nëpërmjet figurës së Dedalusit – sodit dy burra të veshur njësoj, që ecin krah për krah në breg të detit, si dy vargje të rimuara. Ndoshta këtu rikthehet të vërë në dyshim dogmën e bashkëqenësisë (consustanzialità), ai që kishte kërkuar forma të reja të atësisë simbolike dhe e vendosi veten në rolin e babait të vet, në nyjat e pakalueshme të gjuhës, duke “i dhënë vetes një emër”, siç do ta përfytyronte Lacan. Për t’u shpëtuar cikleve të dhunshme të një historie, e cila nuk na mëson, por vetëm përsërit vetveten, atëherë duhet të ndjekë gjurmët e Dantes, të bëhesh gjykatës, në veprën poetike, të karaktereve njerëzore duke u nisur nga plagët e së tashmes; të shpikësh një gjuhë të re dhe të krijosh një tekst që të jetë një organizëm kozmik apo “kaosmik” (chaosmic) – një shkrim i ri, prizmatik i Gjithçkasë, për të thënë, “atë që kurrë më parë nuk është thënë”.

Onomaturgjia, e shenjtë te Dante, ndërsa te Joyce njëkohshëm “liturgjike” dhe “kaotike” (liturgicosa), i shërben pikërisht këtij qëllimi për t’u dhënë lojës së gjuhës, për ta rishpikë atë në një hov të guximshëm drejt lirisë, në kërkim të një pafajësie të re që mund të na shpëtojë nga zinxhirët e një Historie çnjerëzore (“the same anew” – gjithnjë e njëjta, përsëri –, siç thoshte Joyce, lexues i Vicos). Ky është një përballim me të pamundurën dhe me të pashprehshmen: nëse për Danten nuk ka fjalë që mund të shprehin përvojën e “trasumanar-it” (përtejkalimit) parajsor, dhe kujtesa dorëzohet përballë “tjetërsimit” të vizionit të Hyjit, që e tejkalon, e tjetër është materia nga e cila është endur gjuha onirike e Finnegans Wake. Frymëzimi duket të jetë infernal i Këngës VII të Ferrit: «Pape Satàn, pape Satàn aleppe!». «Më fal At Dante», do t’i thoshte Joyce Settannit, «por unë u nisa nga kjo teknikë e deformimit për të arritur një harmoni që e kapërcen arsyen tonë, ashtu si muzika.» Po çfarë muzike e padëgjuar është kjo? “Undante umoroso”, tingulli që krijon kuptimin, një utopi e një kohe jashtë kohës – për një shkrimtar që edhe në vitet e fundit të jetës, ndonëse e kishte braktisur Kishën që në rini, Joyce nuk pushoi kurrë së qeni kureshtar ndaj fesë dhe riteve të saj (sikur që ishte liturgjia e së Premtes së Madhe, që merrte pjesë në Paris).

Po aq i pandryshuar mbeti edhe në pranimin e borxhit të tij ndaj “the divine comic Denti Alligator”. Midis nofullave të këtij monstrum-i (përbindëshi) gjuhësor që endet në thellësitë e Finnegans Wake, kuptojmë se mësuesit dhe etërit shpirtërorë kanë dhëmbë të mprehtë dhe nuk duhet ta lejojmë veten të përpihemi prej tyre. Por, atëherë ja se del në pah jehona e fjalëve të profetit Jeremia: «Në ato ditë nuk do të thuhet më: “Etërit hëngrën rrush të thartë dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve. Por secili do të vdesë për shkak të fajit të vet.»  «Në fund të fundit», për të thënë sipas vetë Joyce, «ta lexosh Danten të lodh shpejt; është si të shikosh drejt e në diell.» Përballë një drite kaq të fuqishme, shikimi nuk arrin më të dallojë qartë. Nëse etërit e mëdhenj të letërsisë dhe mjeshtrit e pamëshirshëm kanë qenë shpesh një peshë dërrmuese për pasardhësit e tyre, duke krijuar atë që Harold Bloom e quajti “ankthi i ndikimit”, marrëdhënia e Joyce-it me Danten, yllin e tij polar, paraqet një rast të rrallë të lumnisë së ndikimit.

 

Marr nga www.avvenire.it | La lingua dell’esilio in Dante e Joyce

Përktheu: Rev. “Drita”

Shpëndaje: