Martirologjia arbërore e Malësisë së Shkupit –  një topos sui generis e dëshmisë së krishterë në Kosovë

(Dodë Gjergji, Burrat e Besës, roman historik, Drita, Prishtinë 2026)

 

 

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Frymëzimi krijues letrar mund të vijë prej shkaqeve të ndryshme, qofshin ato të përbrendshme shpirtërore, ndijore, fenomene të ndryshme, vuajtje a dhimbje, qofshin ato ngjarje nga një e kaluar historike, që prek dellin e shkrimtarit dhe atë e shndërron në rrëfenjë artistike. Romani historik[1] “Burrat e Besës” i Dodë Gjergjit është një rrëfenjë që u ndikua prej kësaj të fundit; nga një dokument historik kujtese nga rajoni i Malësisë së Shkupit, që autori e rishkruan, e sjell të letrarizar, duke krijuar një tregim model për bashkëkohësinë, ndërsa personazhet e dokumentit duke i bërë modele, arketipa qëndrese për vazhdimësinë e jetës autoktone shpirtërore dhe kombëtare në truallin e etërve.

Romani është botuar në 180-vjetorin internimit të shqiptarëve nga Malësia e Shkupit në Turqi (1846), përkatësisht nga Stublla, Binça, Terziaj dhe Vërnakolla, kurse themel i tregimit të tij ishte  dorëshkrimi i Don Nikollë Mazrekut[2], i cili tregon dëshminë e të mbijetuarve (post exlilium) të të internuarve kriptokatolikë/laramanë, periudhë kjo që koinçidonte me reformat në Perandorinë Otomane, përkatësisht me tanzimatin otoman, me anë të të cilit kjo perandori, nën trysninë e fuqive të mëdha, por edhe të çarjeve administrative në pjesët e saj të ndryshme, detyrohej t’iu jepte të drejtën e lirisë fetare e kombëtare të nënshtruarve të saj.

Në përputhje me përkufizimin manzionian të tipologjisë së romanit historik, që u përmend më lart, autori ka bërë një dekodifikim të dokumentit dorëshkrim, si themel për rrëfimin e tij, dhe ka krijuar një gërshetim mes të vërtetës historike dhe narracionit letrar. Nuk duhet të kuptohet kjo si një ikje apo tejkalim i historisë faktike, por një përqasje e re mbi faktet historike, si një lexim autorial i të njëjtit për ta paraqitur atë në një zhanër tjetër; jo sipas ligjshmërisë historiografike, që do t’i përngjante një historiografie dokumentare apo një eseje historike, por sipas ligjshmërisë narrative romanore, që konsiderohet si përthithësi fatlumë i fushave të ndryshme njerëzore të mendimit.

Autori bëhet pjesë e kësaj historie reale (narrator heterodiegjetik), sepse realisht autori është pasardhës i këtyre burrave të besës (i personazheve), që e bartë në jetën e tij këtë trashëgimi martire. Nga kjo përkatësi personale ai ka mundur të hyjë thellë në imagjinatën e personazheve, real dhe fiktiv, që e krijojnë rrëfimin e tij. Aq më tepër kur rrëfimi i tij njëjtësohet me periudhën e asaj kohe, duke i qëndruar besnik ngjarjes dokumentare, duke përdorur forma stilistike dialektore gege, idioma rajonale (metagjuha), të përdorur nga protagonistët e ngjarjes reale, chronotopos-et (kohëhapësirat), strukturën familjare tradicionale, emrat dhe metodat e kuvendimit, si dhe mënyrën e jetës së kriptokatolikëve, si një formë e veçantë e banorëve të kësaj treve. Të gjitha këto tipare dhe përbërës i  ka romani, që janë në përputhje me përkufizimin e romanit historik, ashtu siç e gjejmë edhe te shkrimtarët dhe kritikët në zë, U. Eco e R. Montagnoli, kur thonë se ky zhanër i romanit duhet të ketë një koherencë të brendshme, një besueshmëri të botës së rrëfimit, që të prodhojë një peizazh të qartë të së shkuarës dhe lidhjet e saj me të tashmen.[3]

Ndonëse e vërteta historike e dokumentuar është e mbushur me pasazhe të rënda torturuese, megjithatë autori në narrativen e tij iu ikën përshkrimeve të tilla, por gërsheton dhe krijon në formë origjinale fabulën si botë/kornizë e tregimit të vet. Madje, në shumë vende gjejmë tendencën e tij për ta lehtësuar atë me disa ngjarje të tjera[4], duke mos e fokusuar shumë lexuesin te torturat dhe dhimbjet, që të mos kalohet në një gjendje dhembshurie te receptuesi, që mund të lënë përshtypjen e ndonjë dëliri, dhe kështu edhe ta largojë atë prej rrëfimit të tij. Po ashtu, nuk hasim as koncepte, as ngjarje hipotetike, e as imagjinative, që nuk do të mund të hynin në botën e kësaj ngjarjeje historike apo do të mund ta tejkalonin atë, por e tregon të vërtetën reale duke i dhënë formën origjinale rrëfimit. Këto tipare narrative krijojnë në rrëfim emocionuese që provokon interesim leximi te receptuesi, e gjithashtu edhe efektin e fortë sa e përballë me dilemën mes tërheqjes dhe refuzimit.

Rrëfimi fillon në vigjiljen (natën) e Zojës Madhe në shtëpinë e Zef Jahisë në Stubëll, që kriptokatolikët e festonin si festë të familjes. Gjendja e tyre shpirtërore laramane, e fshehur, e ndarë në dysh, mes dy realiteteve – atë të trashëguar dhe atë të imponuar –, vjen në një çast, kohë që duhet të vendoset për t’u përcaktuar për njërën, kurse për tjetrën të hiqet dorë.

Protagonisti kryesor i kësaj historie është Zef Jahija, përkatësisht Zef Gashjani, i cili nis dhe e përfundon këtë sagë martire të kriptokatolikëve të Malësisë së Shkupit. Në një trekëndësh vendbanimesh Stublla-Binça-Letnica (këtu hyjnë edhe dy vendbanime më të vogla, Vërankolla dhe Tereziajt), autori e krijon bërthamën e tregimit dhe i vendos personazhet kryesore që bartin tregimin e tij. Ky trekëndësh do të shtrihet edhe në vende të tjera të Kosovës, por si një lidhje më tepër shpirtërore e gjendjes së ngjashme me ta, për të treguar se kjo histori është më e spikatura, porse jo e vetmja, dhe si e tillë duhet të ngrihet në arketip kolektiv të kthimit në rrënjë, te cungu i vjetër, – simbol i veçantë i autorit. Këtu do të hyjnë Drenica, si territor, Llapushniku, Kishnareka, Llausha, si fshatra të veçanta, që hyjnë në gjeografinë shpirtërore të autorit.

Vigjilja e Zojës së Madhe, festë kuptimplote e kripotkatolikëve, që kremtohet në Shenjtëroren e Letnicës, bëhet dita e kthesës, kur mblidhen burrat dhe nxjerrin vendimin për t’u rreshtuar publikisht në grigjën e Kishës. Është interesante se si Zef Gashjani, një i urtë i Stubllës, e bën një shoshitje bashkësiore me miq e bashkëvëllezër nga Binça dhe Vërnakolla, Tereziaj, që nisja dhe ndryshimi, përcaktimi dhe kthimi të bëhet bashkërisht, i përpunuar mirë duke e ndërkapur të tashmen me të kaluarën si përvojë dhe të ardhmen si vizion që duhet të realizohet. Nuk është aspak e rastit që Zefi nxjerr në sipërfaqe natyrën e rrezikshme të laramanizmit, njëlloj sinkretizmi, që të çon në degradim të shpirtit dhe se ajo mund të bëhet një shprehi e rrezikshme dhe shfarosëse e gjendjes shpirtërore, apo thënë ndryshe, do të ishte si një krimb që të ha ngadalë derisa të mos mbetesh asgjë.

Gjendja e këtillë (për)ngjan me atë shëmbëlltyrën ungjillore të djalit plangprishës[5], kur në një çast të vetëdijesimit për gjendjen e padinjitetshme dhe degraduese, djalit “i erdhën mendtë”, thotë shëmbëlltyra, dhe reflekton për ta bërë rikthimin e tij ekzistencial për te shtëpia e atit të vet, i penduar dhe me një pikëvështrim tjetër. Burrat e Besës kishin kuptuar se një degradim i dinjitetit të tyre kishte ndodhur dhe do të mund të prekte edhe palcën e tyre kombëtare dhe fetare, do të shkonin në tëhuajsimin e tërësishëm, nëse nuk do të bëhet një (ri)kthim në vatrën e (stër)gjyshërve. Burrat e Besës, janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre dhe nuk u vjen keq të thirrin mendjen e shëndoshë dhe të nisin kthimin për ta përmirësuar “gabimin e të parëve”, që kishte qenë vetëm si një vendim transitor:

[…] të parët tanë kanë gabua kur kanë mendua që ne mund të jetojmë si laramanë, derisa të ikë turku prej këtu.

Por, si duket, turku nuk e ka ndermen me ikë. Ja, u ban gati 100 vjet, prej kur kemi metë në këtë gjendje, fëmijët tanë kanë fillua me zbeh fenë e të parëve. Djali jem nuk din çka do me thanë, me e shelbua shpiritin. (f. 7).

Bija jeme! Po bahen gati 150 vjet, qëkur Bogdani i Madh vdiq. Mbas tij, dalëngadalë vdiqën edhe gjyshërit tanë, duke u mundua me na lanë gjallë mësimin e të parëve, kujtimin e historisë për Gjergj Kastriotin dhe besimin në fenë e Krishtit. Sot, bija jeme, të gjithë këto po vdesin në zemrën dhe mendjen e fëmijëve tanë. (f. 33).

Pasi “Djali jem nuk din çka do me thanë, me e shelbua shpiritin” (f. 7), dhe “këto po vdesin në zemrën dhe mendjen e fëmijëve tanë” (f. 33), atëherë është shenjë evidente e një gjendje shpirtërore në shuarje që imponon domosdoshmërisht “me pleqnua” mirë nëse do të bëhet një kthim në traditën “sikur e kanë pas babë e babagjysh tash 1800 vjet” (f. 7) ose një pranim të heshtur e asimilues të gjendjes tash gati 100 vjet.

Dilemat për burrat zgjidhen në kuvend, ku me urtinë popullore arbërore milenare shoshiten faktorë të ndryshëm dhe pastaj arrihet kristalizimi i vendimit, si gjendje dhe si veprim. Janë tre burra që udhëheqin këtë kuvend dhe marrin vendimin: Zef Gashjani, Pjetër Koliqi dhe Kolë Sopi. Është një kuvend i drejtë, në rrjedhën e kuvendeve të vështira arbërore[6], jo të atyre vendimeve e darkave vdekjeprurëse[7], që për pasojë sollën kthesa vdekjeprurëse. Zefi, Pjetri dhe Kola, janë burrat që shpëtojnë të mos shkëputet indi i trashëgimisë krishtenore në Malësinë e tyre. Edhe pse janë të vetëdijshëm se ky kuvend ka me sjell vuajtje, tortura e vdekje, ata zgjedhin të rreshtohen në traditën e të parëve të tyre, me gjithë pasojat që do të vinin, që, në fakt, është zgjedhje shpëtimprurëse për gjakun e fenë.

Kuvendi do ta ketë kulmin e tij solemn në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, në prani të fratit, me të cilin do të betohen për ta çuar deri në fund vendimin e drejtë e të shenjtë për atme e fe.

Lidhja e Burrave të Besës me Kishën ishte shpëtimi për ta mbajtur të gjallë lidhjen me historinë e gjakut të tyre, me të parët e tyre, dhe për ta siguruar vazhdimësinë në të ardhmen. Nëpërmjet saj ata shihnin më lart, kapnin horizonte të kontinentit, pikëshikime këto që mundësonin kapërcime ekzistenciale për të mos mbetur të ngurtësuar në kornizën perandorake të vënë si një saç që përvëlon përmasën transcendente të qenies. Kisha për ta ishte “dritare” për horizonte shprese dhe dalje nga errësira e “shpellës platonike”.

Jehona e kuvendit të tre burrave të Malësisë së Shkupit, arriti në veshët e Maliq Beut të Gjilanit, i cili u trondit. Ai e bashkë me të edhe garda e tij osmane, i acaruar për rebelimin e të nënshtruarve të tij, jep urdhër të silleshin para tij për t’i frikësuar me “kulaç apo me kërbaç”, por burrat i vijnë vetë në sarajin e tij dhe i kërkojnë t’iu respektohet e drejta e ushtrimit të fesë e atmes. Të veshur me veshje tradicionale, me plisa në krye e me kryq në gjoks, dalin para tij për të dëshmuar identitetin e gjakut e të fesë.

 

  1. Rruga kalvarike si përballje me të keqen dhe katharsis-i si përvojë ripërtëritëse për kthim

Paraqitja e “Burrave të Besës” para beut famëkeq do të jetë nisja e kalvarit të të gjitha familjeve të tyre, do të kenë një intenerar nga sarajet, hapsanet e Gjilanit, te burgu i Prishtinës, afër vendit ku është zhvilluar beteja e Kosovës (c.1389) dhe vendvdekja e zhvarrimi i Imzot Pjetër Bogdanit (1689),  nëpër Shkupin e stërlashtë të Justiniana Prima, në Selanikun e Apostullit të Popujve, ungjillizuesin e etërve tanë ilirë, e do të përfundojë në Muhaliqin e Turqisë.

Ky kalvar, që zgjatë tre vjet, e bart reminishencën e metaforës biblike[8], që autori e krijon për të shpalosur konceptin e tij të dëshmisë krishtenore, si përvojë autoktone e të parëve të tij, si në përmasën kombëtare, ashtu edhe në atë shpirtërore. Gabimet e të parëve, që kishin mohuar, në njëfarë mënyre, krejt zinxhirin identitar (shpirtëror) të stërgjyshërve, që është ravijëzuar ndër shekuj me gjak e me pendë, së pari te dardanët, pastaj arbërit e ka vazhduar me intensitet të ndryshëm edhe te shqiptarët, pasardhës të tyre, Burrat e Besës do ta përshkojnë për ta ribërë historinë e për ta nisur nga e para, që të mund të mbërrijnë/dalin në truallin e pastër e të frytshëm për të dhuruar fryte te pasardhësit.

Nga një pikëshikim historik mondan, është ajo “nemë” që e ka përcjellë popullin tonë saherë që ka thyer besën e etërve, parimet e botës së tyre të mbjella në qenien e tij. Kjo “nemë” ka kërkuar përherë “fli”, sakrificë e jetë arbërisht. Është ai misteri i së keqes (misterium iniquitatis) që përbirohet ndër bijë e bija tona e që tkurrë, thanë e shpërfytyron dëlirësinë e tyre, duke thithur përngadalë nektarin e ëmbël, e duke çelur varrë në shpirt, të cilat kullojnë nga gjenerata në gjeneratë.

Gjatë Rrugës së Kalvarit, që i prin Zef Gashjani, si Moisiu që i priu popullit nëpër shkretëtirë drejt tokës së premtuar, autori vendos një varg përvojash të “Burrave të Besës”, si me bejt osmanë, ushtarë të tyre, në mesin e të cilëve shumë shqiptarë të turqizuar që e tregonin mllefin ndaj “vëllezërve të tyre”, por edhe personazhe interesante të bashkatdhetarëve, te disa prej të cilëve kishte mbetur e pashuar krejtësisht fara arbërore e te disa kishte mbirë e ndiheshin rehat me atë gjendje. Janë histori të ndryshme që japin koloritin dhe paradokset që e kanë përcjellë vendin tonë shekujt e fundit.

Romani historik “Burrat e Besës” sjell një gjeografi kriptokatolike, shpirtërore të Kosovës, që i ngjan asaj të Malësisë së Shkupit – Martirëve të Karadakut, ndonëse në një natyrë më ndryshe. Edhe këtu, autori u mbetet besnik fakteve historike të fenomenit kriptokatolik, duke e riformuluar narrativen e tij fabulare që kap pikat themelore dokumentare; fut brenda saj rajonin e Drenicës, me fshatrat e saj Llapushnikun, Kishnarekën…, si pjesëza të besës së martirizuar.

[…] 

Po, unë drenicak jam! Në anën tonë, pothuajse të gjithë janë si ju, po ata nuk kanë guximin tuaj. Vetëm një gja duhet ta dini: shumica prej tyre janë tue pritë me pa se çfarë do të ndodhë me ju. Po fituat ju në këtë betejë, jam i bindur që të njëjtën gjâ do të bâjnë shumë prej nesh. Ju nuk e dini se si është përhapë lajmi nëpër gjithë Drenicën.

Kam dëgjua se nëpër odat tona, vetëm muhabeti juaj bahet. Bile, disa thonë që në Llapushnik, ka krisë martina në nder të trimërisë suaj. Mos harroni, burrat e Drenicës hala mbahen. Për fat të keq, këta të shtëpisë teme, janë dorëzua moti.

Ne kemi braktisë kishat dhe kemi hy në xhami, kem heqë plisat dhe kemi marrë çallmat, kemi lanë Biblën dhe kemi përqafua Kur’anin. Vetëm se, gratë tona ende jo!

Unë kam gjyshen gjallë. Ajo, në mbrëmje, kur të mbyllen dyert e kullës tonë, i ban bashkë gratë e fëmijët dhe i mëson me këndua uratë, mu kështu sikur po këndojnë burrat që janë me ju.

– Po ti qenke vërtetë si ne, or bir! E pse i shërben turkut, kur e ke këtë zemër dukati? – I than njëri pas tjetrit.

Zef Gashjani, që kishte mbetur gojëhapur, duke dëgjuar rojën e burgut, nuk arrinte t’u besonte veshëve atë që po dëgjonte prej atij djaloshi. Aq më tepër, nuk i besohej se sa larg kishte arritur jehona e guximit të tyre.

Kola nuk e kishte mendjen tek ato valë mendimesh që e kishin kapluar Zefin. Këndej, ai vazhdoi bisedën me djaloshin që ishte mbështetur bri gardhit.

– Për Zotin, e paske një zemër të mirë, mor djalë. E po më vjen tepër mirë që qenke një nga tanët, me gjak arbnor. Por s’po mbërrij me marrë me mend se si është e mundur që ne jemi të gatshëm të vdesim për besën tonë e ti po u shërben atyre që na robëruan popullin, na sunduan tokën e na e konvertuan shpirtin.

– Lere djalin rahat! – Ndërhyri Zefi, që u shkëput nga mendimet e tija. – Çka ka me ba ky i ngrati. Fajet i kanë pleqtë e shtëpisë së tij, jo ky.

– Eh, more axhë, ti ke plot të drejtë. Por çka të bëj unë i ngrati kur të parët e mi donin të jetonin me pushtetin, të kishin toka e pasuri dhe t’i punësonin fëmijët e tyre. […]

– Jo, mor bir, ti nuk je tradhtar! Aty ku je ti, të kanë lanë gjyshërit tuaj e ndoshta s’ke çka ban. Po ti vazhdo ta mbash zemrën e pastër, e mos u ban keq njerëzve me dëshirën tande. Ku të jepet mundësia, ndihmoji ata që janë si ne. Biro, nëse do me pâsë nuse, që të mban gjallë fenë në shtëpi, si gjyshja jote, shko martohu në Llapushnik, ose në Kishnarekë, – i foli Zefi.

– Ty, faleminderës, or burrë! Do ta mendoj mirë kur të martohem. Por tradhtar jam unë e tradhtarë kanë qenë të parët e mi.

– Mirë! Për pasuri, punë e nam kemi nevojë. Por, nuk mbërrij me kuptua, si kanë muejt me i ra mohit dashurisë. Gjyshja ime me ka thanë se Krishti vetëm për dashuri po mësonte. 

[…]

Kishte të drejtë gjyshja ime kur thoshte, se qysh kur kemi fillua t’i shërbejmë turkut, na ka hupë dashnia mes veti, prandaj s’mund të duam më askënd. As vëllezërit tanë. S’po di si t’ju them! As si t’jua shpjegoj. Ja për shëmbull, nëse do të provonit me ikë prej këtij burgu, jo vetëm Jashar Pasha, po  edhe unë do t’ju vrisja. Kështu më kanë kurdisë, or burrë! S’kam çka baj, me vra vetën! (f. 131-134).

Drenica, me fshatrat e saj, si pjesë e gjeografisë martire të vendit tonë, ka bart në gjirin e vet vlerat e kanunit e të ungjillit, ndonëse shumë prej tyre mbetën pa prift dhe pa kishë, si pasojë e pushtimit të gjatë e të egër, e për pasojë u bënë njëherë laramanë e pastaj, me kalimin e kohës, u islamizuan, ndonëse krejt pak praktikantë. Edhe sot, ndonëse të lodhur nga pesha e shekujve të mundimshëm, jeta e tyre zhvillohet, në shumicën prej tyre, sipas kanunit, që e tregon se ata nuk kanë lejuar ta islamizojnë kulturën shpirtërore dhe materiale. Në krejt Drenicën gjen ndonjë xhami me një ndikim të fuqishëm nga jashtë, kryesisht nga shoqatat e lindjes turko-arabe, që janë ndërtuar pas Luftës për Liri (1999), gjatë së cilës Drenica shquhet për prijetare dhe trimëri. Është tradita e Drenicës që (mbi)jeton sot e kësaj dite!

Drenica, siç e hasim në rrëfim, kishte mbetur jashtë gardhit, që paraqitet në figurën e djaloshit drenicak, që i dëgjonte me mall bisedat e burrave të besës, kuvendin e tyre dhe uratat arbnisht! Por, edhe pse kishte mbetur jashtë gardhit, Zef Gashjani e vetëdijeson djalin që të ruajë gacën e pashuar të të parëve duke gjetur nuse ndër fshatrat kriptokatolike. Këto tradita të pashkruara, kanë bërë që Drenica të ruajë në gjirin e vet ato gaca të prushit të vjetër, që do të mund të ndizen për ta kaluar gardhin e imponuar nga otomanë dhe nga ligështitë e të parëve, e për t’u kthyer në vend-hapësirën, djepin e autokton. Për ta bëtë këtë, i duhet vetëm një gjë; të guxojë të heq vellon e ta shpalos fytyrën e vërtetë të saj!

Në mesin e fshatrave që qëndruan fort në këtë kalvar ishin Llapushniku, Kishanreka, Kravaseria e tjera, që e mbajtën të pashuar dritëzën e identitetit, si një vravashkë në gjirin e vatrave të tyre. Kripokatolicizmi në territorin e Drenicës është fenomeni i qëndresës, një formë për ta ruajtur farën e paprishur, që në kohë të duhur e në vend të duhur të mbillet përsëri për të dhënë frytin e saj.

 

2. Kryqi – simboli i fitores

Çdo Kalvar përfundon në Kryq. Martirët e Karadakut, përkatësisht “Burrat e Besës”, kthehen në Atdhe si ngadhënjyes, duke e vendosur Kryqin në majën e Stubllavaqes, simboli i fitores së tyre, që qëndron edhe sot e kësaj dite, si dëshmi e pranisë së shpirtit të Martirëve në këto troje në pasardhësit e tyre.

Në Stubllavaqë, në ditën e ringjalljes së Krishtit, burrat e Malësisë, e përfundojnë kalvarin e tyre dhe e përmbushin shtegtimin e tyre ripërtëritës; vendosin Kryqin në majën e saj, veshin rrobat e tyre autoktone, pajtohen me të gjithë ata që i kishin tradhtuar, e kremtojnë Pashkën – Kalimin nga laramania në dritën e bijve dhe bijave të Kishës.

Zinxhiri i këputur, këtu rikapet edhe më fort për të lidhur të kaluarën me të tashmen dhe për ta siguruar të ardhmen e pasardhësve. Në këtë mënyrë kryhet portretizimi e ripërtëritja e krishterimit apostolik arbnor e rinovuar me gjakun e bijve dhe bijave të Malësisë së Shkupit./drita.info

 

————————————-

[1] Një përkufizim i romanit historik ndër më të pranueshmit dhe që kap për së afërmi intencionin narrativ edhe të romanik historik “Burrat e Besës”, e ka dhënë shkrimtari klasik italian Alessandro Manzoni, sipas të cilit “romani historik është një krijim i përzier i Historisë me trillimin/fiksionin artistik, një zhanër hibrid si ai, që për nga natyra, integron fiksionin dhe të vërtetën, e që megjithatë, propozon besueshmërinë e leximit në një kufizim të vetë imponuar, çfarë i nënshtron termit të parë, trillimit/fiksionit, parimin e rreptë të së vërtetës historike si gjasë.” Citati shqip është marrë nga Valbona Kalo, Romani historik. Tipologjia dhe veçanti të poetikës së tij në letërsinë shqipe. Temë doktorature në Universitetin e Tiranës, 2016, në: http://www.doktoratura.unitir.edu.al/pdf., f. 12. Ndërsa origjinali është marrë nga Alessandro Manzoni, Opere varie, Stabilimento Redaelli dei fratelli Rechiedei, Milano 1870, në: Alessandro Manzoni, Scritti di teoria letteraria, [con note e traduzioni di Adelade Sozzi Casanova, indroduzione di Cesare Segre], Rizzoli, Milano 1981, f. 300.  

[2] Dom Nicolò Mazrec, Breve Cenno circa gli esiliati Cripto-cattolici della Parrocchia di Zernagora e Nominatamente Dei Villaggi Stubla, Bincia, Terziai e Vernakolo. Nell’Anno 1843-1848. Zernagora – Letinza 1. Maggio 1882. N6. Dokumenti i Don Nikollë Mazrekut është mbledhje e dëshmitarëve të të syrgjynosur të mbijetuar (post exilium), prandaj edhe është dokument i besueshëm, i konsideruar i dorës së parë për këtë histori martire. Në bazë të këtij dokumenti dorëshkrim, që tani ruhet në Arkivin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, janë bërë studime shkencore, siç është ajo më e njohura deri më tani, doktoratura e mbrojtur në Universitetin Papnor Urbaniana në Romë në vitin 1981, nga meshtari i Kishës sonë dhe pasardhësi i këtyre martirëve, Don Gjergj Gjergji – Gashi, me titull “De Martyribus Albanensibus anno 1846 in odium fidei damnati”, i botuar më vonë edhe në gjuhën kroate “Albanski munčenici u razdoblju 1846.-1848.” Peć 1988, dhe në gjuhën shqipe me titull “Martirët Shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, Drita 1994. Kohën e fundit kemi një publikim në gjuhën frënge të motrës Odette Marquet, La déportation des famillles albanaises en Anatolie au XIX siècle dans les Archives françaises, Les Ėdition du Cerf Patrimoines, Paris 2019, libër me dokumente nga arkivat franceze.

[3] Khs. Valbona Kalo, vep. e cit., f. 16,

[4] Autori në këtë ndërfutje lehtësuese vë në mënyrë të moderuar sensin e humorit, madje me kolorite satirike, në momentet që nuk do të imagjinonin që do të gjejmë në ato situata torture, sakatosje e përçmimi. Është një përmasë stilistike që shfaqet në disa nga faqet e kësaj rrëfenje që i jep shije dhe e çlodh lexuesin nga emocionet e forta që mund të krijojë leximi për vuajtjet, martirizimin mbi banorët e syrgjynosur të Malësisë së Shkupit. Kjo ndërfutje e humorit, gallatës e të qeshurave, brenda një situate dhembjesh e vuajtjesh, që në fakt mund të konsiderohet edhe si një humor i zi, është sa origjinale aq edhe prurje tradicionale që autori e bart nga familjet tradicionale arbërore të krishtera ndër ato troje (Malësia e Shkupit). Autori është bir i këtyre familjeve dhe nuk e ka të vështirë të përdorë, të ndërfutë natyrshëm një element të këtillë në tregimin e tij. Sepse humori, gallata është një indikator i fuqishëm i shpirtit të atyre banorëve që arrijnë t’i tejkalojnë me këtë mënyrë çastet kritike të jetës, kuptojnë krishtenisht kryqet e jetës e iu japin kuptimin e thellë, me ngjyrim, kuptim ungjillor.

[5] Shëmbëlltyrën e Jezusit e gjejmë te Luka Ungjilltar Lk 15, 11-31 (lexoje: Ungjilli sipas Lukës, kapitulli pesëmbëdhjetë, rreshtat njëmbëdhjetë deri në tridhjetenjë)

[6] Është një asocim me Kuvendin e Arbënit, i cili u mbajt në vitin 1703, në të cilin prelatët arbërorë, në krye me argjipeshkvin Vinkë Zmajeviqin, e nën patronatin e Papa Klementit XI, Albani (bir i familjes arbëreshe Albani), solli vendime të vështira për kriptokatolikët arbërorë që ishin nën pushimin e Perandorinë Osmane. Porse, ato vendime ishin shpëtimprurëse për ta mbajtur gjallë farën e krishterë. Kurse ky kuvend kap asocime edhe më thellë në histori, atë të Kuvendit të Lezhës në vitin 1444, kur kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti bashkoi në kuvend princat arbërorë për ta mbrojtur tokën e stërgjyshërve (edhe Europën) nga kërcënimet pushtuese të Perandorisë Osmane.

[7] Asocim për ngjarjet e dy romaneve të shkrimtarit Ismail Kadare, “Ura me tri hare” dhe “Darka e gabuar”, nëpërmjet të cilëve tregohen vendime të trishta të arbërve që lanë pasoja të rënda e thuajse të papërmirësueshme për popullin tonë shqiptar. Ajo e para që vendosën arbrit në mesjetën e vonë, kurse e dyta në shekullin XX, që solli llahtari të paparë. Një përqasje për romanin “Ura me tri harqe” lexo në: Fatmir Koliqi, Të rishkruash historinë – ndërgjegja e Kadaresë. Përqasje për romanin e Kadaresë “Ura me tri harqe”, në: http://www.drita.info/2015/01/28/685/. Kurse për romanin “Darka e gabuar” lexo në: Ndue Ukaj, Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore, Onufri 2019, f. 149-156.

[8] Numri tre në bibël ka një semantikë të begatë teologjike. Sa për të përmendur vetëm dy më të themeltaret: Tre vjet zgjat jeta publike e predikimit të Jezusit; pas tri ditësh Jezusi ringjallet duke e mposhtur vdekjen.

Shpëndaje: