Nga Tom Hoopes
Át Hughes Sundeme jep ilaçin për 90% të problemeve martesore me një fjalë të vetme: “Nëse nuk mund të falësh, atëherë mos u marto”, tha prifti në dasmën e vajzës sime. “Kur dëgjoni njerëzit që festojnë 30, 40, 50 vjet të jetës së përbashkët, duhet ta dini se ata po festojnë faljen.”
Martesa ka pasur disa javë të vështira në lajme, nga Johnny Depp dhe Angela Heard deri te divorci i shkrimtarit religjioz me famë Rod Dreher.
Nuk mund t’i diagnostifikoj martesat e tyre, por me një frazë, Át Hughes Sundeme dha ilaçin për 90% të problemeve martesore: “Nëse nuk mund të falësh, atëherë mos u marto”, tha prifti në dasmën e vajzës sime. “Kur dëgjon njerëzit që festojnë 30, 40, 50 vjet të bashkimit, duhet të dijsh që ata po festojnë faljen.”
Ati Sundeme është nga Gana, por tani për tani është këtu në Kansas, duke shërbyer në disa famulli. Ai ndau disa nga këshillat më të mençura që kam dëgjuar ndonjëherë në një predikim martese. Tani, më duket sikur çdo predikim martese duhet t’i përfshijë ato.
Së pari, ai tha se dhimbja e martesës është pikësynimi i martesës
“Martesa është një shërbesë e ofendimit”, tha ai. Njerëzit qeshën në mënyrë të pakëndshme, dhe ai vazhdoi. “Zoti na jep martesën që të mund të ofendojmë njëri-tjetrin dhe ta bëjmë njëri-tjetrin të ndjehet i përulur dhe i aftë të falë.”
M’u deshën 30 vjet për ta mësuar këtë, por është absolutisht e vërtetë. Të metat dhe gabimet e martesës nuk janë pengesa fatkeqe të rastësishme në realizimin e vërtetë të martesës, që është paqja dhe harmonia; ato janë pikësynimi i martesës. Të metat dhe gabimet tona e shkatërrojnë egoizmin e njëri-tjetrit dhe na detyrojnë të mësojmë se si të duam ashtu siç Jezusi na do neve: duke sakrifikuar për njerëzit e papërsosur.
“Do të ketë mosmarrëveshje, argumente, keqkuptime, ndjenja të lënduara dhe ndoshta edhe fjalë të ashpra,” tha ai. “Këto dallime ose mund të prishin ose shkatërrojnë dashurinë tuaj ose ta forcojnë dhe ta thellojnë atë. Nëse pajtoheni shpejt, i shëroni me shpejtësi plagët, dashuria juaj do të ngritet në një nivel të ri dhe gëzimi juaj do të rritet.”
Së dyti, ai paralajmëroi prindërit se roli i tyre në martesën e çiftit është më i vogël nga sa mendojnë
“Për prindërit; një njeri lë t’atin dhe t’ëmën e tij dhe lidhet me gruan. Lërini të gjitha lidhjet me djalin dhe vajzën tuaj”, tha ai. Ai u bë më i ashpër dhe e përsëriti me vendosmëri: “Këshilloni, por mos ndërhyni”.
Absolutisht. Unë jam përjetësisht mirënjohës për këshillat që prindërit dhe vjehrrit e mi m’i kanë dhënë me kënaqësi. Unë jam edhe më mirënjohës për këshillat që mbajtën. Prindërit e mi, mësues të shkollës publike, ndoshta dyshonin në efikasitetin e mënyrave të mia të edukimit në shtëpi; por nuk e thanë këtë. Vjehrri im, ekspert i taksave, më dha këshilla shumë të dobishme, por kurrë nuk insistoi apo ndërhyri në mënyrat e mia të “planifikimit financiar natyror”.
Ne të gjithë i njohim shembujt se si këshillat e prindërve dështojnë, qysh nga mendimet për pelena, te standardet e pastërtisë dhe të rregullsisë, e deri te mënyra se si duhen gatuar patatet.
Së treti, ai paralajmëroi bashkësinë/famullinë se roli i tyre në martesën e çiftit është më i madh nga sa mendojnë ata
“Për të gjithë ne, qoftë prania jonë këtu ndihmë e cila do t’ju ndihmojë atyre të rriten dhe jo të shkatërrohen,” tha ai. “Ne ndonjëherë shkatërrojmë martesën e njerëzve, me dëshmi të këqija dhe thashetheme të këqija”, tha ai. “Ne themi: ‘Shikoni këtë person. Ai është i martuar, por shiko çfarë po bën!’”
Qeniet njerëzore janë të lidhura fort me bashkësinë. Njerëzit imitojnë atë që shohin. Nëse jemi të rrethuar nga presioni pozitiv i bashkëmoshatarëve, bëhemi më të mirë. Nëse jemi të rrethuar nga presioni negativ i bashkëmoshatarëve, përkeqësohemi. Besnikëria jonë ndaj betimeve në sakramentin e kurorës së shenjtë ju ndihmon atyre që nuk janë besnikë. Kurse tradhtia dhemb më shumë se sa mund t’i dhemb vetë familjes tonë. Siç na kanë treguar lajmet, martesa është një gjë publike dhe kjo e bën publike edhe divorcin.
Së fundi, ai u tha atyre se Jezusi po i dërgonte ata si dishepujt-apostujt e tij të vërtetë
“Kur Jezusi dërgoi apostujt për të shpallur lajmin e mirë, ai i dërgoi dy nga dy”, tha ai. “Ju dërgoheni gjithashtu në dysh nga sakramenti i martesës për të predikuar ungjillin dhe për të dëshmuar me jetën tuaj.”
Më pëlqen kjo mënyrë e të menduarit për martesën time: Ne të dy, dolëm të veshur me madhështi që na tejkalon, të vegjël në krahasim me botën, por të fuqishëm me Krishtin në sakrament./drita.info
Marrë nga: www.aleteia.org
Përkthimi: Valbona Berisha